Florida: Modelja shqiptare vrau burrin dhe pastaj veten në kondon e tyre luksoze buzë oqeanit

Policia tha se të vdekurit janë 34-vjeçari Pajtim Krasniqi dhe bashkëshortja e tij, 27-vjeçarja Sabrina Krasniqi

Nga Beqir Sina

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku burrë e grua nga Kosova u gjetën të vrarë me armë zjarri në apartamentin e tyre, në Hallandale Beach – Florida.

Rrethanat dhe shkaqet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, kështu të paktën shkruajnë mediat e amerikane duke referuar ngjarjes në Florida.

Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku Pajtim Krasniqi (sipas shtypit kosovar nga Peja) është gjetur i vdekur bashkë me bashkëshorten e tij brenda banesës së tyre.

Lidhur me këtë tragjedi, ka reaguar edhe vetë motra e Pajtimit, Albana Krasniqi –  Munrett,  përmes një postimi në Facebook, të shkruar në gjuhën angleze.

“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori jetën atij.

“Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllëzërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë …”, ka shkruar mes tjerash Albana .

Më tej ajo citohet nga revista “People”:  “Ditën e Falenderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen fatale dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”.

Sipas shtypit në qytetin ku ka ndodhur ngjarja thuhet se ky rast tragjik ndodhi në mesnatë, në katin e 45-të të apartamentit, ku qëndronte çifti i shqiptarëve të Kosovës. Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme, të cilat lanë të vdekur burrë e grua.