Tiranë, 26 janar 2023 – Gazetari nga Lezha, Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij u sulmuan të mërkurën nga dy persona tashmë të shpallur në kërkim nga policia. Sulmi, që i shkaktoi Hilës dhe bashkëshortes dëmtime, pati si shkak raportimin prej tij në televizionin Report Tv dhe në gazetën Shqiptarja.com të një vendimi gjyqësor për dënimin për falsifikim të babait të njërit prej sulmuesve.
Policia e Lezhës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 16:40 dhe se ka identifikuar si “autorë të goditjes së gazetarit dhe bashkëshortes shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati të Lezhës, të cilët janë shpallur në kërkim policor dhe po vazhdojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tyre”. Dy personat u identifikuan si Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri.
Hila, që punon prej vitesh si korrespondent nga Lezha për Report Tv dhe Shqiptarja.com, por që po ashtu bashkëpunon edhe me BIRN, tha se para se të sulmohej ishte kërcënuar në telefon nga një prej dhunuesve për shkak të raportimit. Dy orë pas kërcënimit Hila u përball me dy persona që tentuan ta nxirrnin nga makina dhe qëlluan atë dhe bashkëshorten.
Megjithatë në një reagim pas ngjarjes Hila tha se nuk ishte dekurajuar dhe do të vijonte punën. “Këto veprime nuk e pengojnë misionin tim në shërbim të së vërtetës, punë të cilën e bëj me plot dëshirë dhe pasion prej 12 vitesh”, shkroi ai në një reagim. Hila tha se veç tronditjes pësoi lëndime të lehta, për të cilat mori mjekim në spital.
Sulmi ndaj Hilës u dënua ashpër nga dhjetëra kolegë gazetarë që e dënuan aktin si burracakëri, ndërsa i bënë thirrje policisë të reagonte dhe ndalonte autorët e dyshuar.
Reagim pati edhe nga European Centre for Press and Media Freedom (Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias), që e cilësoi sulmin ndaj gazetarit dhe bashkëshortes së tij shokues, ndërsa ofroi ndihëm praktike për të dy. “Jemi të shokuar nga lajmi që gazetari shqiptar Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij u sulmuan fizikisht në Lezhë”, thuhet në reagimin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Po ashtu Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (International Press Institute) reagoi duke u kërkuar autoriteteve të vendosnin shpejt para përgjegjësisë sulmuesit. “U kërkojmë autoriteteve shqiptare që me shpejtësi të ndalojnë dhe t’i vendosin para drejtësisë personat përgjegjës për këtë akt”, thuhet në reagim.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj po ashtu dënoi sulmin.
“Cënimi i fjalës së lirë, presioni dhe mbi të gjitha dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme”, thuhet në reagimin e Begajt.
Pas tij reaguan kryetarja e Kuvendit Lindidta Nikolla që e cilësoi sulmin dhunë të dyfishtë. Grupi Parlamentar i Partisë demokratike po ashtu e dënoi sulmin si të papranueshëm. Deputetja e PD-së Ina Zhupa njëkohësisht anëtare e Komisionit të Media, bëri thirrje për ashpërsim të dënimeve për sulmet ndaj gazetarëve, duke kërkuar që kjo të përfshihej në ligj si rrethanë rënduese.
(Reporter.al)