Francë: Humbje e ndjeshme e Macronit në zgjedhjet parlamentare

Paris, 19 qershor 2022 – Presidenti francez i saporizgjedhur, Emmanuel Macron, me kampin politik të qendrës, “Ensemble”, sipas llogaritjeve të para, e ka humbur shumicën absolute në Asamblenë Kombëtare franceze, madje më shumë se sa pritej,

Në raundin e fundit të zgjedhjeve parlamentare të dielën liberalët arritën 210 deri 250 vende nga gjithsej 577. Për shumicën absolute nevojiten 289 vende.

Zëdhënësi i qeverisë franceze, i pyetur se si do t’ia bëjë qeveria pa shumicën absolute në parlament është shprehur, se “Ensemble” do të punojë “me të gjitha partitë e moderuara që duan ta çojnë vendin përpara”.

Rezultati konsiderohet si një goditje e rëndë politike për Macron, i cili aktualisht kishte shumicën absolute në Dhomën e Ulët të parlamentit. Normalisht zgjedhjet që mbahen pak pas zgjedhjeve presidenciale shihen si konfirmim, pasi fuqia kryesore politike normalisht fiton edhe shumicën absolute.

Aleanca e majtë e Jean-Luc Mélenchon, “Nupes”, arriti sukses në këto zgjedhje duke u kthyer në grupin më të fuqishëm opozitar në vend. Aleanca e majtë do të jetë e përfaqësuar në parlament me 150 deri në 180 vende.

Edhe e djathta ekstreme e Marine Le Pen, “Rassemblent National”, arrin sukses të madh në raundin e dytë të zgjedhjeve. Ajo pritet të marrë 80 deri në 100 vende në parlamente, 10 herë më shumë se deri më tani, kështuqë bëhet forca e tretë në parlament.

Humbje të rëndë zgjedhore pësoi edhe grupi opozitar më i fuqishëm deri tani në parlament, republikanët konservatorë. Ata arritën të marrin vetëm në 60 deri në 80 vende.

Kështu, qeveria e Macronit, në kërkim të mbështetjes së saj në parlament, me gjasë, mund të orientohet më shumë nga republikanët.

Në këto zgjedhje parlamentare bëhej fjalë nëse Macron do mund të realizojë projektet e tij politike në mandatin e dytë, për të cilat ai ka nevojë për shumicën absolute parlamentare. Me një shumicë relative, presidenti dhe qeveria janë të detyruar të kërkojnë mbështetjen e kampeve të tjera.

Edhe pse shumë francezë ishin të pakënaqur me mandatin e parë të qeverisjes së Macron, 44-vjeçari përfitoi nga ajo që zgjedhjet parlamentare shpesh shihen si konfirmim i zgjedhjeve presidenciale. Në zgjedhje marrin pjesë tradicionalisht përkrahësit e fituesit të zgjedhjeve presidenciale. Por, aleanca e majtë ia doli t’i mobilizonte votuesit.

Në zgjedhjet vendimtare për parlamentin u shënua një pjesëmarrje më e lartë e votuesve se në raundin e parë. Disa qendra zgjedhore qëndruan të hapura deri në orën 08:00 në mbrëmje.

(DW)