Nga Ruben Avxhiu
Gazeta tabloide “The Sun” ka botuar në faqe të parë një fotografi të marrë nga një filmim i vitit 1933, në të cilin Mbretëresha Elizabeth, është duke bërë nderimin nazist të Hitlerit.
Elizabeta e vogël, 7-vjeçare, është duke mësuar nga daja e saj se sit ë bëjë nderimin nazist bashkë me nënën dhe motrën e saj.
Shumë historianë tashmë e kanë studjuar mirë punën e Eduardit VIII që abdikoi nga froni për shkak se ra në dashuri me një vajzë që nuk ishte pjesë e aristokracisë dhe pranoi më mirë të lëshonte fronin sesa të hiqte dorë nga dashuria.
Eduardi ishte një simpatizues i fuqishëm i Hitlerit. Ai donte që nazizmi të vendosej edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk hoqi dorë nga simpatitë e tij naziste edhe disa dekada pas luftës. Ndonëse familja mbretërore ka ndikim të kufizuar në politikën e vendit dhe simpatiitë e Eduardit për Hitlerin nuk do të ndryshonin shumë në praktikë, politikanët britanikë druheshin për mënyrën sesi mund ta përdorte Hitleri mbretin anglez.
Pas abdikimit nga froni, pa mbushur vitin në 1936, Eduardi mori titullin e Dukës së Uindsorit dhe në vitin 1937 bëri një takim publik me Hitlerin, duke nervozuar qeverinë në Londër. Kur filloi lufta ai u caktua guvernator në Bahamas, një ishull afër Kubës, provincë e largët britanike në Amerikën Latine. Në realitet ishte një lloj internimi. Uinston Çërçill e kërcënoi se pavarësisht se ishte ish-mbreti i Britanisë së Madhe, ai do ta nxirrte përpara gjyqit marcial nëse nuk largohej nga Europa ndërkohë që lufta ishte në kulm të saj.
Pas luftës nuk mbajti më asnjë lloj posti, por bëri një jetë sociale të pasur me darka e dreka. Për shkak të historisë së tij romantike të braktisjes së fronit për hir të dashurisë, media dhe publiku e trajtoi me butësi duke ia injoruar simpatitë e pafalshme për nazizmin. Sot, do ta kishte shumë më të vështirë.
Vdiq në vitin 1972.
Ajo që ka lënë pas veç të tjerash është ky filmim, nga është marrë fotografia e mësipërme. Mbretëresha Elizabeth II, tashmë 90-vjeçare, nuk do të akuzohet se pse nderoi si naziste kur ishte ende fëmijë. Ajo bëri si e mësuan.
Mirëpo dalja në publik e fotografisë është gjithësesi një moment i sikletshëm për imazhin e familjes mbretërore. Është edhe një kujtesë e situatave të ndërlikuara të periudhës së pasluftës. Mbreti Eduard nuk ishte i vetmi simpatizant i Hitlerit në Mbretërinë e Bashkuar. As në rrethet aristokratike, ku mbizotëronte antisemizmi dhe besimi te një dorë e fortë për të shtypur lëvizjet socialiste.
Çfarë do të ndodhte nëse Eduard VIII nuk do të kishte abdikuar? Ndonëse ai vetë ishte i kufizuar nga tradita, a do të dilte një parti naziste që do t’i përdorte qendrimet e tij për kapital politik? Këto sigurisht mbeten vetëm hamendje.
Në vitin 1933 sidomos pak dihej për Hitlerin dhe nazistët. Aq më pak mund të dinte 7-vjeçarja se çfarë po bënte dhe për fatin që do të kishte në jetë. Në vitin 1940, shumë gjëra ishin më të qarta për të. Bashkë me nënën u dhanë zemër londinezëve që të duronin me kurajo gjatë bombardimeve gjermane.
Sot, në moshën 89-vjeçare, një nga monarkët më jetëgjatë të historisë njerëzore, ajo duhet të ketë arsye të besojë se nëse Eduardi do të kishte mbetur mbret, tradita ruajaliste angleze do të pësonte sfidën e saj më të fortë. Pas Luftës së Dytë shumë familje mbretërore europiane humbën përgjithmonë fronet e tyre përshkak të vendimeve e veprimeve politike gjatë luftës dhe para saj në lidhje me diktaturat fashiste e naziste. Ndonëse familja mbretërore e përbuzi dhe injoroi deri në fund, të dashurën e tij amerikane Ualis Simpson, ata ndoshta duhet t’i jenë mirënjohëse asaj për lidhjen që ndërpreu atë mbretërimin fatal të Eduardit pro-nazist.