Larg dhe afër. Edhe pse fushata e tanishme është një prioritet për ata që jetojnë në vendlindjen tonë, gjithsesi, ne të ikurit, ndihemi të etur t’i hedhim një sy “përleshjve elektorale”. Sinqerisht dëshirojmë që të fitojë ajo forcë që beson populli dhe shumica, ai front elektoral që vërtet premton dhe ofron shpresë. Dhe natyrisht në kësi rastesh, është normale që shpresa të shihet tek alternativa tjetër, jo thjesht tek pushtetmbajtësit. Ndryshe cila është diferenca midis kohës “Grusht bashkuar rreth partisë” dhe një shoqërie demokratike që zgjedh dhe gjykon në liri?!
Personalisht dëshiroj dhe uroj që Shqipëria të mbajë zgjedhje normale. Duke respektuar ligjin dhe lirinë e individit për të zgjedhur. Dhe vetëm duke parë këtë le të respektojmë rezultatin, por jo duke u “lexuar” mendjet shqiptarëve apo duke iu imponuar përmes pushtetit dhe “magjisë” së punës shtetërore. Jo duke u filmuar votën sikurse iu bë ish-preisdentit Topi. (!!)
Natyrisht, të bëjnë përshtypje shumë “broçkulla” në këtë fushatë si psh ‘Shqipëria Amerikë e Amerikave…” etj, por ajo që më ngacmoi të shkruaja këto radhë është sulmi në blok që bëjnë Berishajt dhe Topallajt ndaj “Autobusit mavi” siç gajasen ta quajnë ata, që alternativa tjetër ka zgjedhur si sfidë ndaj qeveritarëve të tanishëm. Personalisht, si shqiptaro-amerikan, e kam parë si një zgjidhje interesante “fushatën me autobus” të kundërshtarëve të Berishistëve. Kjo është jo vetëm domethënëse në përballjen me publikun, ku kandidatët e mundshëm vijnë “me një autobus” por është edhe ekonomike. Kur për herë të parë kam parë në Amerikë “Autobuzët elektoralë” gjëja e parë që më ka rënë në sy ka qënë “kostoja elektorale” dhe si të thuash afrimi tek votuesi. Kjo nuk është thjesht “turma vjen tek turma” por ata që kërkojnë votën vijnë tek votëdhënësi si dasmorë në një karvan, në një “karrocë elektorale” që sikur ngre ura besimi dhe bashkëbisedimi. Madje “autobusët elektoralë” në SHBA shpesh qëndrojnë fermë më fermë, qytet më qytet dhe dëgjojnë votuesit, shkëmbejnë mendime, dabatojnë rrugët e zhvillimit dhe bëjnë premtime elektorale. Më duket se me këtë zgjidhje, oponentët “e përgjakur” nga qeveria Berisha, i kanë bërë sfidën më të fortë kryeministrit aktual. Ata jo vetëm kanë sjellë një model perëndimor të udhëtimeve elektorale, por pak a shumë e kanë bërë më të dukshëm sindromin “folë me vete” të Sali Berishës. Ndërsa qeveria merr vendime për të mos përdorur mjetet e administratës në fushatë, elekotrati nuk e sheh qartë se si Berisha në mëngjes është në Librazhd dhe në drekë përfundon në Kukës. Natyrisht, ai që mban pushtetin ka avantazh ndaj kundërshtarit pa pushtet, por “Autobuzi mavi” duket se sikur ia ka maviosur të ardhmen Berishë-Topallit “çiftit” më të shëmtuar politik të 100 vjetëve të shtetit shqiptar.
Duke parë shkarazi disa kronika elektorale, ndihesh si në vitet 90të kur ish-komunisti Berisha “anatemonte” sistemin komunist. Ne atëhere besonim se gjithë të këqijat i kishim nga komunizmi, por ajo që nuk mund të besohet pas më shumë se dy dekadash, që sërish, po ai Berishë i tregon popullit “Bijtë e etërve”. Dhe këta “bij” komunistësh ai i sheh në një autobus elektoral si ai që udhëtonte Obama, gati 5 vjet më parë.Kjo e tmerron një njeri të sëmurë ndaj pushtetit dhe lavdisë falë karriges. Kjo me sa duket është arsyeja kryesore e xhindosjes së çiftit Berisha-Topalli ndaj “autobusit mavi”, që duket se shkon tek votuesi shqiptar me një shpresë të re, me një frymëzim ndryshe, me një adresim ndryshe të problemeve dhe shqetësimeve shqiptare, që vërtet i nevoitet shoqërisë aktuale.
