Franca i kërkon Kosovës ta pezullojë “menjëherë” vendimin për dinarin

Paris, 2 shkurt 2024 – Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë “menjëherë” vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), i cili autorizon përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

“Franca është e shqetësuar nga hyrja në fuqi dje e vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës”, tha Ministria franceze në uebsajtin e vet.

Rregullorja e re BQK-së, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.

“Ky vendim, i marrë në mënyrë të ngutshme, do të ketë pasoja në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, i cili kryesisht varet nga pagesat e bëra në dinarin serb nga Serbia”, tha Ministria franceze.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.

Por, Franca tha të premten se “në mungesë të zgjidhjeve alternative deri tani, Franca bën thirrje për pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase, në mënyrë që të sigurohet një periudhë e mjaftueshme tranzicioni”.

Ajo i bëri jehonë thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që autoritetet kosovare ta gjejë një zgjidhje të negociueshme brenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për këtë çështje.

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.

Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.

Më herët të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999, dhe se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.

“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiq të premten në një konferencë për media.

Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë zgjidhje se si t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë.

Vuçiq ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes BQK-së dhe Bankës Popullore të Serbisë për të arritur marrëveshje për pagesat për serbët në Kosovë.

Mirëpo Vuçiq e ka hedhur poshtë këtë mundësi.

“Ne do të gjejmë një zgjidhje. Nëse është e nevojshme, do të gjejmë banka private që do të marrin licenca gjithsesi, do të gjejmë zgjidhje për t’ua ndarë paratë njerëzve tanë”.

Sipas tij, Banka Popullore e Serbisë do t’i përmbahet ligjit dhe se Serbia do të japë informacione për vendimin përfundimtar për këtë çështje, por “prioritet do të jetë transporti dhe dërgimi i parave në Kosovë.”

Mes tjerash, Vuçiq ka paralajmëruar që Serbia do të kërkojë seancë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të hënën, më 5 shkurt.

Pse u miratua rregullorja pikërisht tani?

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur ditë më parë integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.

Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”.

Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.

Çfarë duhet të bëjnë serbët tani?

Qytetarët serbë në Kosovë do të duhet të hapin llogari në bankat komerciale që janë të lincencuara prej BQK-së.

Shteti serb mund t’ua nisë atyre paratë në dinarë, mirëpo ato duhet të konvertohen gjatë rrugës në euro.

(REL)