Kiev, 2 prill 2022 – Forcat ukrainase po përparonin të shtunën në zonat në veri të Kievit në terrenin e mbuluar me shkatërrim dhe tanke ruse të dëmtuara.
Këshilltari i presidencës ukrainase Oleksiy Arestovych tha se trupat ukrainase kishin rimarrë më shumë se 30 qytete dhe fshatra në rajon që kur Rusia njoftoi këtë javë se do të reduktonte operacionet rreth kryeqytetit për t’u fokusuar tek betejat në lindje.
Zbulimi ushtarak britanik tha se trupat ruse kishin braktisur aeroportin Hostomel në një periferi veriperëndimore të kryeqytetit, ku kishte pasur luftime që nga dita e parë e agresionit.
Në lindje, një kolonë e Kryqit të Kuq po përpiqej përsëri të evakuonte civilët nga porti i rrethuar i Mariupolit, pasi braktisi një përpjekje të premten për shkak të mungesës së garancive të sigurisë.
Rusia e ka paraqitur tërheqjen e forcave të saj pranë Kievit si një gjest vullneti të mirë në negociatat e paqes. Ukraina dhe aleatët e saj thonë se forcat ruse janë detyruar të riorganizohen pasi kanë pësuar humbje të mëdha.
“Në veri të vendit tonë, agresorët po largohen. Është një largim i ngadaltë, por i dukshëm. Në disa zona ata po zmbrapsen në luftime. Në disa të tjera ata po i braktisin vetë pozicionet”, tha presidenti Volodymyr Zelenskiy në një fjalim të shtunën.
“Ata po minojnë gjithë këtë territor. Shtëpitë janë minuar, pajisjet janë minuar, madje edhe trupat e njerëzve të vdekur,” tha ai, pa paraqitur prova.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi akuzat.
Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur akuzat.
(Zëri i Amerikës)