Palazzo Adriano, fshati arbëresh ku u xhirua filmi i famshëm i Giuseppe Tornatore, ruan mallin për atdhuen e të parëve dhe synon hapjen e një filaili të Universitetit të Vlorës për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje.
Gëzim Kabashi, BIRN
Në agun e ditës së parë të gushtit një grup qytetarësh italianë, me prejardhje shqiptare, iu ngjitën Malit të Trëndafilave mbi Palazzo Adriano, një nga qytezat më të bukura arbëreshe të Siçilisë.
Si çdo vit në majë të malit, në lartësinë 1.475 metra ata u kthyen nga ndodhet Shqipëria, atdheu i të parëve dhe kënduan së bashku “O e bukura More”, vargjet e së cilës janë hymni i përbashkët i arbëreshëve kudo ndodhen.
“Ishte emocionuese – tha për BIRN Roberto Ferrara, i cili ka udhëtuar afro dy dorë natën me makinë, për t’iu bashkuar grupit.
“Ndën kryqin që të parët e kanë vendosur majë malit, u kthyem andej nga lind dielli dhe kënduam së bashku – tregoi Ferrara.
“Unë nuk jam arbëresh, por ajo çka përjetova ishte mjaft e bukur – shtoi Roberto, i cili ka patur kujdes që të prjetësojë në foto disa nga këto momente.
Organizatorët e veprimtarisë tradicionale janë të kënaqur që numri i të rinjve është rritur nga viti në vit.
“Me fytyrë nga lindja e diellit dhe me shpirt nostalgjik, ne këndojmë këngën e mërgimtarëve “Moj e bukura More” – tha për BIRN kryetari i Shoqatës kulturore “Skanderbeg”, Giacomo Cuccia, duke shtuar “Ky është një moment i pasur me ndjenja dhe me histori për ne”.
“Palazzo Adriano dhe traditat e tij nuk perëndojnë” shkruhet në posterin që kanë shpërndarë të rinjtë e të rejat e qytezës me 2 mijë banorë.
“Fatkeqësisht, në qytezë e kemi humbur gjuhën e të parëve, por po përpiqemi që të rinjtë të mos largohen nga vendlindja” – vijon arbëreshi Giacomo, një burrë entuziast që i ka lënë pas të 50-tat.
Në mesin e muajit gusht arbëreshët presin vizitën e rektorit të Universitetit të Vlorës dhe shpresojnë në hapjen e një filiali universitar edhe në Palazzo Adriano.
“Kjo nismë dhe të tjera si kjo, synojnë hapjen e vendeve të punës edhe këtu – tregon Cuccia.
Palazzo Adriano është një qytezat më të bukura të Siçilisë.
Jo më kot, regjisori i shquar italian, Giuseppe Tornatore e zgjodhi atë për xhirimet e filmit “Nuovo Cinema Paradiso”.
Ballkoni ku janë projektuar disa nga skenat e filmit, me ngjarje të viteve 1950, dallohet sapo futesh në sheshin qendror të qytezës.
Sallat dhe fasadat ku u xhirua filmi I autorit siçilian janë kthyer në muze të hapura, ndërsa në bashkinë e qytetit arbëresh edhe këtë vit do të rinovohen objektet që shërbyen për realizim e vitit 1988.
Në bashki ndodhet edhe një muze tjetër ku ruhen objekte të arbëreshëve të parë që u vendosën në qytezë.
Në eksponate nuk mungon kryqi, si dhe veshjet tradicionale të të gjithë llojeve.
Pas pak ditësh në Palazzo Adriano do të fillojë Festivali 3-ditor I kinemasë dhe muzeu do të përurohet pikërisht gjatë kësaj veprimtarie – tha për BIRN Giaccomo Cuccia, i cili kujton edhe interpretin kryesor të filmit.
“Toto’ Cascia, një djalosh me prejardhje arbëreshe nga qyteti ynë, ishte 10-12 vjeç, kur u përzgjodh të intepretonte rolin kryesor të filmit, pranë aktorit francez Philippe Noiret – tha Cuccia, që ndjehet mirë, pasi Totoja i ka ruajtur lidhjet me qytezën dhe vjen shpesh në Palazzo Adriano.
Po të nisesh nga Palermo, kryeqendra e Siçilisë, duhet të kalosh edhe pesë qyteza të tjera arbëreshe para se të mbërrish në Palazzo Adriano.
Vendasit arbëreshë i ruajnë lidhjet me to, veçanërisht me Piana degli Albanesi, një farë qyteti mëmë, për të gjitha ngulimet e tjera arbëreshe të ishullit të Siçilisë.
Giaccomo Cuccia kërkon që lajmi tjetër për arbëreshët e Palazzo Adrianos të mbetet surprizë.
Në studion e skulptorit Nicola Governali nga Corleone tashmë ka përfunduar boceti i bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.
“Mbetet të derdhet në bronx dhe busti i Skenderbeut do të vendoset në qendër të Palazzo Adrianos, për të mos harruar kurrë se nga vijmë e po ashtu për të ruajtur traditat tona shekullore – përfundoi kryetari I shoqatës “Skanderbeg”, Giaccomo Cuccia.