Flamuri ynë Kuq e Zi

Nga Sadik Elshani

Nëntori është muaji i Shqipërisë, muaji i shqiptarëve, muaji i flamurit. Sa herë që afrohet 28 Nëntori, mendja na fluturon te flamuri ynë Kuq e Zi, flamuri ynë i lyer me gjak që sjell në kujtesën tonë përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona. Na sjell në kujtesën tonë Epokën e lavdishme të Skenderbeut që me shekuj mbajti gjallë qëndresën, shpirtin dhe identitetn tonë kombëtar. U valvit pa u përkulur kurrë nëpër dallgët e stuhitë e historisë dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, Flamuri i Skenderbeut u ngrit në qiellin e Shqipërisë së saposhpallur shtet i pavarur. Vite më vonë mbi kokat e shqiponjës i vunë simbole të huaja ideologjike, por shqiponja nuk i duroi, i shporri se ia zinin frymën, ia zinin frymën Shqipërisë, popullit shqiptar. Shqiponja dhe shqiptari e duan vetëm lirinë dhe qiellin e kaltërt mbi kokat e tyre.

Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri ynë. Është ky flamur që na priu nëpër beteja të përgjakshme shumëshekullore në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. Për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë. Është ky flamur i bukur e hijerëndë që rrezaton pastërtinë morale, dinjitetin, nderin e kombit tonë, sepse atë nuk e shemtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë! Ështe ky flamur që i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara. Është kjo shqiponjë që nën krahët e saj të fuqishëm, me një ngrohtësi prej nëne i mban së bashku të gjitha bijat dhe bijtë e saj kudo që ndodhen në botë. Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë! Këtë forcë e kam ndier, e kam përjetuar vetë që në moshë të njomë. Në femijërinë time, në Kosovë flamuri ynë ishte i ndaluar. E dinim si dukej flamuri ynë, e kishim parë nëpër librat e ndaluara, por kurrë nuk e kishim parë duke u valvitur para syve tanë. Por një ditë nëntori të vitit 1968 në qytetin tim te Suharekës (Therandës), nxënësit e gjimnazit, normales dhe qytetarët organizuan një parakalim, një demonstratë të fuqishme dhe ne ballë u printe Flamuri Ynë Kuq e Zi që ishte qëndisur fshehurazi. Organizator ishte studenti, Haxhi Bajraktari, i cili e kishte siguruar edhe flamurin.  Policia u mundua t’i ndalonte, por nuk ia doli dot. Që nga ajo ditë flamuri ynë u valvit i lirë ne qytetin tim dhe në tërë Kosovën. Ishte ajo ngjarja më e shënuar, dita me e lavdishme në jetën e qytetit tim dhe është ngulitur thellë në qenjen dhe kujtesën time. Ishte ajo ngjarje, ishte ai flamur që nga një femijë, më bëri burrë para kohe, më ngjalli krenarinë kombëtare, ma shtoi e ma thelloi edhe më tepër dashurinë për Shqipërinë, kombin tim, historinë tonë. Me shporri frikën dhe mbolli guximin në zemrën time të njomë. Flamuri ynë është flamur që të trimëron, të jep zemër, të jep guxim, të jep shpresë. Atë ditë nuk valvitej një copë pëlhurë, por valvitej Shqipëria, shqiptarizmi, krenaria jonë kombëtare. Po, ai flamur ishte vetë Shqipëria! Dhe atë ditë së bashku me gjimnazistët, normalistet marshonin edhe bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, fytyrat më të ndritura të kombit tonë. Të mbështjellur me flamur, ata kishin zbritur nga qielli i perjetësisë, kishin dalur nga faqet më të lavdishme të historisë sonë, nga rrëfimet e baballarëve tanë dhe u prinin rinisë sonë, u jepnin zemër, u shkrinë me ta dhe u bënë një, u bënë flamur. Si dikur në Vlorë, aty ishin edhe Ismail Qemali e Isa Boletini me trimat e tij. Shqiptarët tani ishin zgjuar nga gjumi i thellë, e kishin shporrur frikën, përbuzjen shekullore, i kishin ringjallur energjitë e tyre të fjetura. Lëvizja për lirinë e Kosovës tani kishte marrë hov dhe flamuri ynë na printe drejt cakut, qëllimit tonë përfundimtar – pavarësisë së Kosovës. Më në fund ajo ditë e shumëpritur, ajo ditë e bekuar arriti më 17 shkurt të vitit 2008 – plot dyzet vite pas Vitit të Madh 1968.

Marrëdhënja, afërsia e shqiptarit me flamurin, ndjenjat, dashuria e shqiptarit për flamurin janë diçka karakteristike dhe të paspjegueshme që fjalët nuk mund t’i shprehin aq lehtë, diçka që na dallon nga kombet tjera. Kuptohet, edhe popujt dhe vendet tjera e duan dhe e nderojnë flamurin e tyre, por asnjëri nuk përnjeëjtësohet (identifikohet) më tepër me flamurin sesa shqiptarët. Festa jonë kombëtare ka hyrë në kujtesën e popullit tonë si, “Dita e Flamurit”, ndersa himni ynë kombëtar është: “Rreth flamurit të përbashkuar”. Ai është bërë gjymtyrë, pjesë e qenjes, ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kolektive si komb. Flamuri ynë është historia jonë e qëndisur në pëlhurë, aty është i shkruar rrugëtimi ynë nëpër shekuj si komb, aty janë të shkruara përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona për liri e pavarësi. Populli ynë këngët më të bukura ia ka kushtuar flamurit, poetët tanë atij ia kanë kushtuar vargjet më të bukura: “O flamur gjak, o flamur shkabë”. Nga të gjitha kombet që njohim ne, shqiptarët janë të vetmit që fëmijve të tyre u vënë emrin: Flamur. Dhe tingëllon bukur! Tani flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë, por janë edhe zemrat që rrahin për kombin, atdheun, të ardhmen tonë.

Rreth flamurit tonë kombëtar të bashkohemi si shqiptarë e të mos përçahemi nga ideologjitë e huaja.Ta mbajmë gjithmonë të pastër e lart e më lart Flamurin e Shenjtë të Skenderbeut, flamurin e lirisë, flamurin e bashkimit kombëtar! Një komb, një flamur, një shtet i përbashkët për të gjithë shqiptarët!
Shqiptarë, kudo që jeni: Gëzuar Ditën e Flamurit!

Philadelphia, nëntor, 2021
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Passhkrim:

Me poshte mund ta ndiqni reportazhin per ngritjen e flamurit ne Suhareke/Therande ne vitin 1968. Ky reportazh e ka fituar çmimin e pare ne Radio – fest 2012, ku per teme konkurimi ishte 100 Vjetori i Shpalljes se Pavaresise se Shqiperise. Nje rrefim i bukur per nje ngjarje te lavdishme e te guximshme.