FMN i kërkon Kosovës kujdes lidhur me shpenzimet

Prishtinë, 10 qershor 2013 – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë më shumë kujdes në mënyrën e shpenzimit të buxhetit, në investimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup dhe në pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Këto qëndrime i ka shprehur shefi i delegacionit të FMN-së, Johanes Wiegand, në përfundim të vizitës në vendin tonë.

Duke folur për investimet në autostradën Prishtinë – Han i Elezit, Vigand ka përsëritur kushtet e specifikuara në marrëveshjet e kaluara.

“Kushtet për të cilat jemi pajtuar janë të specifikuara në dokumentet e kaluara, dhe këto janë: e para, të bëhet një vlerësim i levërdisë që duhet të bëhet nga Banka Botërore (BB); e dyta, që Kosova të ketë një bilanc pozitiv bankar, para se të përfshihet në projektin e  rrugës 6. Posa të mbërrihet ky nivel, mendoj se krijohen parakushtet për të zbatuar projektin për rrugën 6, natyrisht në mënyrë të kujdesshme, në mënyrë që të mos i rëndojë kapacitetet fiskale të vendit”, ka thënë Wiegand.

Ndërkaq, duke folur për kompensimin e veteranëve të luftës, ai ka thënë se për të gjitha benificionet e propozuara duhet të përcaktohet kostoja.

Johanes Wiegand ka njoftuar se misioni i FMN-së ka bërë rishikimin e katërt të marrëveshjes “Stand Bye” me Qeverinë e Kosovës, duke shpjeguar se qeveria i ka përmbushur kushtet e marrëveshjes.

“Hapat kryesorë për të cilët është arritur marrëveshje janë tiparet fiskale për vitin 2013-të dhe parametrat kryesorë të buxhetit të vitit 2014-të, i cili do të miratohet nga Kuvendi, nga fundi i këtij muaji. Gjithashtu ka pasur progres të mirë në reformat e sistemit financiar”, ka thënë Wiegand.

Zyrtari i FMN-së Johanes Vigand ka thënë se Kosova e ka përballuar krizën që i kishte përfshirë vendet e Eurozonës më lehtë se vendet tjera të rajonit, për shkak të lidhjeve të pakta me vendet e krizës dhe për shkak të remitencave që i merr nga diaspora. Ai ka theksuar se ndërtimi i një ekonomie konkurruese, që garanton zhvillim është një sfidë për Kosovën dhe se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë ambient më të përshtatshëm për biznes.

Ministri i financave, Besim Beqaj, ka thënë  se gjatë takimit me zyrtarë të FMN-së është folur edhe rreth performansës ekonomike dhe fiskale të Kosovës, me ç’rast është vlerësuar se Kosova po ecën mirë në këto dy fusha.

Ndërkaq, Guvernatori Bedri Hamza ka thënë se Kosova vazhdon të ketë sektor financiar të qëndrueshëm dhe likuid.

R.M.