Një film i mrekullueshëm, një mbrëmje mbresëlënëse – komuniteti shqiptar në Philadelphia me shumë interesim e ngrohtësi e priti shfaqjen e filmit dokumentar, “Fluturat”
Nga dr. Sadik Elshani
Fotot: Eva Dori, gazetare
Ka kohë që Shoqata Mbarëkombëtare “Bijtë e shqipes” e kishte paralajmërura shfaqjen e filmit dokumentar, “Butterflies”/”Fluturat”, të regjisorit të njohur shqiptar, Bujar Alimini. Dhe ja, “Fluturat” fluturuan te “Bijtë e shqipes, erdhi dita e shfaqjes, e shtunë, 21 tetor. Salla e zbukuruar si është më mirë për këtë veprimtari ishte mbushur plot me bashkatdhetarë, që me shumë interesim e prisnin shfaqjen e këtij filmi. Për këtë film është folur e shkruar shumë në mediat e shkruara dhe ato elektronike, por ndryshe është përjetimi kur e shijon filmin e shfaqur në ekran e në prani të një numri të madh të bashkatdhetarëve, shumica e të cilëve vet i kanë përjetuar ato ngjarje të periudhës komuniste që trajtohen në këtë dokumentar.
Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Matraku i cili fillimisht i përshëndeti mysafirët, duke i falenderuar ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari dhe që bënë të mundur shfaqjen e këtij filmi. Z. Matraku bëri edhe një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë kinematografike të skenaristit e regjisorit të njohur shqiptar, Bujar Alimani. Regjisori Alimani sot është njëri ndër emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare, i njohur si skenarist e regjisor i disa fimave dokumentarë e artistikë: “Virgjëresha shqiptare – burrnesha”, “Delegacioni”, “Krom”, “Amnistia”, “Një histori dashurie”, “Busulla”, etj. Filmat e regjisorit Alimnani janë shfaqur edhe në shumë festivale prestigjioze ndërkombëtare: Berlin Varshavë, Krlovy Vary, duke korrur suksese të mëdha e duke u shpërlyer edhe me shumë çmime për vlerat e tyre të larta artistike.
Edhe z. Alimani në fjalën e tij shprehu falenderimin për pritjen e ngrohtë, organizimin e mirë dhe pjesëmarrjen e madhe të publikut. Për të tjerat tha se do të fliste në fund, pasi të mbaronte shfaqja e filmit. Të pranishëm ishin edhe producentja e filmit, zonja Tefta Bejko, njëra nga “fluturat”, zonja Tefta Kaloshi, z. Damian Previzi, i lindur në internim, por edhe pjesëtar i ekipit të këtij filmi. I pranishëm ishte edhe skenaristi e producenti amerikan, z. Barry Meinster me bashkëshorten e tij, zonjën Amy.
Filmi paraqet historinë e 21 grave, “fluturave”, të cilat një herë në disa vite takohen në Nju Jork (më në fund edhe në Shqipëri), duke i kujtuar ato ditë të vështira të jetës së tyrë dhe familjeve të tyre, duke e ruajtur miqësinë e tytre të kahershme të farkuar në rrethana të jashtëzakonshme, nostalginë për fëmijërinë pa fëmijëri, rininë pa rini, të lëna në kampin e internimit në Gradishtë të Lushnjës dhe kampet e tjera që nuk ishin të pakëta në Shqipërinë e periudhës komuniste. Wshtë një rrëfim për plagët e tyra shpirtërore, vuajtjet, fyerjet: “fëmijë të armiqëve të popullit”, poshtërimeve më të ulëta, dehumanizimin e tyre, mohimin e shkollimit të lartë. Por, edhe qëndresën, dinjitetin, vendosmërinë për të mos u thyer shpirtërisht, për të mos u dorëzuar para së keqes. Vuajtjet e tyra janë të shumta, duke punuar në bujqësi në ditët me vapë e në ditët me shi, duke jetuar në kasolle të ngushta në kushte të mjerueshme higjienike e varfëri të tejskajshme. Edhe pse kanë vuajtur shumë, ato edhe sot e kujtojnë atë kohë me nostalgji, jo për atë kohë të zymtë të historisë sonë, por për miqësinë, sinqeritetin e tyre, përkrahjen e njëra – tjetres. Edhe në ato kushte tejet të vështira, ku janë trajtuar në mënyrat më çnjerëzore, ato janë munduar t’i japin kuptim jetës së tyre. Filmi ben fjalë jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tanishmen, të ardhmen. Këto zonja edhe pse kanë vuajtur shumë, ato nuk ua kanë lejuar vetes që e kaluara