Prishtinë, 28 maj 2021 – Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK)dhe Ushtria amerikane zhvilluan të premtën manovra të pwrbashkwta në kuadër të stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21”, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se 300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës, po marrin pjesë në manovrat ushtarake ndërsa është e hera e parë që territori i Kosovës përzgjedhet për manovra të tilla.
Komandanti i Forcës së Sigurisë, gjenerali Rrahman Rama tha se manovrat Defender 21, kanë për qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve partnere si dhe ngritjen e gatishmërisë operacionale.
“Të gjitha ato që i kemi pare dhe vlerësimet që kanë ardh, ende nuk i kemi zyrtarisht por të konfirmoj që është arrit qëllimi, është arrit objektivi dhe shumë shpejt presim vakidimin për here të parë të njësive tona mbi bazën e misionit dhe detyrave të reja bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës”, tha gjenrali Rama.
Këtë vit stërvitja shtrihet në tri zona kryesore, në rajonin e Baltikut, në rajonin Detit të Zi dhe në atë të Ballkanit Perëndimor. Në të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 27 vende të ndryshme, ndërsa 16 vende janë pritëse, përfshirë edhe Kosova.
Përfshirjen e Kosovës në këto manovra, udhëheqësit e institucioneve e quajtën mundësi historike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Forca e Sigurisë po shndërrohet në ushtri moderne dhe partnere të besueshme e aleatëve të Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë sonë, i mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës së Kosovës, forca jonë është burim nga e cila rrjedhë forca jonë kohezive për të qëndruar fort përkrahë popujve liridashës të përkushtuar dhe për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë në partneritet të ngushtë me aleatin tonë strategjikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore anëtare të aleancës së popujve të lirë”, tha presidentija Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë në ushtrimin Defender 21 dëshmon qartë synimin e Kosovës për të formësuar një mjedis të sigurtë dhe paqësor në Evropë.
“Ushtrimi “Defender 21” ndër synimet kryesore ka ndërveprueshmërinë. Unë jam i sigurtë që pas këtij ushtrimi ju do të jeni shumë më të aftë për të ndërvepruar me partnerët tanë në funksion të promovimit të paqes, sigurisë dhe të stabilitetit të drejt dhe afatgjatë kudo në botë”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Kosova është faktor dhe kontribues i paqes ndërsa vlerësoi lartë kontributin e Shteteve të Bashkuara për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Roli juaj në këtë ushtrim është një hallk e zinxhirit të mbështetjës së SHBA-ve për zhvillimin vendit tonë dhe në veçanti për ngritjen e aftësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.
Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)