Shqiptarët e ngritën flamurin tonë kombëtar në Bashkinë e Philadelphias
Nga dr. Sadik Elshani
Ka vitë që në Philadelphia është krijuar një traditë e bukur, ngritja e Flamurit Kuqezi në sheshin e bashkisë. Kështu ndodhi edhe sot kur u zhvillua ceremonia madhështore e ngritjes së flamurit në Bashki. Për komunitetin shqiptaro – amerikan të Philadelphias me rrethinë kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbolet tona kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit kuqezi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias. Por, edhe flamuri ynë hijerënd e zbukuron qiellin e Philadelphias, sepse ai është flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale, dinjitetin e kombit tonë. Atë nuk e shëmtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë. E ku më bukur shfaqet ai shpirti i lirisë sesa në qytetin e Philadelphias, vendlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës?!
Këtë ceremony madhështore e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Dritan Matraku, i cili përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë e Këshillit Bashkiak: këshilltari, Michael Driscol, Deputy City Representative, zonjusha Kyra Harris, zonjusha Ngan Tran, nga Office of Immigrant Affairs, si dhe ca konsuj të nderit të akredituar në Philadelphia. Pastaj z. Matraku uroi 112 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe porositi që të jemi të bashkuar, sepse së bashku mund të bëjmë më shumë. Ai u rikujtoi të pranishmëve se kjo veprimtari është një vazhdim i veprimtarive të suksesshme që shoqata jonë ka zhvilluar kohëve të fundit: hapja e godinës së re më 13 tetor, emërimi i një pjese të rrugës ëillits me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut më 17 nëntor dhe më 24 nëntor, Mbrëmja e Madhe e Flamurit – festë madhështore me darkë e muzikë.
Fjalën e rastit e mbajti z. Sami Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës. Zoti Zeka foli për rëndësin e 28 Nëntorit në historinë e popullit tonë, përpjekjet e të parëve tanë gjatë historisë, por edhe për përpjekjet e shqiptarëve në Philadelphia e Amerikë për një jetë më të mirë. Zoti Zeka vuri në pah vlerat e popullit tonë: qëndresën, përpjekjet ndër shekuj për liri e pavarësi. “është një ndjenjë e posaçme kur festohet në Philadelphia” – u shpreh ai. Pastaj ai falenderoi qytetin e Philadelphias që na ka pranuar në mesin e vet dhe na mundëson të rrisim fëmijët tanë, ta ndërtojmë jetën tonë.
Këshilltari i Këshillit Bashkiak dhe miku i madh i komunitetit shqiptaro – amerikan të Philadelphias, z. Michael Driscol, të pranishmëve u uroi mirëseardhjen në Bashki (City Hall), simbolin e lirisë jo vetëm për Amerikën, por për tërë botën. Kujtoi historinë e Skënderbeut dhe veprimtaritë e shoqatës që u cekën më lart, pjesëmarrës i së cilave ishte edhe vetë ai. Si gjithmonë kur është në mesin tonë edhe në këtë rast ai na porositi që ta ruajmë gjuhën, trashëgiminë dhe traditat tona kombëtare, sepse edhe ai është pasardhës i mërgimtarëve të mëhershëm.
Zonjusha Ngan Tran falenderoi për ftesën për këtë veprimtari madhështore, duke uruar: Gëzuar festën! Ajo ftoi komunitetin tonë për bashkëpunim dhe ofroi ndihmën për emigrantët shqiptarë. Zonjusha Kyra Harris gjithashtu uroi për festën dhe shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet në këtë ceremoni mbresëlënëse. Ajo foli me fjalë dashamirësie për shqiptarët të cilët tani janë bërë pjesë e jetës së qytetit të Philadelphias. Zonjusha Harris ia dorëzoi zotit Matraku Proklamatën me të cilën Kryebashkiakja, Sheryl Parker, e shpallte 26 nëntorin 2024 si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Pastaj ajo lexoi pjesë nga kjo Proklamatë ku përshkruhej rrugëtimi i popullit tonë nga periudha e ndritur e Skënderbeut, nga 28 nëntori i vitit 1443 deri të 28 nëntori i vitit 1912, miqësinë e Shqipërisë me Amerikën, kontributin e shqiptaro – amerikanëve në të gjitha fushat e zhvillimit të SHBA-ve, si dhe përpjekjet e tyre për të shërbyer si urë bashkimi e bashkëpunimi në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Pastaj në sallën ku u zhvillua ceremonia jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Veprimtaria e sotme kishte edhe diçka të veçantë që nuk kishte ndodhur më parë: merrnin pjesë pjesëtarët e Philadelphia City Trooper Colony, një grup ceremonial të veshur me uniforma tradicionale ceremoniale. Ata me lëvizjet e demonstrimet e tyre ushtarake e bën edhe më të bukur këtë veprimtari. E falenderojmë zotin Shpëtim Daku, i cili kishte siguruar pjesëmarrjen e tyre. Ngritjen e flamurit këtë vit e bën mësueset e nderuara të shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, zonjat Afërdita Muzaqi e Mimoza Sotiri. është ky një nderim që shoqata jonë u bën anëtarëve të dalluar.
Eldion Pajollari një biznesmen i njohur në komunitetin tonë dhe një kontribues i madh i shkollës shqipe e ka bërë traditë duke sjellë kafe dhe ëmbëlsira për pjesëmarrësit në këtë ceremoni.
Por, kjo veprimtari nuk mbaroi me kaq. Zoti Enver Parllaku, një veprimtar i dalluar i komunitetit tonë na kishte ftuar për një kafe/drekë në restorantin e tij, “Capri”, të hapur vetëm disa javë më parë. Tani kjo është bërë një traditë e bukur pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, sepse Enveri na ka ftuar edhe viteve të tjera kur drejtonte një restorant tjetër. Dreka në këtë mjedis të mrekullueshëm kaloi për bukuri, atmosferë vëllazërore, biseda të ngrohta të shoqëruara me pije e ushqime të shijshme – sofër tipike shqiptare. Falenderojmë vëllezërit Parllaku për mikpritjen, bujarinë dhe atdhetarizmin e tyre, duke u dëshiruar suksese e punë të mbarë në restorantin e tyre të rregulluar për bukuri.
Të gjithë motra e vëllezërve shqiptarë kudo që ndodhen në botë: Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Festën tonë Kombëtare!
Philadelphia, më 26 nëntor 2024