FMN kundërshton tërheqjen e mjeteve nga Trusti dhe pezullimin e tarifave të rrymës

Uashington, 27 maj 2022 – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë të enjten se kundërshton tërheqjen e fondeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale në Kosovë, me arsyetimin se një vendim i tillë do të përbënte goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit pensional dhe do të reduktonte vlerën reale të pensioneve të ardhshme.

Kjo deklaratë e FMN-së ka ardhur në të njëjtën ditë kur dhjetëra qytetarë në Prishtinë kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, me kërkesat që deputetët të miratojnë ndryshimet ligjore, për të mundësuar tërheqjen e deri në 30 për qind të fondeve.

Një kërkesë e tillë është iniciuar fillimisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është mbështetur nga partitë tjera opozitare.

Arsyetimi i tyre ka qenë që t’iu ndihmohet qytetarëve të përballojnë rritjen e çmimeve të konsumit.

Mirëpo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, refuzon diçka të tillë, me arsyetimin se kjo nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.

FMN kundërshton edhe pezullimin të tarifave për rrymën

Në deklaratën e FMN-së, të lëshuar pas vizitës së disa zyrtarëve të kësaj organizate në Kosovë, është thënë edhe se rritja e tarifave të energjisë elektrike, përbën lëvizje të duhur të politikave dhe se anulimi i këtij vendimi do të krijonte barrë serioze për buxhetin.

Më 9 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e rrymës.

Me gjithë urdhrin e Gjykatës Themelore, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj dhe, rrjedhimisht, duhet të paguajnë më shtrenjtë.

Më 18 maj, edhe Gjykata e Apelit në Kosovë ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themeore për pezullim të çmimeve.

Sipas FMN-së, lufta e Rusisë në Ukrainë ka tronditur gjithë botën dhe efekti do të vërehet edhe në Kosovë.

Për pasojë, inflacioni për vitin 2022 mund të arrijë në më shumë se 10 për qind.

(REL)