Prishtinë, 12 prill 2022 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti të martën në takim ministrin e Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, Esawi Frej, i cili është ministri i pare izraelit që e viziton Kosovën.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në takim u rikonfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin dhe u bisedua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit.
Në komunikatë thuhet se ministri Frej ia përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, duke theksuar se për shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme të forcojë lidhjet me Kosovën.
Frej ka shprehu vullnetin e Qeverisë së Izraelit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për shtimin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Po ashtu, ka shprehur interesimin e investitorëve izraelitë për investime në Kosovë.
“Ne jemi të hapur për mundësi të reja dhe së bashku do të arrijmë suksese”, vitohet ministri Frej.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka folur për potencialin e Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke veçuar digjitalizimin si njërën nga objektivat e programit qeveritar.
Kurti ka folur edhe për zhvillim e ekonomisë dhe për reformat. Ai ka theksuar se Qeveria synon ndërthurjen e rritjes ekonomike me drejtësi sociale.
Kurti ka thënë se rritja ekonomike prej 10.53 për qind do të shpërndahet te qytetarët, nëpërmjet masave përmbrojtjen e kategorive në gjendje më të keqe sociale.
“Rritjen që e arrijmë bashkë do ta shpërndajmë te të gjithë”, ka thënë Kurti.
Ministri i Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, Esawi Frej, është takuar edhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ministri Krasniqi ka thënë se në qendër të bisedimeve kanë qenë disa projekte të bashkëpunimit. Ai ka veçuar marrëveshjet për binjakëzimin e tri komunave të Izraelit me tri komuna të Kosovës dhe ndihmën për spitalin pediatrik dhe për organizatat e personave me aftësi të kufizuara.
(r.m.)