Përmes projekteve në Ballkan, Kina nuk ka vetëm motive ekonomike, por edhe të politikës së jashtme dhe qëllime strategjike, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Francis Fukuyama, profesor në Universitetin e Stanfordit dhe autor i librit të famshëm “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit” (The End of History and the Last Man).
Fukuyama thotë se blloku evropian duhet të këmbëngulë në kushtet për vendet që synojnë anëtarësimin, pavarësisht se Kina dhe Rusia po përpiqen të përfitojnë nga boshllëku i krijuar për shkak të lodhjes së BE-së nga zgjerimi.
Profesor Fukuyama, në këtë intervistë, komenton gjithashtu kritikat e shumta se vlerësimet e tij në librin “Fundi i Historisë”, i botuar pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, ishin tepër optimiste dhe të gabuara.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Fukuyama, po e fillojmë këtë intervistë me çështjen e rolit të Kinës në Ballkan. Mali i Zi ka njoftuar se i duhet ndihma e Bashkimit Evropian për të paguar borxhin e madh të një kredie kineze prej një miliard dollarësh për një projekt të diskutueshëm të ndërtimit të një austrostrade. BE-ja ka thënë se “nuk paguan borxhe ndaj palëve të treta”. Çfarë mund të ndodhë nëse Mali i Zi nuk arrin të paguajë borxhin? A mundet që Kina të marrë pronën në emër të garancisë për kredinë, siç ka ndodhur në Shri Lankë?
Francis Fukuyama: Nuk jam mjaftueshëm i informuar me përmbajtjen e marrëveshjes për koncesion, por mund të ndodhë një gjë e tillë pasi me sa e di, Kina shumë shpesh kërkon garanci në marrëveshje të tilla të huadhënies. Kina ka më shumë mundësi dhe sikurse huadhënësit e tjerë, ajo njëanshëm mund të negociojë kushtet e kontratës, të zgjasë afatin për kthimin e borxhit, të ndryshojë normat e interesit. Këto janë gjëra që huadhënësit i bëjnë me vendet në nevojë, kështu që vërtetë nuk e di se si do të veprojnë në rastin e Malit të Zi.
Radio Evropa e Lirë: Kina nuk ofron kredi me norma interesi më të favorshme sesa bankat evropiane. Autostrada e Malit të Zi kushtoi shumë shtrenjtë (23.8 milionë dollarë për kilometër). Kina gjithashtu e kushtëzon kredinë me angazhimin e kompanive të saja në punimet e projekteve, pastaj shitjen e materialit të saj. Cilësia e punimeve është e diskutueshme. Pra, si po arrin Kina të joshë vendet për të rënë në një kurth të tillë të borxhit?
Francis Fukuyama: Mendoj se problemi qëndron në faktin se Kina është e gatshme të financojë projekte të cilat bankat perëndimore dhe institucionet tjera kanë refuzuar t’i financojnë, për arsye se nuk kishin kurrfarë dobie ekonomike. Një shembull i kësaj është autostrada në Mal të Zi. Ka pasur një përpjekje që të formohet një konzorcium i bankave dhe kompanive perëndimore për të financuar projektin, por kur në fund bankat e bën ekspertizën, njoftuan se përfitimet nga ajo rrugë nuk e arsyetojnë investimin e madh që duhej bërë.
Mendoj se kur hyn në projekte të tilla, motivi i Kinës nuk ka të bëjë vetëm me aspektin ekonomik, por edhe nga motivet strategjike dhe të politikës së jashtme. Kjo është pjesë e procesit 17+1 (17 vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore dhe Kina) përmes së cilit Pekini mendoi se ishte një mënyrë për të ndikuar te një vend anëtar i NATO-s, që synon anëtarësimin në BE. Kjo është arsyeja që Kina vendosi të kyçet në këtë projekt nga i cili nuk kishte justifikim ekonomik. Për fat të keq, ata gjetën një partner lokal, Millo Gjukanoviqin, i cili ra dakord me ato kushte. Por, në atë kohë ajo nuk ishte një marrëveshje e mençur dhe kjo u vërtetua gjatë zhvillimit të projektit.
Radio Evropa e Lirë: Kina po e rrit rolin e saj në Ballkan përmes projekteve të infrastrukturës dhe energjisë, por edhe përmes forcimit të lidhjeve politike, në veçanti me Serbinë. Pyetja është se si do të ndikojë kjo në rrugën e integrimit evropian të Serbisë?