e tyre e hidhur, urrejtja t’ua kaplojë jetën e tyre, t’ua errësojë mendjen, arsyen. Ato janë të përqëndruara në të tanishmen për të ndërtuar jetën e tyre kudo që jetojnë tani: Shqipëri, Amerikë, Kanada, Francë, etj. Ato janë të përqëndruara që fëmijve të tyre t’u sigurojnë një të ardhme të ndritur, duke studiuar në universitete te njohura botërore, duke punuar në profesione të rëndësishme. Ky film është një rrëfim i ngadhnjimit të së mirës mbi të keqen, i lirisë mbi diktaturën, i dashurisë mbi urrejtjen. Filmi është realizuar bukur me një mjeshtëri artistike, rrëfimi i drejpërdrejtë i atyre që kishin përjetuar ato tmerre të ferrit komunist, herëpashere ilustruar bukur me foto e regjistrime filmike të kohës, sikur e bënin, më intim, më të afërt me shikuesin. Me rrëfimet e frekëta të ngulitura në kujtesën e tyre, me përshkrimet e gjalla të atyre kohëve, të atyre përjetimeve të tmerrshmëe sikur “fluturat” po e bartnin shikuesin në krahët e tyrë nëpër ato kohëra, nëpër ato ngjarje. Shpresa për një ditë më të mirë, dashuria ndaj familjes dhe lidhjet miqësore, mbështeja e njëra – tjetrës e mbajtën gjallë shpirtin e tyre të molisur. Filmin e përshkon një porosi sublime se, në jetë gjithmonë ka shpresë, ka dritë edhe në fund të tunelit më të gjatë e më të errët.
Në fund të shfaqjes së filmit bashkatdhetarët duartrokiten për një kohë të gjatë, duke e falenderuar regjisorin dhe tërë ekipin që e realizuan këtë dokumentar mbresëlënës. Pastaj u zhvillua një bashkëbisedim me regjisorin dhe mysafirët tjerë që merrnin pjesë në këtë veprimtari. Regjisori Alimani i njoftoi të pranishmit për procesin e realizimt të këtij dokumentari, sfidat e shumta me të cilat ishin ballafaquar gjatë gjirimit. Ai theksoi se kjo është historia joinë dhe ajo duhet bërë e ditur, duhet gjykuar, sepse ata që nuk e njohin historinë janë të destinuar që ta përsërisin atë, madje edhe në format më të ashpra, më të vrazhdta. Ndërsa për titullin e filmit z. Alimani u shpreh se, flutura është një insekt, element që nuk ka lidhje me tokën, por me ajrin, me qiellin, rrjedhimisht me fluturimin e lirisë. Z Alimani falenderoi edhe për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin shumë të mirë të kësaj mbrëmjeje e përjetimi të paharrueshëm. Duhet cekur këtu se disa çaste para shfaqjes së filmit, z.Alimani së bashku me bashkëshorten, zonjën Tefta dhe vajzën, zonjushën Sabrina, vizituan mjediset e shoqatës dhe godinën e re në renovimin e sipër. ku u njoftua për mbarëvajtjen e shoqatës, shkollës shqipe dhe veprimtaritë e shumta që organizon shoqata jonë. Ata mbetën të mahnitur me punën dhe përkushtimin e shoqatës sonë për ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditive tona kombëtare. Nxënësit e shkollës sonë mysafirëve u dhuruan buqeta me lule dhe librin, “15 vjet “Bijtë e Shqipes””, botuar me rastin e 15 vjetorit të themelimit të shoqatës.
Sipas traditës së shoqatës sonë, për të pranishmit u shtrua një koktel me pije e ushqime të ndryshme. Edhe gjatë koktelit bashkatdhetarët bisedonin me regjisorin dhe pjesëtarët tjerë të ekipit të këtij filmi dhe shprehnin mirënjohjen e falenderimin e tyre për këtë mbrëmje mbresëlënëse, përjetim të këndshëm. Këto biseda zgjatën me orë të tëra dhe u bënë shume fotografi për t’i përjetësuar këto çaste të këndshme. Pjesëmarrja e një numri të madh të bashkatdhetarëve dhe entuziazmi i kësaj veprimtarie është një tregues i mirë se komuniteti ynë dhe publiku shqiptar në përgjithësi është i etur për realizime të bukura artistike të kineastëve tanë, Në fund, një falenderim i madh për regjisorin Alimani dhe ekipin e tij, organizatorët e kësaj ngjarje mbresëlënëse për çastet e këndshme që na dhuruan!
Philadelphia, më 22 tetor 2023
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe ish-kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bijtë e Shqipes”.