Gabimet

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi

Ambicja për t’ia kaluar diktatorit, në krime, bëri që shumë udhëheqës ranë në kurthin e tij, dhe ai i dënoi a i vrau. Balluku, Shehu, Hazbiu, etj., njerëzit më besnikë të Hoxhës, nuk donin shembjen e diktaturës; apo ndonjë lloj demokracie; ata ishin pjellë e saj, qëndronin brenda saj, ëndërronin vetëm sesi të bëheshin më shtazë se Hoxha. Kjo ishte “tradhëtia” e tyre. Sa e vërtetë për të qeshur duket gjithë kjo, parë në konteksin e sotëm me nostalgjinë për diktaturën; shtypi e ushqen çdo ditë; ia merr kohën lirisë së fjalë për të përsëritur, nëpërmjet kujtimeve, me transkiptime, mbledhjet e burosë politike, ose proces verbalet e “shokut Enver”; kur pinjollë, xhonglerë të diktaturës, që thonë se ziheshin me prindërit pushtetarë – njerëz mediokër që s’bënin dot përpara pa ndërhyrjen e pushtetit – lejohen të merren me politikë a të bëhen “lidera”. Sa herë një popull duhet të bjerë viktimë për të kuptuar se është vërtetë viktimë? Të mos nxjerrësh mësim është paaftësi; njeriu, gabimet, ka frikë t’i lejojë, bëhet i patolerueshëm, sepse nuk di se si t’i ndreqi, dhe përfundon djallëzor.