NDERIMI – Një ditë pas inaugurimit të “Shtëpisë së shqiptarit”në Philadelphia
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Një ditë pas inaugurimit në Philadelphia të SHBA të Qendrës social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ndërtesë historike kjo disa shekullore, ish-pronë e familjes së Ëilliam Penn që tashmë quhet “Shtëpia e shqiptarit”, Tajar Domi – ish kryetar për dy mandate i kësaj shoqate emërndritur, iniciatori kryesor për blerjen e kësaj ndërtese me donacione tërësisht nga vetë shqiptarët që jetojnë në Philadelphia, provoi emocionet e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme. As që e kishte menduar se pikërisht në ditëlindjen e tij të 68-të, Federata e Paqes Universale Shqipëri do ta shpallte atë “Njeriu i vitit 2024 në diasporë”.
Me jehonën e festës së inaugurimit të Shtëpisë së shqiptarit, siç edhe vendasit preferojnë ta quajnë, e që do të shërbejë për strehën e re të shkollës shqipe “Gjuha jonë”, një sipërmarrje e kësaj shoqate që prej vitit 2004, si dhe të lajmit për riemërtimin e rrugës pranë kësaj godine me emrin e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në këtë ditëlindje të veçantë do të ishin të pranishëm dhjetra personaliete të kësaj shoqate, familjarë, miq e të afërm të Z.Domi. E uruan ata përzemërisht Tajar Domin për kontributin e vyer qe i ka dhënë ndër vite komunitetit shqiptar që jeton në Philadelphia si Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Dhjetra urime për mikun e mençur e të vyer që di të jetë kur të tjerët kanë nevojë për të; për modelin e shkëlqyer që u përcjell brezave si një prind, bashkëshort dhe gjysh ideal.
Në emërues të përbashkët me këto urime, edhe mesazhi i FPU që i dha këtë titull: “Jetofsh çdo ditë duke shijuar familjen e bukur që ke krijuar! Jetofsh sa më gjatë plot nder e dinjitet që t’u lesh brezave si pasurinë më të madhe mbiemrin Domi, mbiemër ky që respektohet brez pas brezi.
Bac u kry!
Çdo degë e pemës tënde familjare ta ketë fatin ta thotë këtë frazë në çdo ëndërr të realizuar!
U kry edhe këtë vit kjo datëlindje me miq plot e çmime të merituara!
Gezuar!”.
Petrit Zanaj, ish – kryetar i “Bijve të Shqipes” thotë se nderimi që i ka bërë Federata e Paqes Universale mikut e shokut tonë Tajar Domi, duke i dhënë çmimin “Njeriu i vitit 2024 në diasporë” është më se i merituar nga ai, por është edhe një nder i veçantë që i bëhet komunitetit shqiptar në Filadelfia. Kjo për faktin se në punën e jetën e vetë, Tajari është mbështetur në traditën atdhetare të fisit Domi, të atdhetarit Harun Domi që solli abetaren e librat e parë shqip në vendlindjen e tij, në fjalën e urtë e të mençur dibrane e kukësiane… Ai vlerësoi si më dinamiken e më rezultativen periudhën që Tajar Domi drejtoi Shoqatën “Bijtë e shqipes”, duke e ngritur emrin dhe prestigjin e saj në nivele te tjera, kur “numri i anëtarëve gati u dyfishua, shkolla shqipe e rriti numrin e nxënësve të saj dhe reputacioni i shoqatës u rrit konsiderueshëm, sidomos me afrimin e një numri të madh të komunitetit kukësian në veprimtaritë e shoqatës….”.
DHJETRA PERSONALITETE NGA DIASPORA E SHQIPËRIA NË DITËLINDJEN E TAJAR DOMIT
Në këtë ditë të veçantë të jetës së tij, shumë më të bukur se çdo vit tjetër, Tajar Domi e shpreh lumturinë e pamatë, jo se e gjen më të rritur apo më të mençur, por sepse është me më shumë miq, shokë, farefis e bashkatdhëtarë, të cilët i japin kënaqësi e dëshirë për t’i pasur sa më pranë.
“Sot jam më i pasur, pasi këtu kemi bashkatdhëtarët tanë që kanë ardhur nga larg, për t’u bërë bashkë një ditë më parë në festën e madhe te ‘Shtëpia e Shqiptarit”, thotë i mallëngjyer Tajar Domi. Dhe ka të drejtë të ndjehet fatlumë që disa prej tyre i kishte sërish në këtë gëzim. Kanë ardhurt nga ASTI të Italisë, nga shkolla shqipe “Rruga e Shkronjave”, zoti Hasan Bulqari me zonjën e tij. I pranishëm edhe Mjeshtri i Madh Defrim Methasani – kryetar i Këshillit të Paqes për Tiranën, që i dha edhe më shumë madhështi kësaj feste me forcën e zërit e me profesionalizmin e tij të spikatur, si edhe “Nderi i Qarkut Kukës”, zv. Kryetari i Federatës së Paqes Universale Shqipëri, z. Abdulla Domi që u bë një me “Bijtë e Shqipes”, duke i dhënë kësaj shoqate vlerësimin e merituar.
