Si ka evoluar nderimi i pavarësisë shqiptare në New York – një kujtim nga 60 vjet më parë
Nga Ruben Avxhiu
Ka ardhur një kohë për ne shqiptarët e New York-ut, të Amerikës, apo kudo që jetojmë, që dalja e Kryetarit të Bashkisë së New York-ut për të ngritur me duart e tij flamurin tonë kombëtar, me rastin e 28 Nëntorit, është një ngjarje që mezi hyn në lajmet e ditës.
Nuk është shpërfillje për këtë episod nga festimet e shumta në atdhe dhe në komunitetet jashtë vendit. Është humbja e natyrshme e risisë.
Për ata që nuk e ndoqën, kryebashkiaku i Qytetit të New York-ut, Eric Adams, jo vetëm që mori pjesë personalisht në festën e përvitshme të shqiptarëve, por mbajti një fjalë të bukur me këtë rast, ngriti në qiell komunitetin tonë me lavdërime, ngriti në qiell flamurin shqiptar me duart e tij, dhe mbajti mbi kokë qeleshen me zhgabën dykrenare. Madje e bëri edhe me duar simbolin e shqiponjës që tashmë e ka perfeksionuar.
Nuk erdhi vetëm. Mori me vete një pjesë të madhe të “qeverisë së kryeqytetit të botës”: Komisionerin e Punëve të Emigrantëve, Komisionerin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Komisionerin e Punëve Kulturore, e të tjerë. Iu bashkuan në këtë ceremoni, persona “jo me aq rëndësi”, si Presidenti i Mahattan-it, Presidenti i Staten Island.
Disa dekada më parë, shqiptarët filluan të vijnë në New York, pak e nga pak, me ca valixhe të thjeshta në mos torba, pa para në xhep, pa ditur se çfarë i pret. Me ndonjë emër e adresë të njohuri të largët. Përpara u është hapur një mal pallatesh që çponin qiellin. Ishin të huaj e të panjohur, themelues të një komuniteti të ri në një Qytet me mbi 200 komunitete etnike, fetare, racore, etj.
Se sa ka ndryshuar prezenca (nuk po them “prania” se kjo shkronja “z” po ma mbush gojën në këtë moment) e shqiptarëve në këtë qytet e tregoi pikërisht kjo ceremoni që po përshkruaj, ku mezi u mblodhën disa dhjetëra bashkëkombas, ku mbase kishte më shumë të ftuar se ftues. Çfarë dallimi me ndonjë ngjarje jo edhe shumë të largët kur përpara qindra vetësh lexohej me pasion letra e ndonjë pushtetari lokal e dërguar nga ndonjë sekretar i bezdisur që mezi priste të kthehej në shtëpi.
Shqiptarëve nuk ua ka falur njeri këtë vëmendje dhe vlerësim. E kanë fituar me punën e tyre, me mund dhe me djersë, me jetë njerëzish. Kanë kontribuar jashtëzakonisht në këtë Qytet. Në të gjitha sektorët. Kanë lindur e vdekur me mijëra në të. Janë pjesë e pandashme e historisë së tij, e proceseve të tij politike, kulturore e sociale.
Thuhet se puna e kryebashkiakut të New York-ut është e dyta për nga vështirësia në botë. E para është ajo e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Kryebashkiaku Adams e la për një mëngjes punën e tij të vështirë për t’u bërë pjesë me qeleshe në kokë të gëzimit të këtij komuniteti që për nga numri është gati i papërfillshëm në këtë masë shumëmilionëshe njujorkeze por që nga ndikimi e kontributi është ndër më të dëgjuarit.
Kanë meritë shqiptarët në këtë rast, se që nga fillimi identifikuan Adamsin si fitues të zgjedhjeve të ardhshme bashkiake, ndonëse shumica e Partisë Demokrate të Qytetit nuk e kishin as në mes 3-4 të preferuarve. Madje takimin e parë fondmbledhës të fushatës së tij të suksesshme Adams e bëri me një grup shqiptarësh në Brooklyn, ku mori pjesë edhe botuesi i gazetës “Illyria”.
Shqiptarët kishin miq personalë edhe të paktën 3-4 kandidatë të tjerë nga rreth 20 që po kandidonin.
Një meritë për këtë ceremoni ka edhe organizatori i saj Mark Gjonaj, ish anëtari i parë shqiptar në histori i Këshillit Bashkiak të New York-ut.
Por unë do të doja në këtë moment të udhëtimit të gjatë e të suksesshëm të komunitetit shqiptar në New York, të kujtoja disa nga paraardhësit dhe veteranët e komunitetit tonë që kanë shtruar rrugën ku po ecim sot.
Falë ndihmës së një prej zotërinjve më të nderuar e fisnikë të komunitetit tonë, Tonin Mirakaj, kemi në duar sot nderimin e parë të 28 Nëntorit nga një kryetar Bashkie në New York, të bërë pikërisht 60 vjet më parë.
Shumë nga aktivistët e sotëm nuk kishin lindur ende dhe vetë kryebashkiaku Adams ishte vetëm 3 vjeç.
Në 28 Nëntor 1963, kryetari i Bashkisë së New York-ut, i famshmi Robert F Wagner e shpalli atë datë: “Ditë të Pavarësisë Shqiptare”.
Shpallja ishte si përgjigje të kërkesës dhe lobimit nga Komiteti Shqipëria e Lirë e cila si thotë proklamata: “në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare-Amerikane të Qytetit të New York-ut feston 51-vjetorin e Pavarësisë Shqiptare”.
Falenderojmë zotin Mirakaj që na e ka ruajtur përmbajtjen e proklamatës dhe një fotografi nga momenti i dorëzimit të saj.
Për të marrë në duar Shpalljen, u ftua në Bashkinë e Qytetit një delegacion i komunitetit shqiptar. Kjo ishte një ngjarje e madhe. Sot kur kemi vite që përmbytim sallën e madhe të sesioneve të Këshillit Bashkiak të Qytetit me flamuj, kostume popullore, me këngë e me valle, me fjalime, brohorima, zhurmë e rrëmujë, kjo mund të duket pak gjë, por ishte si ato gurët e themelit për çfarë erdhi më pas.
Shqiptarët që u paraqitën dhe pjesëmarrësit e takimit janë në këtë fotografinë shoqëruese bardhezi: Nga e majta, Dr. Fuat Myftia, Zonjusha Lina Mirakaj, Zv-Kryetari i Bashkisë, Z. Edward F Cavanagh Jr., Z. Tonin Mirakaj, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, dhe Z. Mexhit Dibra, Sekretar i Komitetit. (Kryebashkiaku Wagner mungonte atë ditë, i thirrur nga Presidenti Lindon B Johnson).
Ngjarja është pasqyruar në gazetën “Shqiptari i Lirë” #11, e datës 30 nëntor 1963.
Respekt për këta njerëz që këmbëngulën dhe morën nderim për Shqipërinë në një kohë kur komuniteti ishte një grusht njerëzish, të shpërndarë e në luftë për mbijetesë, kur ende po viheshin themelet e një pune të madhe.
Respekt për ata që vazhdojnë punë e tyre sot, për të prezantuar këtë komunitet, e kulturën, traditat, historinë dhe festat shqiptare. Vitin tjetër në Shtëpinë e Bardhë!