Flamuri kuq e zi valëvitet për të 18-in vit nëpër gjithë Nju Jorkun nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit

Nga Keze Kozeta Zylo

Do të marr një fjongo Dielli,

Që t’ja lidhë foshnjës në djep,

Dritë t’i bej botës ku jemi,

Kuq e zi cep më cep.

Sa bukur të mblidhesh dhe të nderosh Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar!

Ne jemi në vitin e 18-të që e festojmë së bashku filluar me Shkollën Shqipe në Staten Island që është dhe fidanishtja e Alba Life. E pamundur të përmbledhësh gjithë programet e shumta nga shkollat nëpër New York.  Ka qenë një vit plot sfida dhe suksese.  Por për këtë vit do të ndalem vetëm në ditët historike në Parlamenin e Nju Jorkut në Albany dhe në Parlamentin e Kosovës. Për herë të parë në historinë e Diasporës, në historinë e politikës amerikane dhe në institucionet më të larta qeveritare vlerësohen dhe çmohen Shkollat Shqipe “Alba Life”, çka na bën të ndihemi krenar, por dhe për Amerikën, shtëpinë tonë të dytë që na mirëpriti dhe vlerësoi punën tonë si shqiptarë. Shkollat tona kanë kryer një sërë aktivitetesh gjate gjithe këtyre viteve që kulmuan me Rezolutën për TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” të miratuar nga Parlamenti dhe Senati Amerikan.

Në korrik të këtij viti stafi i Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online u mirëprit në Kuvendin e Republikës së Kosovës me ftesë nga Kryetari i saj z. Glauk Konjufca. Ishte krenari për ne si shkollat të vlerësohemi nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës.  Dukej një udhëtim i bukur i ëndërrt brenda disa muajsh, nga Parlamenti i Nju Jorkut tek Parlamenti i Kosovës martire.  Këto takime dhe vlerësime na shtojnë përkushtimin tonë më shumë si misionarë dhe janë shumë frymëzuese.

Në emër të gjithë stafit, mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollave Shqipe “Alba Life” i shprehim mirënjohjen e thellë Zotit Konjufca dhe i urojmë punë të mbarë në vitet në vazhdim në Kuvend.

Sot le të festojmë me krenari Diten e Shenjtë të Pavarësisë së Shqipërisë ku plaku i urtë Ismail Qemali së bashku me Is Boletinin dhe popullin mbarë kombëtar ngritën Flamurin në Vlorë.

Me duatrokitje u mirëpriten në disa shkolla hyrjet e nxënësve të shkollave nën tingujt e këngës së famshme Për Mëmëdhenë, Për Mëmëdhenë shkruar nga Mihal Grameno viti 1907, 117 vjet më parë:  Të gjithë u çuan në këmbë për të intepretuar Himnin e Flamurit Kombëtar dhe Amerikan

Ne Bronx Zoti Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave shqipe “Alba Life” i cili mban titullin e lartë: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë falënderoi të gjithë të pranishmit dhe iu uroi nxënësve, mësueseve, prindërve dhe të ftuareve Ditën e Shenjtë të Flamurit.

Në Bronx ishin disa miq të ftuar si znj.Ornela Beshiri, një zonjë inteleketuale e nderuar e cila përshëndeti në emër të Ansambleistit John Zaccaro Jr.  Është nder dhe privilegj për gjithë Shkollat Shqipe “Alba Life” që z. John Zaccaro Jr. na ka mbështetur vazhdimisht.  Ai është një politikan i mirënjohur amerikan dhe që shërben si anëtar i Asamblesë së Shtetit të New York-ut për distriktin e 80-të.

Programi ka vazhduar në të gjitha shkollat me Himnin e Shkollës Shqipe kompozuar nga prof. Petrika Melo dhe tekst nga K. Zylo.

Në emër të Konsullatës së Shqipërisë në Manhattan përshëndeti zonja Valentina Loka Konsulle e Republikës së Shqipërisë në New York të cilës i shprehim mirënjohjen tonë të vazhdueshme.

Nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Manhattan përshëndeti diplomati Besim Berisha, ku shteti i Kosovës gjithmonë ka qenë i vëmendshem për Shkollat Shqipe “Alba Life”, midis tyre do të ngelet historike vizita e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në Bronx në këtë ditë të shenjtë ishte gazetari i shquar dhe ikona e skenës televizive, ish Ambassador në Suedi z. Virgjil Kule, shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Mimoza Kule demokrate e orëve të para dhe një aktiviste e mirënjohur në Diasporë.