Ndaj ekipi qesharak i ish-komunistit Berisha nuk bërtet më “ne jemi ndryshimi” nuk bërtet më “ta bëjmë Shqipërinë si gjthë Europa” (se ne ja kaluam të gjithëve) ndaj sot ky ekip qesharak politikanësh që nuk kanë asgjë vertebrale-programore përveç “besnikërisë” (Private) ndaj ‘Xhaxhit Sali”dhe bërtasin “Përpara…Përpara…” Ose e “frymëzojnë” popullin të ligjërojë “O Sali, t’u bëfsha ferrë/ Merr pushtetin dhe njëherë….”
Diku lëviz një autobus, ku duket një frymë ndryshe, një politikë ndryshe, një realitet dhe rivalitet ndryshe. Ndaj, ky “autobus mavi” është e qartë se po paraprin “kortezhin” e dështimit të Sali Ram Berishës për të bërë shtet. Populli nuk ka faj. Si kurrkush në Ballkan, madje edhe në botë, shqiptarët e bënë tëpabërën, i dhanë shans që nga “hiri politik” Berisha të bënte shtet të së drejtës, dhe të ofronte shans për çdo shqiptar. Shqiptarët i dhanë një shans historik që dhëndërri i Sërbisë “të nusëronte” për herë të dytë në Tiranë. Ai nuk diti. Ai sapo erdhi filloi me shkatërrim dhe përbaltje ndaj ish-bashkiakut Rama. Rama ndërtonte Tiranën, ai filloi “nusërimin e dytë” duke prishur. Ashtu si tek legjenda Rozafa. Pra si “shkollë e vjetër” ai diti vetëm të anatemonte dhe pabesonte, të gjithë kundërshtarët dhe institucionet, madje edhe ish-presidentin Topi. Ai për hir të pushteti “u puth” me të gjithë, me Xhuvelë dhe Ilir Metë, me Milloshë dhe zogistë….Vetëm e vetëm që të “mbretërojë” në pushtet…
Zoti Berisha, njerëzit e thjeshtë pa pushtet dhe lavdi pushteti, jetojnë mbase më mirë se zotërote që je rrethuar nga lloj lloj frikërash dhe alushilacionesh. (Pse nuk gjen një “sozi” që të jesh disi i qete?)… Unë në shtetin ku jetoj qysh nga ardhja 14 vjet më parë jam qeverisur nga 3 kryeqeveritarë krejt të ndryshëm, kam votuar senatorë e kongresmenë që kanë ardhur e kanë ikur. Ikja është e mirë. Ikja është ardhje për dikë që mund të bëjë punë më të mira se sa ke ditur të bësh zotërote. Aq di, aq bën, thotë populli. Ti aq ke ditur, aq ke bërë. Është koha për të ikur.Ikja është kaq e thjeshtë. Ikja është ikje sikurse ika unë 14 vjet më parë nga Shqipëria që përgjaku e shkrumbosi egoja jote pushtetmbajtëse. Bëhu gati të ikësh, sepse ti njeh vetëm monologun dhe diktatin. Ti nuk mund të ndryshsh më. Është shumë vonë. Nuk fajësohesh për këtë. Është mirë që edhe ti, Sali Berisha, të hipësh në autobus. Provoje të shkosh tek vendlindja jote me autobus, ose së paku me autobus blu…
Shpesh unë marr autobusin të shkoj në punë kur makina ime ka difekt. Sinqerisht shoh një realitet ndryshe, që më zgjon dhe mua si qytetar amerikan…
Mos ki frikë nga autobusi. Aty udhëton populli, zotni ish-president.
(Shefqet Meko është ish-gazetar në Radio “Tirana”, sot qytetar amerikan ne Minneapolis, Minnesota në SHBA.)