Gazetari Zijadin Gashi vdes në moshën 51 vjeçare

Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Gazetari nga Prishtina Zijadin Gashi ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare, pak muaj pas një operacioni nga tumori në tru. Ai ka lënë mbrapa gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi me vlerë në gazetari.

Gashi ka lindur në vitin 1973 në fshatin Busi të komunës së Prishtinës. Shkollimin fillor, të mesëm we të lartë i ka mbaruar në Prishtinë. Ai i ka vijuar edhe disa programe trajnimi për gazetari në Kosovë, në Evropë dhe në SHBA. 

Gashi ka nisur të merret me gazetari në vitin 1997. Ka punuar në disa medie të shkruara dhe elektronike në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me medie të huaja. Një kohë ka qenë shef i byrosë së Radios Evropa e Lirë në Prishtinë. Deri në diagnostifikimin e tij me sëmundjen e kancerit ishte kryeredaktor I televizionit TëVë 1 në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mesazhin e ngushëllimit për familjen Gashi dhe për komunitetin e gazetarëve në Kosovë e ka cilësuar Zijadin Gashin si gazetar me integritet të lartë professional.

“Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale”, është thënë Presidentja Osmani.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në mesazhin e ngushëlloimit për familjen Gashi, tha se Zijadin Gashi do të kujtohet me respekt për pasionin e tij për profesionin dhe për punën profesionale.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka ngjallur dhimbje dhe pikëllim të madh te familja, miqtë dhe kolegët, të cilët kujtojnë me respekt punën dhe pasionin e tij për profesionin”, thuhet në mesazhin e AGK-së.

Zijadin Gashi sivjet është nderuar me mirënjohje nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë.

(r.m.)