Kiev, 2 tetor 2022 – Presidenti i Ukrainës,Volodymyr Zelensky, tha se forcat e tij kanë kontrollin e plotë të qytetit lindor të Limanit, një qytet strategjik në Donbas, nga i cili forcat ruse u tërhoqën një ditë më parë.
Zelensky i bëri këto komente përmes një video-mesazhi të postuar në llogarinë e tij në Telegram më 2 tetor.
“Deri në orën 12:30, Limani është krejtësisht i pastruar”, tha ai. “Faleminderit ushtarëve tanë. Lavdi Ukrainës”, shtoi presidenti ukrainas.
Rimarrja e kontrollit të Limanit nga forcat ukrainase është fitorja më e madhe në fushëbetejë në javët e fundit, pas kundërofensivës që forcat e Kievit nisën në rajonin verior të Harkivit, duke dëbuar forcat ruse. Suksesi i kësaj kundërofensive befasoi shumë vëzhgues.
Limani është qytet strategjik, përmes së cilit kalojnë linjat hekurudhore dhe analistët thanë se ka të ngjarë që forcat ukrainase do ta përdorin qytetin si vend prej ku do të nisin ofensiva të reja në lindje.
Në Liman ka pasur luftime të ashpra në ditët e fundit, me forcat ukrainase që gradualisht arritën të rrethonin rreth 5.000 trupa ruse që po e mbronin qytetin.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 1 tetor se trupat ruse po tërhiqeshin për shkak të “rrezikut të rrethimit”.
Disa raportime të pakonfirmuara thanë se forcat ruse kishin pësuar humbje të mëdha të njerëzve dhe se një numër i paspecifikuar i ushtarëve ishin burgosur.
Kjo ishte humbja e fundit për presidentin rus, Vladimir Putin, që erdhi vetëm një ditë pasi ai tha se Rusia po anekson katër rajone ukrainase që kanë qenë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse për disa muaj.
Rajoni i Donjeckut, ku gjendet Limani, është një prej katër rajoneve që Putini tha se Moska i aneksoi.
Kievi dhe Perëndimi kanë dënuar aneksimin, duke thënë se është i paligjshëm dhe farsë.
“Çlirimi i këtij qyteti në rajonin e Donjeckut është një prej faktorëve kyç për çlirim të mëtejmë në rajonin e Luhanskut”, tha Serhiy Haida, kreu i administratës ushtarake ukrainase në Luhansk.
Putin ka deklaruar se Rusia ka aneksuar Donjeckun, Luhanskun, Hersonin dhe Zaporizhjën. Vëzhguesit kanë thënë se këto veprime të udhëheqjes ruse shuajnë edhe më shumë shpresat për arritjen e një marrëveshjeje të paqes.
Së bashku me Krimenë, që Moska aneksoi më 2014, katër rajonet ukrainase përbëjnë rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, dhe në to gjenden disa prej pjesëve më të industrializuara të shtetit.
Kievi ka thënë se nuk do të negociojë me Moskën për aq kohë sa Putin është në pushtet.
(REL)