Gabriel Escobar tregon tri kërkesat e SHBA-së për Albin Kurtin

Londër, 4 qershor 2023 – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në pjesën veriore të Kosovës mund të shmangeshin.

Në një intervistë për BBC, ai ka thënë sensionet janë provokuar ng apala kosovare, me institimin që kryetarët e rinj të komunave në veri të ushtrojnë funksionin e tyre në objektet komunale.

“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”, ka thënë Escobar.

“Nuk ka pasur nevojë të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të zbrazëta tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetin administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”, ka shtuar ai.

Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës kanë hasur në rezistencë. Ai ka theksuar se cikli i dhunës në veri duhet të ndërpritet menjëherë dhe se të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi të veprojnë në këtë drejtim.

Ai ka thënë se tensionet në veri, përveç për shkak të marrrëdhënieve midis Kosovës e Serrbisë, janë edhe pasojë e mungesës së pajtimit etnik  brenda në Kosovë.

“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përballje në mes Kosovës dhe Serbisë. Por, na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për të arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”, ka thënë Escobar.

I pyetur se çfarë kërkon tani SHBA-ja nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Escobar ka thënë se Kurtit i janë dërguar tri porosi.

“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat dhe, më pas, me urgjencë të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.

Escobar, bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do të shkojnë në Kosovë dhe në Serbi, më 5 dhe 6 qershor, për të inkurajuar dy palët që të ndërmarrin masa për shtensionimin e situatës në veri dhe për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

(r.m.)