Nga Ruben Avxhiu
Dorëheqja e Joe Bidenit nga gara presidenciale ishte në fakt, diçka e pritshme pas debatit presidencial që zbuloi degradimin e tij fizik e mendor.
Ai dhe ekipi i tij bënë rezistencë të fortë, por ishte e pashmangshme. Procesi u përshpejtua edhe nga atentati i dështuar kundër rivalit Donald Trump, i cili në vend që të vdiste apo të lebetitej në publik, reagoi me guxim, duke dhënë pamje ikonë me grushtin lart dhe fytyrën gjithë gjak. Pas këtyre pamjeve, fati i Bidenit u vendos.
Si shkruante një gazetë angleze, “Plumbi që goditi Trumpin, vrau Bidenin”.
HYN NË SKENË KAMALA
Biden në fjalimin e tij të dorëheqjes nga gara, mbështeti në mënyrë të qartë Zëvendësen e tij Kamala Harris. Menjëherë pas tij, një aradhë figurash qendrore demokratësh u radhitën pas saj publikisht. Nuk pati debate apo dyshime. Në pak ditë, u njoftua se shumica e delegatëve të Konventës demokrate që mbahet së shpejti, janë në krahun e saj.
Dy gjëra janë të qarta këtu.
E para, anëtarët e Partisë Demokrate nuk patën mundësinë të zgjedhin në mënyrë demokratike kandidaten e tyre. Primaret ishin një formalitet me Bidenin kandidat të vetëm. Mirëpo, mesa duket as gati 4,000 delegatët nga e gjithë Amerika nuk kanë pse lodhen duke diskutuar për kandidatin më të mirë të mundshëm. Partia që pretendon se në këto zgjedhje po shpëton demokracinë në Amerikë, vendosi të mos e praktikojë brenda radhëve të saj.
E dyta, se plani për ta zgjedhur Kamala Harrisin duhet të ketë pak ditë më shumë që është vendosur, që shpjegon edhe shpejtësinë me të cilën elita e partisë veproi për të mos u dhënë kohë kandidatëve të tjerë që të dalin në skenë.
Është apo nuk është e vërtetë që më shumë se gjysma e delegatëve janë në Ekipin Harris, kjoo është deklaruar dhe kushdo që guxon tani të ofrojë një alternativë tjetër do të akuzohet se po përçan partinë. Për shkak të vonesës nga ish-Presidenti Barack Obama që të uronte Bidenin për dorëheqjen dhe që të mbështeste Harrisin, ka teori sipas të cilave ai kishte në plan një tjetër kandidat për president mirëpo krahu Harris, i ndihmuar nga Hillary Clinton dhe Nancy Pelosi ia punoi keq.
(Nuk e di nëse inatet mes zonjave Clinton dhe Pelosi dhe ish-Presidentit Obama e kanë origjinën në vitin 2008, 2016, apo kanë të bëjnë me zhvillime të viteve të fundit?)
Kamala Harris ka vuajtur në rezultatet e anketimeve gjatë dy viteve të fundit. Nuk ka mundur të fitojë popullaritet si Zv-Presidente dhe interneti është i mbushur me klipe që bëjnë humor me fjalimet e saj. Pas disa mjeshtrave të oratorisë si Bill Clinton dhe Obama apo mjeshtre të hartimit të politikave, programeve të detajuara, dhe projekteve vizionare si Hillary Clinton, Demokratët duket se po e lënë elokuencën dhe erudicionin për nivele më të ulëta të qeverisjes, duke besuar te energjia dhe identiteti i zonjës Harris.
Kandidatura e saj në mënyrë të qartë ka rienergjizuar bazën e partisë, sidomos pjesën më të majtë saj. Pikërisht andej nga mendohej që do të dilte një alternativë tjetër e fortë në Konventë.
Po a mund të bindë ajo votuesit e pavarur? Dhe sa është e aftë një kandidate që nuk ka provuar të fitojë sfidën shpartalluese të primareve të përballojë ashpërsinë e fushatës së përgjithshme presidenciale?
Këto do të fillojnë të marrin përgjigje vetëm në vjeshtë, atëhere kur do të jetë shumë vonë për të ndryshuar përsëri kandidat.
TRUMP NXJERR TYM
Nuk është më kjo Amerika me politikën e së cilës jam dashuruar. Ajo mbase ka kohë që ka marrë fund. Dorëheqja nga Joe Biden ishte rasti që ish-Presidenti Donald Trump ta falenderonte dhe lavdëronte publikisht si e do tradita e politikës amerikane.
Trump kishte fituar një imazh tjetër pas atentatit dhe në fjalimin e tij qendror në Konventën Kombëtare Republikane u përpoq të ishte presidencial, një zë bashkues për kombin. Ajo punë u harrua. Ka disa ditë që vetëm shfryn kundër Bidenit dhe Demokratëve se pse ndryshuan kandidat. Se pse ai ka shpenzuar miliona dollar deri tani në fushatë kundër Bidenit dhe tani kandidati u ndryshua.
