Moskë / Uashington, 30 mars 2023 – Agjencia kryesore e sigurisë në Rusi ka arrestuar një gazetar amerikan që punon për gazetën “The Wall Street Journal” me akuza për spiunazh. Kjo është hera e parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë që një korrespondent amerikan arrestohet për spiunazh. Gazeta i mohoi akuzat ndaj gazetarit Evan Gershkovich.
Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) njoftoi të enjten se zoti Gershkovich u ndalua në qytetin Ekaterinburg, ndërsa po përpiqej sipas tyre të merrte informacione të klasifikuara.
FSB, pasardhësja e KGB-së sovjetike, aludoi se zoti Gershkovich “po vepronte sipas urdhrave të Shteteve të Bashkuara për të mbledhur informacione rreth aktiviteteve të një prej ndërmarrjeve të industrisë ushtarake ruse, që janë të klasifikuara si sekret shtetëror”.
Gazeta “The Wall Street Journal” deklaroi se i “mohon me forcë akuzat” dhe se kërkon lirimin e menjëhershëm të zotit Gershkovich. “Solidarizohemi me Evanin dhe familjen e tij”, u shpreh gazeta.
Arrestimi vjen mes tensionesh të ashpra ndërmjet Perëndimit dhe Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
Zoti Gershkovich është gazetari i parë amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh, që nga shtatori 1986, kur KGB-ja arrestoi gazetarin Nicholas Daniloff, korrespondent në Moskë për revistën “U.S. News and World Report”. Ai u lirua pa iu ngritur akuza 20 ditë më vonë, në shkëmbim të një punonjësi të misionit sovjetik në OKB, që ishte arrestuar nga FBI-ja.
FSB-ja nuk njoftoi se kur kishte ndodhur arrestimi. Zoti Gershkovich, i cili mbulon Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike si korrespondent në Moskë për “Wall Street Journal”, mund të përballet me deri 20 vite burgim, nëse dënohet për spiunazh.
FSB-ja përmendi se ai kishte akreditimin nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të punuar si gazetar, por zëdhënësja Maria Zakharova tha se zoti Gershkovich po i përdorte kredencialet për “aktivitete që nuk kishin të bënin aspak me gazetarinë”.
Raportimi i tij i fundit nga Moska, i publikuar më herët këtë javë, përqëndrohej tek ngadalësimi i ekonomisë ruse, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, që kur forcat ruse hynë në Ukrainë vitin e kaluar.
Arrestimi i zotit Gershkovich vjen pas një shkëmbimi në muajin dhjetor, kur ylli i basketbollit amerikan Brittney Griner u lirua pas 10 muajsh burgimi, në këmbim të trafikantit rus të armëve, Viktor Bout.
Një tjetër shtetas amerikan, Paul Whelan, drejtues i një kompanie nga Miçigani, mbahet i burgosur në Rusi që nga dhjetori 2018 me akuza për spiunazh, për të cilat familja e tij dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se janë të pabaza.
(Zëri i Amerikës)