Moskë, 14 qershor 2022 – Ushtria ruse njoftoi të enjten (14 prill) se ka marrë kontrollin e plotë të portit të shkatërruar kryesisht të Mariupolit, duke e “çliruar” atë nga Batalioni Azov, një grup paraushtarak ekstremist i krahut të djathtë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov, tha se trupat e mbetura ukrainase në qytet ishin “bllokuar dhe nuk ishin në gjendje t’i shpëtonin rrethimit”.
Megjithatë, asnjë burim zyrtar ukrainas nuk i ka konfirmuar pretendimet.
Qyteti i Mariupolit ka qenë nën rrethim për javë të tëra, me banorët e mbetur të detyruar të qëndrojnë pa ujë, ushqim apo energji.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha se trupat ruse “ndoshta” do të kapnin qytetin javën e ardhshme.
Mariupoli ka një rëndësi strategjike për Moskën pasi Rusia kërkon të krijojë një urë tokësore midis rajonit të Donbasit dhe gadishullit të pushtuar të Krimesë.
Forcat ruse po përqendrojnë sulmet e tyre në lindje dhe në jug të Ukrainës, kurse analistët parashikojnë një ofensivë të re të madhe në rajon në të ardhmen e afërt.
Ndërkaq, në Ukrainën veriore po bëhen përpjekje për të pastruar sasi të mëdha minash e municionesh të pashpërthyera, të mbetura nga trupat ruse që janë tërhequr.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhjetëra mijëra predha dhe mina të pashpërthyera kanë mbetur në rajon.
“Qytetet e Kramatorsk dhe Kostiantynivka ka të ngjarë të jenë objektiva ruse për nivele të ngjashme dhune”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas gati çdo ditë tentojnë të hapin rrugë për evakuimin e civilëve nga Mariupoli.
Në këtë qytet kanë mbetur të bllokuar mijëra civilë, teksa bombardimet dhe luftimet e ashpra po vazhdojnë.
Shumica e tentimeve për evakuim, megjithatë kanë dështuar, dhe Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se qendrat urbane në Ukrainë po përballen me sulme të vazdhueshme nga Rusia.
Sipas analistëve britanikë, kombinimi i sulmeve me raketa dhe me artileri me përpjekjet për të përqendruar forcat në një ofensivë përbën kthim në doktrinën tradicionale ushtarake ruse.
(Sipas REL)