Kandidati sigurisht caktohet në mënyrë zyrtare vetëm në Konventën Kombëtare të partisë. Çfarë rëndësie ka tani që do të jetë Kamala dhe jo Joe? Trump duhet të sillet si njeri serioz.
Republikanët do të votojnë masivisht për ish-Presidentin Trump. Puna është që ta kurorëzojë përpjekjen duke marrë edhe votat e të paanshmëve. Do të ishte më mirë që Trump të mos e prishte gojën sa kohë që udhëheq në anketime. Por Trump nuk do të ndryshojë tani që po shkon 80 vjeç.
GABIMI I KANDIDATIT REPUBLIKAN
Trump mund të ketë një arsye tjetër që është i nxehur. Ai bëri një gabim strategjik. Pranoi që debati presidencial të bëhej në qershor.
Për dekada me radhë, debatet mes kandidatëve presidenciale të dy partive bëhen në muajin tetor. Shumë javë mbasi janë zyrtarizuar nga Konventat përkatëse.
Ky debat i parakohshëm u dha mundësi Demokratëve që të testonin Presidentin Biden, ta shihnin nëse ishte në gjendje të konkurronte dhe ta zëvendësonin në kohë.
Nëse Trump do të kishte refuzuar, Bideni do t’u mbetej Demokratëve në duar deri në tetor dhe pastaj do të ishte shumë vonë për ta ndërruar. Pa spektaklin skandaloz të debatit, Demokratët nuk do të dinin si t’ia justifikonin bazës ndryshimin e kandidatit.
Pse pranoi të debatonte? Sipas të gjitha gjasave, Demokratët e dinin se çfarë po bënin. Ishte një dredhi, por ajo nuk do të kishte pasur sukses nëse Donald Trumpi nuk do të binte dakord.
Tani duket se Trump po plas nga inati, por fajin e ka vetë. Demokratët po përgatisin edhe dredhi të tjera në javët dhe muaj e ardhshëm. Që tani po hapin fjalë se Trump është penduar që zgjodhi si zëvendës Senatorin J. D. Vance. E vërtetë apo jo? Nuk ka rëndësi. Synimi është tensioni psikologjik.
Kjo është fushata më e madhe zgjedhore në botë, por në shumë kuptime është edhe banale dhe e thjeshtë.
KUSH PO E QEVERIS AMERIKËN?
Republikanët e kanë gjetur ndërkohë një argument të mirë. Nëse Joe Biden nuk është në gjendje të debatojë, nuk është në gjendje të drejtojë një fushatë zgjedhore, si qenka në gjendje të drejtojë Shtëpinë e Bardhë që është një punë shumë më e vështirë dhe e ndërlikuar?
Sipas tyre, tani që dha dorëheqjen nga gara, Biden duhet të japë dorëheqjen edhe nga posti i Presidentit, ose të përballet me një “impeachment”, për t’u shkaktuar për paaftësi fizike dhe mendore.
Demokratët po kundërshtojnë dhe po e shpërfillin thirrjen, por ajo nuk ka vetëm vlerë partiake. Tingëllon llogjike.
Kundërshtarët e Amerikës në botë mund të marrin guxim nga paqartësia në krye të qeverisjes së Shtëpisë së Bardhë për të provokuar në pika të mundshme konflikti në botë, si në Taivan nga Kina, në kufirin mes dy Koreve, në Lindjen e Mesme, në veri të Kosovës, apo në vendet Baltike nga Rusia.
Dorëheqja nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Ajo mund të vijë edhe gradualisht duke i kaluar më shumë funksione Zv-Presidentes Kamala Harris. Kjo do t’u jepte mundësi amerikanëve të shihnin në muajt e fundit se sa e zonja është ajo nëse vendoset në krye të vendit.
Mbase ajo që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, është që nëse Administrata bën ndonjë gabim, faji do t’i vihet Presidentit Biden, kurse nëse do të ketë ndonjë sukses, Harris do të vrapojë që të marrë meritën. Kur Bill Clinton ishte President dhe Zëvendësi i tij Al Gore kandidonte për President kundër George W Bush, në fund të garës, Clinton dhe Gore, dikur miq të ngushtë, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Harris mund t’i duhet ta kritikojë Bidenin aty ku nevojitet dhe ai duhet ta durojë.
Nganjëherë në debatin e tij të fundit me Donald Trump, Biden dukej sikur nuk e dinte se ku ishte. Shpresoj që në mos ai dikush tjetër në Shtëpinë e Bardhë do të dijë se çfarë do të bëjë nëse ndodh diçka katastrofike. Ligji e do që Harrisi të veprojë kur Biden nuk mundet. Kjo mund të kthehet në një vjeshtë të gjatë e plot rreziqe. Nëse Biden qendron në Zyrën Ovale, kjo do të jetë situata deri në 20 janar 2025, kushdo që të fitojë në nëntor.