Ndërsa i ka falenderuar ata përzemërsisht, Tajar Domi u shprehu mirënjohje të thellë edhe dy miqve që vinin nga grupi i njohur “Flaka”i Tiranës”, zotërinjve Bajram Avdia e Mezan Resuli …. Po ashtu falenderoi poeten e mirënjohur Iliriana Sulkuqi që kaq shumë i ka dhënë jetë e dashuri me vargjet e botimet e saj vendlindjes dhe Diaspores në Amerike, duke e konsideruar si “Nënë Tereza e kohës tonë”. Prania e saj, si edhe e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, me të cilët kanë ndarë punët, gëzimet e shqetësimet në mbarëvajtjen e “Bijve te Shqipes”, si kryetarët e saj: Llazar Vero, Petrit Zanaj, Sadik Elshani, Bujar Gjoka e Dritan Matraku dhe e anëtarëve të Këshillit Drejtues, miq e shokë të tjerë që formojnë mozaikun e shqiptarëve këtu në Filadelfia, padyshim që ja shtuan madhështinë kësaj feste ditëlindjeje të Tajar Domit.
Fati përsëri e deshi që në këtë ditë të veçantë festive të kishte këtu edhe motrën e madhe, Bulen me bashkeshortin e saj të ardhur si vizitor këto ditë, që sëbashku me familjen e vëllait të tij, Jakupit, qenë ata që i dhanë më shumë gjallëri festës, ashtu si dhe familjarët e tij, bashkëshortja Elhamja, Erioni me Enkeleten e Elion që zhurmon çdo ditë e më shumë, Arianiti me Arjolën dhe të voglën Aria që po rritet e që ia shtojnë jetën.
“SHTËPIA E SHQIPTARIT”, QENDËR SOCIALKULTURORE MULTIFUNKSIONALE
Ka të drejtë të ndjehet krenar dhe i nderuar, ish – kryetari më i suksesshëm i “Bijve të Shqipes” në Philadelphia, Tajar Domi, pasi pikërisht në këtë ditëlindje vlerësohet me titullin “Njeriu i vitit 2024 në Diasporë” nga Federata e Paqes Universale Shqipëri. “Është vërtetë një trofe që nuk e di nëse jam ai që e meritoj. Por ndjej detyrimin që ta falenderoj këtë institucion të paqes, për të cilin sigurisht vetë emri flet shumë. Sot kur bota po rrokulliset çdo ditë në tmerrin e luftës, përdorimi i fjalës Paqe dhe angazhimi ynë, i të gjithëve sëbashku për t’i dhënë jetë e kënaqësi çdo ditë që vjen pas, është një detyrim. Punët që ne i quajmë të vogla, por të bëra me dashuri të madhe, fjalët plot mirënjohje e jo veprimet inatçore që na ngarkojnë shpirtin nganjëhere, na bëjnë që të jetojmë në paqe e në lumturi. Prandaj e vlerësoj shumë këtë titull, që më vjen si një forcë e re për të qëndruar në frontin e njerëzve të paqes, të paqes nëpërmjet punës, mirënjohjes, kontributit në shoqëri këtu e në atdhe”, – tha ndër të tjera z.Domi në fjalën e tij përshëndetëse.
