Fushata për mbrojtjen e lagunës së Nartës zhvillohet edhe në Gjermani

Mynih, 16 gusht 2023 – Organizatat EuroNatur dhe BUND me qendër në Gjermani, në një deklaratë të përbashkët për shtyp të mërkurën, kërkuan tërheqjen e Aeroportit të Mynihut (MAI) nga projekti për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, për shkak të dëmit që parashikohet të sjellë në mjedis.

Ndërtimi po bëhet afër lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë për migrimin ndërkombëtar të shpendëve në Shqipëri, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare.

Pas një ekspedite në zonë, drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer dhe kryetari Rajonal i BUND, Richard Mergner, paraqitën para mediave problematikat që mbart ky projekt.

“Ne kemi parë tufat e flamingove që jetojnë atje në Lagunën e Nartës – aeroplanët do të fluturojnë pikërisht në këtë zonë të mbrojtur,” apeloi Mergner.

“I bëjmë thirrje qeverisë bavareze, qeverisë federale dhe qytetit të Mynihut si aksionarë të MAI-t të sigurojnë që mandati i konsulencës për Aeroportin e Vlorës të anulohet dhe MAI të tërhiqet nga projekti,” shtoi ai.

Ndërsa Schwaderer, drejtori ekzekutiv i EuroNatur, e quajti të “paimagjinueshme” ndërtimin e një  aeroporti në mes të një zone të mbrojtur.  “Edhe Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian kanë kritikuar ashpër ndërtimin e aeroportit dhe kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndalojë këtë projekt, i cili është i dëmshëm për natyrën,” tha ai duke kërkuar që gjatë negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë të mos injoroheshin apelet e BE-së.

Në mars të vitit 2022, kryeministri Edi Rama tha se aeroporti i Mynihut do të ishte operator i Aeroportit të Vlorës dhe përdori emrin e tij si një garanci për standardet e projektit të qeverisë.Por sipas organizatave mjedisore, Aeroporti i Mynihut, një kompani me aksione shtetërore dhe Ministria bavareze e Financave e kanë mohuar këtë.

“MAI thotë se po vepron në një rol këshillues,” thuhet në deklaratën e dy organizatave,  të cilat kanë ngritur shqetësimin për projektin e qeverisë shqiptare pranë autoriteteve gjermane.

“EuroNatur ka kritikuar ndërtimin e aeroportit në një letër drejtuar kryeministrit (Bavarisë) Markus Söder më 9 shkurt, ku gjithashtu ka vënë në dukje përfshirjen e MAI,” thuhet më tej në deklaratë.

Organizata ndërkombëtare EuroNatur ka qenë aktive për ruajtjen e natyrës në Shqipëri dhe mbështet partnerët e saj vendas të projektit, PPNEA dhe AOS, në përpjekjet e tyre kundër aeroportit.

Organizatat PPNEA dhe AOS nisën një betejë ligjore në nëntor të vitit që shkoi për të ndaluar ecurinë e ndërtimit të këtij aeroporti, duke dorëzuar një padi në Gjykatën Administrative kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore në projektin e qeverisë.

Laguna e Nartës ndodhet në deltën e lumit Vjosa, pikërisht në një nga pjesët e fundit të paprekura të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Vjosa ka fituar famë të madhe këtë vit: pas dhjetë vitesh fushatë nga EuroNatur dhe organizatat partnere të saj Riverëatch dhe EcoAlbania, lumi u shpall Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë dhe u vu nën mbrojtje nga qeveria shqiptare.

Aeroporti i Mynihut është një degë në pronësi të plotë të Flughafen München GmbH (FMG) me aksionerë shtetin e Bavarisë me 51 për qind, Republikën Federale të Gjermanisë me 26 për qind dhe qytetin e Mynihut me 23 për qind.

(Reporter.al)