Gazetarit amerikan Evan Gershkovich i zgjatet për tre muaj paraburgimi në Rusi

Moskë, 24 gusht 2023 – Gjykata e Moskës ia zgjati deri në 30 nëntor paraburgimin gazetarit të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, raportoi agjencia e lajmeve Interfax.

Gershkovich u arrestua më 29 mars në qytetin Urals të Yekaterinburgut, në Rusi, mbi akuzat për spiunazh, për të cilat mund të dënohet me burgim deri 20 vjet.

Në seancën gjyqësore, Gershkovich i mohoi kategorikisht akuzat ndaj tij.

Mediumi amerikan “Wall Street Journal” i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj Gershkovichit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë se po tenton të sigurojë një marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve, në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve janë në pikën më të ulët që kanë qenë gjatë më shumë se 60 vjetëve të fundit për shkak të luftës së paprovokuar të nisur nga Rusia në Ukrainë.

Shërbimi rus i sigurisë (FSB) tha se Gershkovichi po mblidhte informacion lidhur me një kompani ruse të mbrojtjes – informacion që thotë se ishte sekret shtetëror. Kremlini tha se ai u kap “në flagrancë”, por nuk ka dhënë asnjë detaj për ta mbështetur këtë akuzë.

Shtëpia e Bardhë i ka quajtur akuzat “qesharake” dhe presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ndalimi i Gershkovichit është “krejtësisht i paligjshëm”.

Asnjë datë nuk është caktuar për gjykim. Gershkovich deri më tani ka qenë i pasuksesshëm në dy apelime, në prill dhe qershor, kundër paraburgimit të tij në burgun Lefortovo të Moskës, ku mbaheshin të dyshuarit e akuzuar nga shërbimi i sigurisë KGB në kohën sovjetike.

Ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy, është lejuar ta vizitojë atë në burg vetëm tre herë, së fundmi më 14 gusht, gjatë gati pesë muajve që nga arrestimi i tij.

Rusia ka thënë se çfarëdo shkëmbimi i të burgosurve mund të konsiderohet vetëm pas një vendimi gjyqësor dhe përmes një kanali të posaçëm të trajtuar nga shërbimet e sigurisë.

Rusia ka rënë dakord për shkëmbime të të burgosurve në të kaluarën, më së fundmi në dhjetor të vitit 2022 kur shkëmbeu Brittney Grinerin, një basketbolliste amerikane.

Uashingtoni është zotuar të bëjë “çfarëdo që të duhet” për t’i sjellë në shtëpi Gershkovichin dhe ish-marinsin Paul Whelan, të dënuar për spiunazh në vitin 2020.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar të dy burrat si “të arrestuar gabimisht”, që do të thotë se i konsideron akuzat kundër tyre si të falsifikuara dhe të motivuara politikisht.

(REL)