Paris, 3 mars 2022 – Franca druan se Ukraina do të përballet me fazën më të rëndë të agresionit të Rusisë.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, tha se pritet që Rusia të vë nën rrethim qytetet kryesore të Ukrainës pasi dështoi të thyente rezistencën ukrainase.
“Unë mendoj se është e mundur që më e keqja është përpara nesh”, tha Le Drian për France 2 TV, të enjten, më 3 mars.
Ai tha se Rusia do të përpiqet të rrethojë qytetet, pasi pritjet e saj fillestare për një fitore të shpejtë u shkatërruan nga rezistenca ukrainase.
“Rusët hynë në Ukrainë në kërkim të një sulmi të shpejtë. Një përparim i shpejtë që do t’ia mundësonte Rusisë ta kontrollonte Ukrainën. Nuk ndodhi kështu, për shkak të rezistencës shembullore, të guximshme dhe të fortë nga ukrainasit”, tha ai.
Le Drian tha se pasi rusët e morën nën kontroll qytetin jugor të Hersonit, gjë që u konfirmua edhe nga Ukraina, qytetet tjera, përfshirë Harkivin në lindje dhe Mariupolin në jug, si edhe vetë Kievi, janë në rrezik të rrethimit nga forcat ruse.
Franca është përpjekur shumë të parandalojë ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Presidenti francez, Emmanuel Macron, është takuar dhe ka biseduar disa herë me presidentin rus, Vladimir Putin, në kërkim të zgjidhjes paqësore të çështjes së Ukrainës.
Të mërkurën, Macron bëri të qartë se ai i ka ngritur duart pasi është bindur se Putini synon ta zgjidhë çështjen me forcë. Ai tha se Putini zgjodhi luftën si mjet për zgjidhjen e çësthjeve që ai i quan të pazgjidhura.
(r.m.)