Nga Shefqet Meko
Acari i Janarit nuk mundi të “ngrinte” fuqinë vepruese të ndërrimit të pushteteve në Uashington DC. Amerika qesh sërish e duke demonstruar me shembullin e vet, i dha botës “leksionin e radhës”. Urime! Urime!
Sa shumë telefonata në këtë ditë! Ka një entuziasëm të sinqertë të gjithë atyre që ende besojnë te Amerika dhe liria e saj. Muara Schëartz nga kryeqyteti “i blinduar” amerikan, u shkruan miqve: “Qielli është i kaltër përsëri dhe le t’i këndojmë lirisë. Bota rimerr frymë pa frikë…”
Nga Londra do ishte i pari Dr. Fatmir Terziu që do të telefononte duke thënë thjesht dhe qeshur: “Urime mik! Pushteti amerikan u ndërrua paqësisht. Urime!” Ndihesh se je me fat këtu e të ngazëllen fakti që në këtë 20 Janar historik , betimi i pushtetarëve të rinj në Shtëpinë e Bardhë kaloi paqësisht, me duartrokitje, me flamuj, këngë dhe gjithë procesi bekuar emocionalisht nga Himni i Amerikës, që është si një “turbinë” e lirisë së Kontinentit. Amerika foli sërish me shëmbullin e vet.
Nga ndërtesa – tempull e ekzistencës amerikane, nga ajo ndërtesë e solemnitetit të ligjit dhe lirisë, nga ai symbol i madhështisë, ku dy javë më parë pamë me tmerr dhunë e tym tronditës, pikërisht aty u ringjall shpresa se “Amerika nuk bie”. Presidenti Joe Biden bëri betimin që duhej, duke thënë nga shpirti bardhë: “Unë do jem president i gjithë Amerikës, president i çdo amerikani…”
Amerika dëgjoi, bota dëgjoi, yjet vështruan. Amerika jeton krizën e saj më të thellë: 400 mijë të vdekur nga virusi, miliona fronte pune të humbura, aq shumë plagë shoqërore sikur pikojnë dhimbje në trupin gjigand të vendit të lirisë. Amerika rimer frymë e menduar dhe entuziaste përsëri. 400 mijë flamuj valviten lehtë përballë Kapitolit, si simbol dhe kujtim për ata që ikën dhe nuk mundën ta përjetonin këtë ditë ndërrim pushtetesh. “Që të shërohemi , duhet të kujtojmë” tha presidenti i 46-të amerikan, Joe Baiden. Kurrë në këtë shesh ku ndërrohen pushtetet presidenciale, nuk ka pasur kaq shumë flamuj dhe kaq pak njerëz, kaq shumë ushtarë e autoblinda e kaq pak ovacione masive dhe oshëtuese. Amerika duhet të shërohet nga “plaga” e hidhur e 6 Janarit 2021. Dhe shërimi fillon duke nderuar jetën dhe duke “përkëdhelur” njerëzit me fjalë të mençura që të gjallërojnë.
20 Janari i ceremonial, iu përcoll botës si një “festë në rrethim”, por me protokoll zyrtar dhe hierarki të përpiktë ligjore. Aty, në “prehër” të Kapitolit Amerikan, me dorën mbi Bibël e nën autoritetin e ligjit, u betua Presidenti i Ri Amerikan. Betim për të mbrojtur kushtetutën dhe autoritetin e Zyrës Ovale. “Betohem! Zot më ndihmo”! I rrethuar nga ekipi dhe Zonja e Parë, i rrethuar nga ish-presidentët që në harkun kohor që iu jep Kushtetuta kanë bërë të njëjtën gjë: betimin për Amerikën! Sa mirë do të qe sikur të ishte ai që “zgjodhi të mos vinte”! Sa mirë do ishte për Amerikën dhe Botën!
Një kapitull i vështirë sapo hapet. Nuk do jetë e lehtë, por amerikanët do fitojnë sepse me ta është Zoti dhe liria që çliron pafundësisht energji.
Urime Amerika! Urime! Bota e pa sot me sytë e vet! Urime!
Minneapolis, SHBA
20 Janar 2021