Fondet publike për fushatën elektorale, PS e PD marrin shumicën e parave

Tiranë, 21 mars 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për fondet që do të marrin partitë politike për fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Në total janë 131 milionë Lekë të rinj ose 1.3 milionë Euro që janë ndarë mes 11 partive politike

Sipas vendimit të komisionerit, Ilirjan Celibashi, nga 131 milionë Lekë në total që u shpërndahen partive për fushatën elektorale, 65.291.390 Lekë do të shkojnë për PS, parti e cila ka marrë dhe numrin më të madh të votave në 2021, e ndjekur nga PD e cila do të marrë 44.818.545 lekë.

Gjithashtu, 9.1 milionë Lekë do të shkojnë për Partinë e Lirisë e cila drejtohet nga Ilir Meta, ndërsa Partia Socialdemokrate të Dom Doshit janë vënë në dispozicion 3 milionë Lekë.

Fonde do të marrin dhe subjekte politike aleatë të Partisë Demokratike, të cilat si në 2021 dhe në këto zgjedhje janë strehuar në koalicion e drejtuar nga Sali Berisha. Partia Republikane (PR) përfiton 2.689.112,70 Lekë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) përfiton 1.792.735 Lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) përfiton 896.370,90 Lekë, Partia Agrare Ambientaliste (PAA) përfiton 896.370,90 Lekë, ndërsa Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) do të marrë 896.370,90 Lekë.

Edhe LZHK e Dashamir Shehit, që tashmë është në një koalicion tjetër do të përfitojë 896.370,90 Lekë, ndërkohë fonde merr dhe Nisma Thurje që ka garuar e vetme në 2021 e cila do të shpërblehet me 868.445 Lekë.

Partitë politikë që kanë garuar në koalicion me Partinë Demokratike përfitojnë fonde, për shkak se kandidatët që vijnë nga radhët e tyre kanë ruajtur identitetin partiak në listat shumëemërore, dhe çdo votë e tyre përllogaritet si votë për partinë.

Për shkak të ligjit, jo të gjitha partitë garuese për zgjedhjet e 11 majit do të marrin financim nga shtetit për fushatën, pasi përfituese janë ato subjekte që kanë garuar në zgjedhjet pararendëse dhe kanë arritur që të fitojnë vota, por të kenë arritur 1% të votave në rang vendi.

Sipas Kodit Zgjedhor “përllogaritja e shumës që i takon secilës parti përftohet duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj”.

Ndaj jo çdo parti që ka garuar në zgjedhjet e 2021 ka përfituar fonde, nga 53 të tilla vetëm 11 kanë arritur që të plotësojnë kriteret ligjore. Pa fonde mbesin dhe disa prej forcave politike që garojnë në zgjedhjet e 11 majit, pasi një pjesë e tyre janë rishtaz në këto zgjedhje dhe të tjerat nuk kanë arritur 1% të votave në garën e 2021.

(Reporter)

Comment

*