Gaza, 9 tetor 2023 – Ushtria izraelite u vu në kërkim të luftëtarëve të Hamasit dhe mbylli me tanke fortifikatën kufitare, ndërsa goditi Rripin e Gazës nga ajri dhe grumbulloi trupat për një fushatë që kryeministri izraelit tha se do të shkatërronte “aftësitë ushtarake dhe qeverisëse” të grupit militant.
Më shumë se dy ditë pasi Hamasi nisi sulmin e tij të pashembullt nga Gaza, ushtria tha se luftimet kanë rënë tash për tash. Sulmi e zuri aparatin ushtarak dhe të zbulimit në befasi, duke shkaktuar beteja të rënda në rrugët e qyteteve të Izraelit për herë të parë në dekada.
Izraeli zyrtarisht shpalli gjendjen e luftës të dielën, duke paralajmëruar luftime më të mëdha dhe një sulm të mundshëm tokësor në Gaza, një veprim që në të kaluarën ka shkaktuar shumë viktima.
Civilët tashmë po paguajnë një çmim të lartë. Rreth 700 veta janë vrarë në Izrael, ndërsa rreth 500 janë vrarë në Gaza, një enklavë e vogël, e varfër me 2.3 milionë palestinezë në kufi me Izraelin dhe Egjiptin. Grupet militante palestineze pretendojnë se po mbajnë mbi 130 robër.
Zëdhënësi kryesor ushtarak, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se Izraeli ka vënë nën “kontroll” komunitetet e tij kufitare. Ai tha se kishte pasur disa incidente të izoluara herët të hënën, por nuk pati luftime. Megjithatë ai paralajmëroi se mund të kishte ende militantë në zonë dhe se forcat po kryejnë kërkime.
Tanket dhe dronët izraelitë, ndërkohë po ruajnë çarjet në kufirin e fortifikuar për të parandaluar më shumë infiltrime, tha zëdhënësi Hagari, duke shtuar se 15 nga 24 komunitetet kufitare janë evakuuar, ndërsa pjesa tjetër pritet të evakuohet gjatë 24 orëve të ardhshme.
Më herët, zëdhënësi i Hamasit Abdel-Latif al-Qanoua i tha agjencisë së lajmeve Associated Press përmes telefonit se luftëtarët e grupit vazhduan të luftojnë jashtë Gazës dhe kishin kapur më shumë izraelitë edhe të hënën në mëngjes.
Ai tha se grupi synon të lirojë të gjithë të burgosurit palestinezë të mbajtur nga Izraeli, i cili në të kaluarën ka rënë dakord për marrëveshje të dhimbshme, të paqarta shkëmbimi, në të cilat liroi një numër të madh të burgosurish për robër individualë apo edhe për eshtrat e ushtarëve.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se goditi më shumë se 1000 objektiva në Gaza, duke përfshirë sulmet ajrore që rrafshuan pjesën më të madhe të qytetit të Beit Hanoun në cepin verilindor të enklavës. Zëdhënësi Hagari tha se Hamasi po e përdorte qytetin si një terren për sulme. Nuk kishte asnjë njoftim të menjëhershme për viktima, dhe shumica e popullsisë së komunitetit prej dhjetëra mijëra vetësh ka të ngjarë të ketë ikur paraprakisht.
Ai gjithashtu dha njoftimet e para zyrtare për numrin e të vdekurve, duke thënë se janë vrarë rreth 700 izraelit.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se janë thirrur rreth 100,000 rezervistë dhe se Izraeli synon t’i jap fund sundimit të Hamasit në Gaza.
“Detyra jonë është të sigurohemi që Hamasi nuk do të ketë më asnjë aftësi ushtarake për të kërcënuar Izraelin”, tha zëdhënësi Jonathan Conricus në një video të postuar në rrjetin X i njohur deri vonë si Twitter nga ushtria izraelite. “Dhe përveç kësaj, ne do të sigurohemi që Hamasi të mos jetë më në gjendje të qeverisë Rripin e Gazës”, thuhet në njoftim.
Hamasi është i rrënjosur thellë në Gaza dhe ka sunduar territorin që nga dëbimi i forcave besnike ndaj Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2007. Sundimi i tij ka kaluar i pa sfiduar përmes një bllokade 16-vjeçare izraelite dhe egjiptiane dhe katër luftëra të mëparshme me Izraelin.
Pasi kaluan pengesat izraelite me mjete shpërthyese në agimin e së shtunës, persona të armatosur të Hamasit u hodhën në sulm për orë të tëra, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer njerëz në qytete, përgjatë autostradave dhe në një festival muzikor të ndjekur nga mijëra në shkretëtirë. Militantët palestinezë kanë hedhur gjithashtu rreth 4,400 raketa në Izrael, sipas ushtrisë.
Ushtria izraelite vlerësoi se 1000 luftëtarë të Hamasit morën pjesë në ndërhyrjen fillestare të së shtunës. Numri i lartë vuri në dukje shtrirjen e planifikimit nga grupi militant, i cili ka thënë se e nisi sulmin në përgjigje të vuajtjeve në rritje të palestinezëve nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor, bllokadës së Gazës, politikave diskriminuese në Jerusalemin lindor të aneksuar dhe tensioneve rreth një vendi të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë në Jerusalem.
Palestinezët duan një shtet të tyre të tri territoret të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por bisedimet e fundit serioze të paqes u ndërprenë më shumë se një dekadë më parë dhe qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit është kundër shtetësisë palestineze.
(Zëri i Amerikës)