Z. Kule punoi për një kohë të gjatë në Televizionin Shqiptar si gazetar, folës dhe drejtor i këtij institucioni. Ka drejtuar televizione private dhe një studio komplekse multimediale.  Zëri brilant I Kules është i pranishëm në dokumentarët televizivë.  Ndërsa iu drejtua skenës u mirëprit nga moderatorja Zylo duke intepretuar vargjet e poetit të shquar Ali Asllanit shkruar në vitin 1919 si:

Jam vlonjat e jam burrë/ s’duron burri zgjedhë kurrë/ jam vlonjat e si vlonjat/ di t’bëj luftë me të shtat’/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora/ Bjer, moj, t’u lumtë dora/ Jam vlonjat dhe trim me besë, rreth flamurit di e vdesë/a me hir, a me pahirë/ doemos do rroj i lirë!

Z. Kule i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe midis të tjerash tha se shumë hymne kombëtare në botë, janë me luftra, gjak, heroizma, por shpresoj që të mos kemi më luftra, por paqe.  Me pëlqen Himni i Europës që është paqësor dhe me vargje gëzimi. Himni i Evropës i njohur ndryshe edhe si Himni i Gëzimit ose Ode Gëzimi (Titulli origjinal Gjermanisht: “An die Freude”) është himni i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, e ku që të dyja i referohen asaj si Himni i Evropës.

Mësueset profesioniste si Helena Ujkaj, Albana Lazri dhe Erinda Isufaj të cilat janë plot përvojë, përkushtim, atdhetarizëm besnike të Misionit Kombëtar drejtuar nga Shkollat Shqipe “Alba Life” sollën nxënësit në skenë duke interpretuar poezi të ndryshme nga autorë të shquar. Ndersa i prezantoja në skenë këto mësuese në mendje më vinin vargjet nga poeti i shquar i Kombit Agim Shehu i cili shkruan:  Dorën e vogël, mësuesi në klasë/ folé zogu ma mbante në dorën e vet…/ Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/ dhe u nisa në jetë…

Në Brooklyn mësueset e nderuara, të interesuara, patriote, të talentuara si Fatlinda Bajcinca Gashi e cila vjen me përvojën e Prishtinës dhe nga Komuniteti Europian dhe Rozeta Hyseni me përvojën e Tiranës me asistente Sarah Bandilli dhanë një program serioz bashkë me nxënësit për Atdheun, Flamurin dhe Gjuhën Shqipe. 

Ndërsa në Staten Island nxënësit e mësuese Entela Mudes, Elona Shkretës me asistente Aida Hajrin nderuan sot Flamurin Kombëtar me këngë e valle patriotike.  Këto mëuese të dashura sjellin përvojën e tyre profesionale dhe asistojnë me kulturë dhe devotshmëri pranë klasave për të realizuar Misionin Kombëtar.  Në këtë ditë të shtunë, programi festiv u ndoq dhe u përshëndet nga Dr. Valbona Zylo Watkins.

Në Queens nxënësit interpretuan poezi të ndryshme dhe kërcyen valle tradicionale përgatitur nga mësuesja profesioniste Vjollca Skënderi.

Himni i Flamurit u intepretua aq ëmbël dhe nga vogëlushja Besa Bexheti, Lulja e Dukagjinit nga Eliona Shala, vallet nëpër shkollat, si vallja e Drenicës, Vallja Kuq e Zi, Vallja e Tropojës, Valle e Pogonishtes, “Sot ka festë Kosova, Vallja e Flamurit, Vallja e Katjushkës etj, tundën skenat nëpër New York.

Kenga aq popullore si “Xhamadani vija vija” solli në skenë gjithë nxënësit, prindërit, mësuesit interpretuar mjeshtërisht nga artistja e shquar Valbona Peraj, e cila drejtoi artistikisht gjithë programin.

Sipas traditës u nda torta e Pavarësisë, Pavarësinë që festuam së bashku në 112 Vjetorin e saj.  Faleminderit Mirela Arifaj për përgatitjen e tortës, mirënjohje Albana, Meri, Gjergji, Restjald nxënëses së talentuar Sarah dhe shumë të tjerë për mbështetjen, gjithmonë!

Në këto ceremoni të nivelit të lartë, surprizë e këndshme ishte ardhja e dy ish asistenteve Blenda Shehut dhe Erlinda Shala të cilat sot janë studente në Manhattan dhe na bëjnë krenar që nuk i harrojnë vitet që kaluan dhe rrënjët në këto shkolla prestigjioze në gjithë Diasporën. 

Filmimi i aktivitetit në Bronx u realizua nga media e famshme “Alba Pro” me pronar Amir Suka me pesë cmime Emmy ku kameraman ishte profesionisti i talentuar Shug Dule, ne DJ ishte mjeshtri Odise Salillari, anëtar i stafit të TV “Alba Life”. Në këtë koncert nderoi me pjesëmarrjen e tij z. Qazim Doda nga TV A A Vision.

Flamuri kuq e zi u valëvit për të 18-in vit nëpër gjithë Nju Jorkun nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, kuq e zi cep më cep.

23 Nëntor, 2024

New York