Francis Fukuyama: Kjo është një përpjekje për të përdorur Kinën si një mjet kundër BE-së, pasi kjo e fundit ka treguar përmbajtje ndaj procesit të zgjerimit për shkak të problemeve që ka me disa vende anëtare të reja nga Evropa Lindore. Ky hezitim i BE-së i ka hapur rrugë Kinës. Por, në fund të fundit kjo nuk është një gjë e mirë për këto vende (të Ballkanit) sepse ato e mbingarkojnë veten përtej mundësive që kanë. Pastaj bien në kurth të borxhit, siç është rasti me Malin e Zi dhe nuk arrijnë të kenë rritjen ekonomike siç e kanë pritur. Në fakt, politikanët arrijnë të kenë përfitime afatshkurtra sepse ata janë në gjendje të thonë se kanë siguruar miliarda dollarë investime kineze, gjë që hap hapësirë për rritje dhe punësim, por, për fat të keq, shumica e tyre nuk realizohet kurrë.
Radio Evropa e Lirë: Në rastin e Serbisë, a bëhet fjalë edhe për një qasje shumëdrejtimëshe në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkatësisht një orientim edhe në BE-në, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën në të njëjtën kohë. A mund të jetë kjo ndoshta një reflektim i kohës së Jugosllavisë, kur Tito krijonte baraspeshë mes Perëndimit dhe Lindjes apo bëhet fjalë për një lojë politike që ka për qëllim të legjitimojë një regjim gjithnjë e më autokrat të saj?
Francis Fukuyama: Mendoj se bëhet fjalë për të dyja. Secili lider në atë situatë do të bënte përpjekje që të nxisë palët e ndryshme kundër njëra-tjetrës. Bashkimi Evropian në fakt ka një arsye të mirë për kujdes në procesin e pranimit të një vendi, siç është Serbia, sepse mendoj se ka disa prirje joliberale dhe autokratike në atë vend. Kjo siç thamë i hap rrugë Kinës. Kjo lloj konkurrence është pjesë normale e gjeopolitikës. Por, në fund të fundit, unë mendoj se nëse Serbia ose ndonjë vend në Ballkan, dëshiron të jetë pjesë e Evropës, ajo duhet të bëjë një zgjedhje thelbësore të vlerave. A dëshirojnë të jenë një demokraci liberale apo një joliberale, pra shtet gjysmë-autoritar. Derisa ta bëjnë atë zgjedhje, mendoj se do të jenë në pozitë të mesit.
Radio Evropa e Lirë: Por, kemi edhe brenda BE-së regjime autoritare dhe populiste, siç është rasti i Hungarisë dhe Polonisë. Pastaj lëvizje të tillë janë shumë të fuqishme edhe në demokracitë e konsoliduara, siç është Italia dhe Franca.
Francis Fukuyama: Të mos flasim për Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti, Donald Trump ka qenë pjesë e kësaj lëvizjeje populiste. Kjo po godet mjaft demokraci sot dhe mendoj se në planin afatgjatë paraqet ndoshta kërcënimin më të madh për praktikën demokratike.
Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi në Ballkan, i cili duket se paraqet një mundësi të shkëlqyer për Kinën që të shqetësojë dhe irritojë Bashkimin Evropian. Ish-komisionari evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, i pari i ka quajtur vendet e Ballkanit “Kali i Trojës”. Cilat mund të jenë pasojat, si për vendet e Ballkanit ashtu edhe për BE-në, duke pasur parasysh që Kina dhe Rusia po përpiqen të përfitojnë nga boshllëku i krijuar për shkak të lodhjes së zgjerimit brenda Bashkimit Evropian?
Francis Fukuyama: Kjo e kufizon në mënyrë të ndjeshme BE-në sepse politika e saj e jashtme duhet të zhvillohet me anë të konsensusit. Nëse një shtet anëtar, siç është Hungaria, kundërshton kritikat e BE-së ndaj trajtimit të ujgurëve ose shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Kina apo edhe politikën e saj në Hong Kong, atëherë çdo masë e BE-së do të bllokohet. Kjo i bën këto përpjekje të Kinës për të forcuar ndikimin e saj në Evropën Lindore një mjet shumë efektiv për të kufizuar veprimin politik të BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Sikur në BE që ekziston lodhja nga zgjerimi edhe në Ballkanin Perëndimor ekziston lodhja nga pritja. Është mjaft e përhapur bindja se ky rajon nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së. Ju çfarë mendimi keni? Në një moment të caktuar a do të bëhen këto vende anëtare të BE-së, apo jo?
