Davos, 23 maj 2022 – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për sanksione “maksimale” kundër Rusisë gjatë një fjalimi virtual në ditën e parë të mbledhjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku marrin pjesë drejtues të korporatave dhe qeverive.
“Është e nevojshme të ndryshohet qasja, të mos reagohet, por të veprohet dhe të veprohet në mënyrë parandaluese dhe jo vetëm për t’u përshtatur me realitetet e reja që kemi, por për të krijuar mjete të reja, precedentë të rinj. Shikoni se çfarë ka bërë tashmë Ukraina. Guximi ynë ka shënuar një precedent historik, duke mos dëgjuar ata që thoshin se mbrojtja jonë nuk do të zgjasë më shumë se disa ditë”.
Zoti Zelenskyy tha se sanksionet duhet të shkojnë më tej për të ndaluar agresionin rus, duke përfshirë embargon e naftës, duke bllokuar të gjitha bankat e saj dhe duke ndërprerë plotësisht tregtinë me Rusinë.
“Por a do të duhej ta bënim këtë, nëse do të ishim dëgjuar vitin e kaluar dhe do të kishim aplikuar një paketë të drejtë, parandaluese dhe të plotë të sanksioneve kundër Federatës Ruse që mund të dobësonte çdo agresor?”, ngriti pyetjen Presidenti i Ukrainës.
Ai tha duhet të jetë një precedent që do të funksionojë për dekadat e ardhshme, ndërsa bëri thirrje për largimin e plotë të kompanive të huaja nga Rusia. Ai tha se kjo do të ndërpriste mbështetjen financiare ndaj agresionit rus. Presidenti ukrainas tha se vendi i tij ka nevojë për mbështetje financiare, për të paktën 5 miliardë dollarë në muaj.
“Mos prisni për goditjet fatale, mos prisni përdorimin e armëve speciale nga Rusia, armëve kimike, biologjike, Zot na ruaj, armëve bërthamore. Mos i jepni përshtypjen agresorit se bota nuk do të rezistojë sa duhet. Mbroni në maksimum lirinë dhe normalitetin, të dobishme për rendin e paqes në botë. Sanksionet duhet të jenë të tilla”.
Grupi i shtatë ekonomive kryesore të botës u pajtua të premten për të ofruar 19.8 miliardë dollarë ndihma ekonomike për Ukrainën. Zoti Zelenskyy përsëriti se Rusia po bllokonte eksportet ukrainase të furnizimeve kritike ushqimore për botën, si drithërat dhe vaji, dhe se po grabiste disa prej tyre.
Drejtuesi i Programit Botëror të Ushqimit ka bërë thirrje për hapjen e porteve të Ukrainës, duke thënë se ky vend prodhon drithëra të mjaftueshme për të ushqyer 400 milionë njerëz.
Ukraina, së bashku me Rusinë, janë eksportuesit kryesor të drithërave dhe vajit të lulediellit. Ndërprerja e këtyre furnizimeve po kërcënon pasigurinë ushqimore në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Azisë që varen nga këto furnizime.
Nëse situata nuk ndryshon, gjatë 10-12 muajve të ardhshëm bota do të përballet me mungesë ushqimesh, çfarë do të shkaktonte një katastrofë botërore, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press David Beasley, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit.
(Zëri i Amerikës)