Pjesëmarrësit në këtë ditë feste madhështore shpërthyen në duartrokitje të fuqishme kur ai pohoi me gëzim të paparë: “U bëmë kështu bashkë si kurrë më parë, duke parë vetëm përpara, në realizimin e kësaj nisme. Rreth 500 familje e biznese shqiptare në Filadelfia e rreth saj, mes tyre edhe nga kombësi të tjera, shokë e miq nga shtetet e tjera të Amerikës, nga Kanadaja, Anglia e shtete të tjera të Europës, si dhe nga vendlindja jonë Shqiperia, dhanë ndihmesën e tyre sipas mundësive për ta pasur këtë ndërtesë historike, si ‘Shtëpi të Shqiptarit’, – thotë Tajari. Dhe ka të drejtë të ndjejë krenari legjitime sepse: Këtu në Qendrën social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” fëmijët tanë nuk do të jenë të kufizuar në numër për të ndjekur shkollën shqipe me mësime në gjuhën tonë; fëmijët tanë, dashamirës të muzikës e sportit, do të kenë mundësi të grupohen e t’i realizojnë dëshirat e tyre; këtu nënat e gratë tona do të kenë mundësi të dalin me fëmijët e bashkëshortët e tyre për të shijuar një “kafe shqip” së bashku; këtu bashkatdhetarët tanë do të gjejnë më shumë informacion e ndihmë për punë e procese të tjera në departamentin për biznesin; këtu hoxha dhe prifti do të ndjehen edhe më shqiptar se gjer tani, në organizimet për nevojat e komunitetit; këtu rinia, por edhe grupmoshat e tjera do të kenë një ambjent të bukur e të përshtatshëm për organizime të ndryshme festive, shoqërore e familjare, ku biblioteka do të jetë shumë më e pasur dhe e shfrytëzueshme për çdo njërin që dëshiron; ku këndi i historisë dhe i trashëgimisë kulturore do të pasqyrojnë mjaft sende e objekte të kësaj fushe, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për atdheun e dytë ku ne jetojmë, Amerikën…
NJË EMËR PËRBASHKUES, NDËR MË AKTIVË TË SHOQATËS “BIJTË E SHQIPES” NË FILADELFIA
Gjatë një takimi verën e kaluar, miku im Enver Parllaku do më fliste me krenari të ligjshme për Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që prej vitesh zhvillon një aktivitet intensiv në Filadelfia për promovimin e vlerave kombëtare shqiptare. Dhe ndër veprimtarët më aktivë të kësaj shoqate ai do të veçonte Tajar Domin, si kontributorin shembullor të saj. Këtë të vërtetë e pohon edhe shkrimtari kukësian Hys Hasa, i cili vlerëson potencialin intelektual, urtësinë, mençurinë e vizionin bashkohor të Tajar Domit, të shpalosura në përditshmërinë e tij si dhe në çdo aktivitet të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Tajar Domi do të udhëhiqte brezin e tretë të intelektualëve të trungut të tij familjar. Nga një dokumentar i mirëpërgatitur prej ikononës së dokumentarit televiziv Defrim Methasani, mësojmë se Tajari ka lindur më 14 tetor të vitit 1956 në Ceren të Kalasë së Dodës dhe ka shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin e Veterenarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës në vitin 1980. Pas diplomimit punoi fillimisht në ish-kooperativën bujqësore dhe më pas, tre vite si mësues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Cerenit. Në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i Këshillit të Bashkuar Pluralist të Kalasë së Dodës dhe deri në vitin 1996 ishte zëvendëskryetar komune. Pas vitit 1997 vjen në Tiranë, dhe në harkun kohor të 7 viteve (1998-2005) punoi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku la gjurmët e intelektualit shembullor, të profesionistit të spikatur e kuadrit korrekt. Në moshën 52-vjeçare (në vitin 2008) ishte përfitues i llotarisë amerikane dhe sëbashku me bashkëshorten Elhamen dhe dy djemtë Erionin dhe Arianitin jetojnë në Fialdelfia të SHBA, ku kanë ndërtuar jetën e tyre të dytë. Gjithsesi, që nga dita që shkeli në tokën e premtuar, tik-taku i tij rrihte për atdheun, ndaj dhe u atashua në Shoqatën me emër partiotik e atdhetar “Bijtë e Shqipes”, kryetar i së cilës ishte për dy mandate. Pikërisht nga kjo shoqatë është vlerësuar si nderi i komunitetit për atë çfarë ai ka përfaqësuar me emrin e tij të spikatur, sepse Tajar Domi është një emër përbashkues i diasporës shqiptare në SHBA.
Po, i tillë është ky pinjoll i fisit e familjes që qëndon me dinjitet në panteonin e vlerave. Nëse gjyshi i tij, Haruni, para 100 vitesh solli abetaret nga Bukureshti për shkollën shqipe të Kalisit, Tajari, në gjurmët e gjyshit ka dhënë dhe po jep kontribut real për shkollimin në gjuhën shqipe të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Filadelfia-SHBA. Tajar Domi prej 14 vitesh punon mësues në shkollat publike në Filadelfia (Substitute Teacher in School District of Philadelphia) … Si kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për katër vite e më pas si anëtar i Kryesisë të kësaj shoqate, ka dhënë dhe jep kontribut real në mirëfunksionimin e zgjerimin e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, e cila prej rreth 20 vitesh po funksionon derë-hapur për trashëgiminë e gjuhës, kulturës e historisë tonë kombëtare, në komunitetin shqiptar të Filadelfias.
Prej 9 vitesh ai mban me krenari e dinjitet titullin “Ambasador për Paqen”, ndërsa është vlerësuar me Mirënjohje nga Këshilli i Qarkut Kukës.