Tiranë, 21 nëntor 2024 – FMN i kërkon qeverisë të vijojë me strukturimin e regjimit tatimor për profesionet e lira dhe të heqjes së taksës zero për bizneset e vogla.
Në konferencën e përbashkët për shtyp mes misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, shefja e misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, teksa vlerësoi arritjet për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, kërkoi të vijohet me heqjen e tatimit zero për profesionet e lira dhe bizneseve të vogla.
“Ekziston nevoja për të ruajtur përfitimet e arritura me mund, të qëndrueshmërisë fiskale. Një suficit i lehtë primar do ta vendosë borxhin publik në kahun rënës.
Përpjekjet për administrimin e të ardhurave që janë të parashikuara në strategjinë afatmesme që do të miratohet së shpejti, duhet të mbështetet nga përmirësimi i sistemeve informatike.
Përpjekjet duhet të nisin për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar dhe të heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla. Puna përgatitore për ligjin e ri për tatimin mbi pronat duhet të përshpejtohet dhe të përfundohet në kohën e duhur.”
Ndër të tjera znj. Weber vlerësoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një performancë të fortë dhe se PBB-ja ka tejkaluar prirjet reale falë sektorit të turizmit.
“Ne parashikojmë rritje reale të ekonomisë me 3,6% ndër më të lartat në Europë”, tha ajo.
Analiza e FMN sugjeron se koniunktura aktuale e ekonomisë është e favorshme dhe është koha e duhur për të ndërmarrë reforma vendimtare, për të siguruar rritje të qëndrueshme.
“Pavarësisht progresit ekonomia shqiptare vijon të mbetet përballë disa sfidave. Axhenda e reformave do të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë tregjeve të BE-së”.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Petrit Malaj, tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të lartë ndaj 3 goditjeve të mëparshme, ajo e pandemisë së Covid-19, ngjarjes së tërmetit të 2019-s dhe luhatjeve të tregjeve të huaja, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ai vlerësoi se kapërcimi i këtyre sprovave përbëjnë sinjal pozitiv për ecurinë afatmesme të ekonomisë.
Me tej ai tha se rritja ekonomike në 6- mujorin e parë të 2024-s është 3,9 % në terma vjetore.
Duke u ndalur me radhë te treguesit ekonomik, ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Malaj tha se të gjithë këta tregues tregojnë transformimin pozitiv të ekonomisë dhe krijimin e modelit të qëndrueshëm.
“Sektori i turizmit ka vijuar të jetë një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sinjalet e para për 3 mujorin e tretë janë premtuese. Bazuar në këto zhvillime kemi rishikuar me rritje parashikimet për rritjen ekonomike.
Inflacioni ka arritur një trajektore rënëse. Nivelet e inflacionit kanë qenë më të ulëta sesa mesatarja e Bashkimit Europian.
Flukset në rritjet nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja kanë ndikuar në forcimin e lekut.
Gjatë gjysmës së parë të 2024 kemi parë zhvillime pozitive në këto komponentë, në rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit me 25,4% dhe të remitancave prej 15%. Këto kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit”.
Malaj u ndal edhe në disa aspekte të projektbuxhetit 2025. Sipas tij projektbuxheti materializon 4 pika kryesore, rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3,9% në 4 vitet e ardhshme, investime, mbrojtje sociale ku kemi alokuar 100 mln euro më shumë se vitin e kaluar. Ulja e borxhit publik në 55.8%.
Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko vlerësoi se ekonomia ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi.
“Punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje të shpejtë në 6 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni në rënie ka qëndruar në nivelet 2%. Borxhi publik janë në rënie, duke qëndruara në nivelet më të ulëta në dekadën e fundit. Sektori bankar shfaqet i shëndetshëm.
Sejko tha se projeksionet e ekonomisë për të ardhmen mbeten pozitive.
“Rritja ekonomike do të variojë në nivelin 3,5% deri në 4% në vitin aktual. Inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe në kontroll, duke qëndruar afër objektivit tonë prej 3%”, tha ai.