Parku Kombëtar, Alpet e Shqipërisë edhe sivjet është ndër destinacionet e preferuara të pasionuarve pas turizmit malor. Alpet shqiptare janë një perlë me bukuri natyrore përrallore. Natyra e virgjër – me relieve malore plot gryka e qafa, me burime të ujit të kristaltë, me rrjedha gjarpërore të lumenjve malorë, me bimësi shumë të pasur – i yshtin dashamirët e shumtë të natyrës.
Turistët vendas e të huaj shijojnë bukurinë, qetësinë, ujin dhe ajrin e pastër të lumit të Gashit, Luginës së Valbonës dhe majave e bjeshkëve të Thethit, Vermoshit dhe Bogës. Duan të shijojnë edhe ushqimet tradicionale të zonës.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, ka treguar se, në 6 muaj e parë të këtij viti, numri i turistëve të huaj ka qenë më i madh se numri i turistëve të vendit.
“Gjatë këtij viti ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe. Nga 1 janari e deri më 30 qershor parku është vizituar nga 17.415 vizitorë, nga të cilët 7.670 ishin vendas dhe 9.845 ishin të huaj”, ka thënë ai për ATSH.
Alpet shqiptare shtrihen deri në rrjedhën e lumit Drin në veri dhe deri në rrjedhjen e poshtme të lumit Valbonë, në perëndim. Alpet shtrihen në pjesën veriore të Shqipërisë.
Gjatë dimriit, zona e Alpeve shqiptare është shumë e izoluar, për shkak të mungesës së rrugëve. Ekspertët e turizmit malor dhe dashamirët e natyrës e konsiderojnë të nevojshme të investohet në infrastrukturën rrugore dhe në kapacitetet hoteliere, në mënyrë që Alpet të bëhen destinacion më i lehtë edhe për turizmin dimëror.
Por, ata theksojnë nevojën për përcaktimin e kritereve më të rrepta të ndërtimit, për të mbrojtur nga dëmtimet bukuritë e natyrës.
(r.m.)