FSHZH, 4.7 milionë euro për parkun “misterioz” në Tiranë

Tiranë, 15 shtator 2022 – Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka angazhuar një fond limit rreth 4.7 milionë euro për investime në një park në kryeqytet.

Procedura e çelur në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik këtë të enjte është shoqëruar me njoftimin e shkurtuar të kontratës, si dhe dy dokumente. i pari ka të bëjë me dokumentet standarde të tenderit, i emërtuar “DT Turtle Park”, dhe i dyti procesverbal, i cili shoqëron zakonisht procedurat për elemente më të hollësishme mbi kushtet.

Objekt i kontratës, sipas emërtimit në sistemin e APP është “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 1 “Parku Multifunksional, Tiranë.

Pavarësisht vlerës së fondit limit dhe dokumenteve që shoqërojnë këtë procedurë, e vetmja gjë që kuptohet mbi projektin është fakti që do të jetë një park në Tiranë. Vendndodhja e saktë se ku do të jetë ky park, çfarë parashikon në detaj projekti i hartuar për të apo si do të jetë i organizuar, mungojnë. Zakonisht këto elemente jepen në raportin teknik apo relacion që sqaron projektin i cili në këtë rast mungon tek dokumentet e procedurës duke e bërë disi “misterioz” këtë park të ri në kryeqytet.

Në dokumentet  e tenderit kuptohet si pjesë e projektit janë parashikuar ambiente të dedikuara sportive dhe rekreative. Kjo kuptohet nga plotësimi që kërkohet me bazë materiale si lisharës, lojë vertikale ekuilibri, lojë e kombinuar për kacavjerrje, lojë peme basketbolli, lojë paralele, rrëshqitje, tavolinë ping-pongu, lojë me konstruksion druri, elementë plastikë të montuar me vida për ngjitjen në murin e betonit, rrjetë me litarë të kuq mbrapa murit me ngjitje.

“Kjo ndërhyrje është parashikuar të financohet në kuadër të Programit Operacional 2022-2024 të FSHZH-së, miratuar me Vendimin Nr. 225 Datë 23.03.2022 të Këshillit Drejtues të FSHZH. Objektivi i përgjithshëm i ndërhyrjes është: Gjallërimi social kulturor dhe sportiv nëpërmjet transformimit te infrastrukturës me karakter rekreacional duke nxitur frymen komunitare dhe rikthyer ndërveprimin social dhe jetën e shëndetshme ne nivel rajonal dhe lokal.  Impakti që pritet të ketë projekti: Përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve dhe rritja e nivelit të kënaqësisë së banorëve dhe veçanërisht fëmijëve” thuhet në relacionin e shtojcës 7 të dokumentit mbi formularin e specifikimeve teknike.

Punimet nga operatori që do të jetë fitues i projektit do të zgjasin për të paktën 12 muaj ndërkohë që afati i fundit për paraqitjen e ofertave është 6 tetor 2022.

 

 

(Monitor)