Francis Fukuyama: Unë mund ta imagjinoj se kjo do të ndodhë. Mendoj se disa vende të Ballkanit kanë bërë hapa të mëdhenj përpara në përmirësimin e institucioneve. Një shembull i mirë është Maqedonia e Veriut, e cila ka zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë, ka një qeveri te re, është bërë anëtare e NATO-s. Mendoj se pika fillestare për çdo vend që ndihet i lodhur është përmirësimi i institucioneve. Ky nuk është një veprim i vullnetit të mirë ndaj BE-së, por edhe për vetë vendin.
Politikanët nacionalistë po luajnë me zjarr
Radio Evropa e Lirë: Nacionalizmi në Ballkan mbetet ideologjia më e fuqishme, fatkeqësisht edhe në një pjesë të madhe të botës. Pse politikat dhe nacionalizmi i shekullit të 19-të mbesin të fuqishme në krahasim me opsionet tjera politike?
Francis Fukuyama: Kjo është e vërtetë, ne jetojmë në një botë me nacionalizëm të fuqizuar. Pas vitit 1945, të paktën në Evropën Perëndimore jemi larguar nga nacionalizmi, pasi shkaktoi dy luftëra botërore dhe shembjen e tmerrshme të civilizimit evropian. Tash, problemi është se shumë njerëz kanë harruar se si dukej situata kur nacionalizmi doli jashtë kontrollit. Ballkani e përjetoi atë në luftërat e viteve 1990 dhe unë nuk mendoj se dikush dëshiron të kthehet në atë situatë. Kështu që politikanët nacionalistë po luajnë me zjarr.
Radio Evropa e Lirë: Pandemia e koronavirusit e ka bërë më të kujdesshëm komunitetin ndërkombëtar ndaj qëllimeve të Kinës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po përpiqet të krijojë një aleancë më të gjerë për të frenuar Kinën. A do të mundet të ndalë ambiciet gjeostrategjike të Kinës?
Francis Fukuyama: Kjo është një pyetje e rëndësishme për gjeneratën e ardhshme sepse Kina është e fuqishme dhe ngritja e saj do të vazhdojë. Të gjitha shtetet e fuqishme e manifestojnë ndikimin e tyre në mënyra të ndryshme, dhe kjo është diçka me të cilën vendet perëndimore do të duhet të merren në të ardhmen. Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja shpesh janë të ndara për një numër çështjesh, përfshirë marrëveshjen për investimet kineze, dhe kjo paraqet një problem. Vendet perëndimore do të jenë në gjendje t’i rezistojnë Kinës vetëm nëse bien dakord të bashkëpunojnë. Ky është një projekt për të cilin të gjithë duhet të punojmë tani.
Radio Evropa e Lirë: Ekziston një dilemë se çfarë në fakt dëshiron Kina në arenën ndërkombëtare, të lëkundë rendin ekzistues global që udhëhiqet nga Perëndimi, duke synuar ndikim më të madh në të apo krijimin e një sistemi alternativ ndërkombëtar?
Francis Fukuyama: Mendoj se as vetë kinezët nuk e kanë një ide të qartë se çfarë dëshirojnë. Mendoj se nga rendi ekzistues liberal, ata kanë përfituar në shumë mënyra pasi u ka mundësuar atyre eksportet në vendet perëndimore. Një nivel i tillë i eksporteve ka qenë baza e rritjes ekonomike në 30 vjetët e fundit. Nga ana tjetër, qartazi ata dëshirojnë më shumë ndikim në institucionet ndërkombëtare. Për këtë arsye ata e filluan iniciativën “Brezi dhe Rruga”, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë dhe përpiqen të kyçin sa më shumë njerëz të tyre në organizata të shumta ndërkombëtare, jo domosdoshmërish për të krijuar një sistem paralel, por për t’u siguruar se i shërbejnë interesave të politikës së jashtme kineze.
Radio Evropa e Lirë: A janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina në drejtim të një konflikti që mund të çonte drejt një lufte të re të ftohtë?
