Uashington, 3 janar 2023 – Sesioni i 118-të i Kongresit të Shteteve të Bahkuara nis punën të martën me gjithë vëmendjen e përqendruar tek mundësitë e ligjvënësit Kevin McCarthy për të siguruar votat e mjaftueshme nga kolegët e tij republikanë për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është i dyti në radhë për zevëndësimin e Presidentit të vendit nëse ai nuk mund të përmbush detyrat e tij.
Ligjvënësi 57 vjeçar nga Kalifornia, Kevin McCarthy, i cili për një kohë të gjatë është përpjekur të marrë kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, të përbërë nga 435 ligjvënës, tani është shumë afër arritjes së synimit të tij, por ende nuk e ka të sigurt shumicën e nevojshme prej 218 votash.
Republikanët fituan një shumicë të ngushtë 222-213 në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar dhe do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët dhe kryetarja në largim Nancy Pelosi. Demokratët, tani kanë një shumicë 51-49 në Senat, ku në dy vitet e fundit kishin numër të barabartë senatorësh me republikanët dhe kishin nevojë për mbështetjen e nënpresidentes Kamala Harris për të miratuar një pjesë të ligjeve, të nevojshme për avancimin e axhendës së Presidentit Joe Biden.
Ligjvënësi konservator McCarthy fitoi 188 vota në grupin e ligjvënësve republikan në nëntor dhe që atëherë ka siguruar më shumë mbështetje në përpjekjen e tij për të arritur shumicën prej 218 votash për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Por një grup i ekstremit të djathtë brenda republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, pesë ose më shumë, janë shprehur kundër kandidaturës së ligjvënësit McCarthy për postin e kryetarit, duke thënë se ai nuk ka treguar përkushtim të mjaftueshëm për kauzën konservatore. Ata janë zotuar të votojnë kundër zotit McCarthy, gjë që do ta linte atë pa shumicën e nevojshme, sepse të gjithë demokratët pritet të votojnë për udhëheqësin e tyre të sapozgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësin Hakeem Jeffries nga shteti i Nju Jorkut.
Gjatë javëve të fundit, McCarthy ka zhvilluar biseda të shumta me grupin e republikanëve që e kundërshton atë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre.
Ai u ka ofruar atyre një sërë ndryshimesh në mënyrën se si funksionon Dhoma e Përfaqësuesve dhe poste në komisionet që shqyrtojnë legjislacione të rëndësishme për vendin. Njëri nga ndryshimet e propozuara do t’i jepte këtij grupi të vogël të ligjvënësve republikanë të drejtën për të thirrur një votim për të rihapur garën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve nëse ata nuk pajtohen me mënyrën se si zoti McCarthy po i trajton politikat e partisë ose hetimet që pritet të fillojnë kundër Presidentit Joe Biden dhe administratës së tij.
Por, përpjekja e zotit McCarthy për të marrë postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve vazhdon të jetë e paqartë, ndonëse ai nuk ka një rival me mbështetje të mjaftueshme që mund ta sfidojë atë.
Votimi për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve nuk e ka tejkaluar raundin e parë në 100 vjet, por kjo mund të ndodh të martën.
Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve bëhet përpara se ligjvënësit të bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar.
Nëse ligjvënësi McCarthy nuk merr 218 votat e nevojshme në raundin e parë, atëherë pritet të zhvillohen raunde të tjera votimi. Nëpunësi i Dhomës së Përfaqësuesve do të vazhdojë të thërrasë me mundim listën me emrat e të 435 ligjvënësve derisa zoti McCarthy, ose dikush tjetër, të arrijë shumicën e nevojshme për të marrë postin e kryetarit të saj.
(Zëri i Amerikës)