GAP: Rritja e pagës minimale prek mbi 100 mijë punëtorë 

Prishtinë, 29 prill 2022 – Nëse paga minimale bruto në Kosovë rritet në 264 euro, atëherë ky vendim prek rreth 30 për qind të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës, thuhet në hulumtimin e publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP.

Sipas këtij hulumtimi, mbi 94 për qind e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.

Të gjeturat e këtij hulumtimi, të publikuar më 29 prill, bazohen në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2021.

Sipas Institutit, punëtorët që do të preken nga rritja e pagës minimale janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari e të tjerë.

Mes tjerash, GAP vlerëson se një rritje më e madhe e pagës minimale, shembull 300, 350 dhe 400 euro do të mund të dëmtonte qytetarët dhe ekonominë e Kosovës, pasi në atë rast sektorët më të prekur nga rritja, janë ata me shkallën më të lartë të informalitetit në vend.

Duke trajtuar këtë çështje, profesori i Ekonomisë, Musa Limani ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se me rritjen e pagës minimale do të rritet numri i punëtorëve pa kontrata, për arsye se disa biznese nuk kanë mundësi materiale të paguajnë punëtorin në vlerën e pagës minimale”.

“Ky do të jetë një problem më vete… do të paraqitet punësimi latent ose i fshehur. Në anën tjetër, do të ketë edhe mungesë të punëtorëve, sepse asnjë punëtor nuk do të punojë më nën vlerën e pagës minimale”, ka thënë ai.

GAP thotë se krahas rritjes së pagës minimale, është e rëndësishme që të rriten kapacitetet zbatuese dhe monitoruese lidhur me zbatimin e pagës minimale.

Mosha e punonjësve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale, sipas GAP-it është e ndryshme – prijnë punonjësit e moshës 25 deri në 34 vjeç.

Paga minimale në Kosovë – e pandryshuar që nga viti 2011 – aktualisht është 130 euro për të punësuarit nën 35 vjeç dhe 170 euro për mbi 35-vjeçarët.

Në mbledhjen e mbajtur më 13 prill, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, i cili sipas Ligjit të punës, propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, dhe që më pas kalon për miratim te Qeveria, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Atdhe Hykolli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se më 29 prill, ky Këshill do të ketë një takim lidhur me caktimin e pagës minimale.

Rritje të pagës minimale vazhdimisht kanë kërkuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kërkesa e tyre është rritur muajve të fundit, pas rritjes së vazhdueshme të inflacionit në Kosovë.

Inflacioni në muajin mars ka arritur në 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

(REL)