Francis Fukuyama: Unë gjithmonë e kam parë si qesharake idenë që SHBA-ja dhe Kina të udhëheqin bashkërisht botën. Ju nuk mund të keni ujdi mes dy vendeve aq të kundërta, në aspektin ideologjik, për çështje globale. Kina nuk ka shumë aleatë, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kanë. Prandaj, detyra kryesore e Uashingtonit është të krijojë marrëdhënie të mira dhe të ndajë barrën me aleatët, në mënyrë që vendet perëndimore, si një bllok, të mund të kundërshtojnë ndikimin autoritar në pjesë të ndryshme të botës. Në këtë aspekt, për Shtetet e Bashkuara, raportet me demokracitë e tjera janë më të rëndësishme sesa raportet dypalëshe me Kinën.
Radio Evropa e Lirë: Pra, a ekziston rreziku i një luftë të ftohtë, apo ajo ka filluar e ne nuk jemi të vetëdijshëm?
Francis Fukuyama: Krejt varet si e definoni luftën e ftohtë. Unë mendoj se mundësia e një konflikti me Kinën po rritet dhe kjo është diçka që duhet ta planifikojmë, sido që të quhet luftë e ftohtë ose jo. Mendoj se dallimi thelbësor në lidhje me Luftën e Ftohtë është se rivaliteti mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik ndikoi në çdo etapë të raporteve. Sot ka interesa shumë të fuqishme në ekonomi, tregti dhe investime mes SHBA-së, Kinës dhe Evropës. Pra, është një situatë ndryshe nga ajo e Luftës së Ftohtë kur Bashkimi Evropian synonte të ishte autonom. Por, ne ende nuk e kemi arritur atë nivel, por “ndarja” është në proces dhe sipas mendimit tim, ajo do të vazhdojë.
Radio Evropa e Lirë: Libri juaj “Fundi i Historisë“ më së miri e ka përshkruar periudhën pas rënies së Murit të Berlinit, pra përhapjen e demokracisë dhe globalizmit. Tash, jemi dëshmitarë të një kthimi prapa të historisë dhe jo fundit të saj, pra rënie të nivelit të demokracisë, të globalizmit. Si ndodhi kështu?
Francis Fukuyama: Ekzistojnë shumë faktorë të këtij ndryshimi. Ngritja e Kinës do të ndodhte në çdo rrethanë dhe kjo nënkupton një ulje të ndikimit të SHBA-së dhe Evropës. Pastaj, globalizmi i shpejt pasoi rritjen e populizmit në vendet perëndimore, duke shkaktuar probleme shoqërore. Me kohë, njerëzit janë mësuar me paqen dhe përparimin dhe kanë rritur pritjet. Kjo ndodhi në Bashkimin Evropian. BE-ja është një nga institucionet më të suksesshme në histori pasi parandaloi luftën mes Francës dhe Gjermanisë. Sot, një luftë e tillë është e paimagjinueshme. Megjithatë, njerëzit e marrin këtë situatë si të mirëqenë dhe dëshirojnë që BE-ja të ofrojë gjëra tjera për ata dhe nëse këtë nuk e përmbushin, ata nuk janë të kënaqur. Pritjet e njerëzve janë gjithnjë në rritje dhe institucionet shumë shpesh nuk janë në gjendje t’i përmbushin ato. Ky është një problem i vazhdueshëm në politikë.
Radio Evropa e Lirë: Ken Jovvit më 1992 shkroi librin “Çrregullimi i ri botëror”, dhe pas tij, Samuel Huntington shkroi “Përplasja e Qytetërimeve”. Ka pasur kritika ndaj tyre për pikëpamje pesimiste. Por, 30 vjet pas, a mund të kenë pasur të drejtë ata? A jemi dëshmitarë të përplasjes së civilizimeve kur shikojmë në ekstremizmin islamik dhe rritjen e tensioneve mes Perëndimit dhe vendeve joperëndimore?
Francis Fukuyama: Në njëfarë mënyre ka përplasje të qytetërimeve me botën myslimane, por nuk është si Lufta e Ftohtë. Edhe brenda vetë botës myslimane ka ndarje të thella midis sunitëve dhe shiitëve. Pra, midis një islami më liberal dhe atij konservator. Mendoj se ky do të mbetet një problem rajonal edhe pse myslimanë ka në të gjithë botën. Sidoqoftë, kjo fe nuk do të përhapet përtej vendeve që tashmë janë myslimane historikisht dhe në aspektin kulturor.
(REL)