Kiev, 6 tetor 2022 – Forcat ukrainase po vazhdojnë avancimin në jug dhe lindje, duke rimarrë territorin e pushtuar nga Moska, edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, tha se pret “stabilizim” të situatës në katër rajonet e aneksuara nga Rusia.
Urdhri i Putinit që shteti rus të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor të Zaporizhjës, bëri që kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, të nisej në Kiev për konsultime me autoritetet ukrainase.
Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të vonë, më 5 tetor, se vendbanimet Novovoskresenske, Novohorihorivka dhe Petropavlivka, në verilindje të qytetit të Hersonit, janë “çliruar”.
Hersoni është kryeqyteti i një prej katër rajoneve pjesërisht të pushtuara nga Rusia, që u aneksuan bashkë me Luhanskun, Donjeckun dhe Zaporizhjën.
Oleksandr Starukh, guvernatori ukrainas i Zaporizhjës, tha më 6 tetor se granatimet nga forcat ruse vranë të paktën dy persona gjatë natës, dëmtuan ose shkatërruan disa ndërtesa banimi, dhe shkaktuan përhapje të zjarreve.
Në rajonin lindor të Luhanskut, i cili ka qenë pothuajse plotësisht nën kontrollin rus që nga fillimi i luftës, Ukraina gjithashtu pretendoi fitore mbi forcat ruse.
Ukraina thotë se ka shënuar sukses edhe në Harkiv dhe Donjeck përgjatë fundjavës, duke fituar kontrollin e qytetit të Limanit.
Kjo qytezë është pjesë e Donjeckut, mirëpo konsiderohet si portë hyrëse në Luhansk, rajon që kontrollohet pothuajse plotësisht nga forcat ruse.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, dhe në shtator Putin shpalli një mobilizim të “pjesshëm” ushtarak për të forcuar radhët në Ukrainë, në kohën kur forcat e Kievit po raportojnë për rimarrjen e kontrollit të disa territoreve që ishin pushtuar nga forcat ruse.
(REL)