Moskë / Uashington, 12 mars 2022 – Faqja e parë e gazetës së njohur ruse “Novaya Gazeta” paraqiste një tablo të zymtë të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës këtë javë.
The latest print edition of @novaya_gazeta. “A release of Novaya, created in accordance with all the rules of Russia’s amended Criminal Code.” A mushroom cloud and a Swan Lake reference. Grim stuff. pic.twitter.com/vGY7ukACe5
— Kevin Rothrock (@KevinRothrock) March 9, 2022
Katër silueta balerinash shfaqen para një reje masive zjarri dhe tymi shkaktuar nga një shpërthim, nën titullin “Një kopje e ‘Novaya-s’, e hartuar në përputhje me të gjitha rregullat e kodit të rishikuar penal të Rusisë”.
Faqja i referohet intensifimit të tensioneve bërthamore, shfaqje së baletit “Liqeni i Mjelmave” që transmetohej vazhdimisht në televizionin shtetëror rus gjatë një përpjekjeje për grusht shteti nga KGB-ja në vitin 1991 dhe ndryshimeve të ligjit për median që parashikon ndëshkime serioze për “lajme të rreme” për luftën në Ukrainë.
Presioni ndaj medias së pavarur dhe organeve të huaja të medias në Rusi i ka detyruar shumë prej tyre të mbyllen ose të zhvendosin aktivitetin e tyre jashtë vendit. Gazetarët janë urdhëruar të përdorin vetëm deklarata zyrtare dhe të shmangin fjalët “sulm” dhe “pushtim”.
“Novaya Gazeta” me qendër në Moskë, e drejtuar nga fituesi i çmimit Nobel Dmitry Muratov, mori një paralajmërim nga agjencia rregullatore e medias “Roskomnadzor” në ditët e para të agresionit rus.
Që atëherë “Roskomnadzor” ka urdhëruar bllokimin e disa faqeve të medieve në internet, përfshirë edhe atë të shërbimit rus të Zërit të Amerikës.
Gazetarët e “Novaya Gazeta” janë mësuar të punojnë nën presion. Ata janë kërcënuar, ngacmuar, madje edhe janë vrarë për punën e tyre. Tani ata po përpiqen t’i mbijetojnë një ambjenti shtypës, thotë gazetarja Nadezhda Prusenkova.
Në një intervistë me shërbimin rus të Zërit të Amerikës, ajo flet për presionin ndaj mediave ruse dhe për përpjekjet e tyre për të vazhduar rrjedhën e lajmeve.
Intervista është përkthyer dhe përmbledhur:
Zëri i Amerikës: Si ndjehen gazetarët e “Novaya Gazeta-s”?
Prusenkova: Kam punuar për “Novaya Gazeta” për një kohë shumë të gjatë dhe kjo është ndoshta periudha më e vështirë në gjithë historinë e saj. Numri i fundit që e botuam ishte ndoshta më i vështiri, si nga ana teknike, ashtu edhe moralisht.
Zëri i Amerikës: Si po arrini të vazhdoni punën?
Prusenkova: Kur hyri në fuqi ligji për “lajmet e rreme”, pothuajse 30 organe të medias u bllokuan, u mbyllën ose u shkatërruan. Gazetaria ka humbur në Rusi, nuk ekziston më. Të paktën gazetaria e pavarur.
Ne vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë punën tonë. E kuptojmë që zëri ynë, edhe nëse nuk mund t’i quajmë të zezën “të zezë” dhe të bardhën “të bardhë”, është heshtur, sepse nëse i quajmë gjërat ashtu siç janë do të mbyllemi dhe nuk do të ekzistojmë më.
I pyetëm lexuesit tanë se çfarë të bëjmë nëse nuk e quajmë “operacionin special” me emrin e tij të vërtetë”? Nëse nuk shkruajmë dot për atë që po ndodh dhe lejohemi të botojmë vetëm njoftime shtypi nga Ministria e Mbrojtjes, gjë që ne nuk do ta bëjmë, sepse bie ndesh me etikën, logjikën dhe të gjitha ligjet e jetës.
Dhe lexuesit na mbështetën. Na thanë se nuk u interesonte se çfarë emri përdorim për gjendjen aktuale: “E dimë se çfarë doni të thoni, vetëm qëndroni sa të mundeni”.
Kjo është e vetmja arsye që nuk jemi mbyllur dhe nuk kemi ikur.
Zëri i Amerikës: Media si “Ekho Moskvy” janë bllokuar dhe mbyllur. A mendoni se fakti që Dmitry Muratov e mori çmimin Nobel për Paqe ka ndihmuar që “Novaya Gazeta” të vazhdojë të mos mbyllet?
Prusenkova: Të them të drejtën nuk e di. Po të nisesh nga logjika e tmerrshme që po ndiqet tani, çmimi duhet të jetë një argument për të na mbyllur. Si gjithë të tjerët, edhe ne morëm paralajmërime, e morëm një letër nga Ministria e Mbrojtjes ku thuhej se mediat, veçanërisht ‘Novaya Gazeta’, po botojnë informacione të paverifikuara dhe lajme të rreme. Kjo ishte para se ligji të hynte në fuqi. Pra, në këtë kuptim, nuk jemi të ndryshëm nga të tjerët. Thjesht po përpiqeshim të respektonim rregullat e një loje që nuk e njohim. Ne e kuptojmë se çmimi Nobel nuk është një koracë mbrojtëse. E kuptojmë që gjithçka mund të marrë fund në çdo moment, jo vetëm në ditët e ardhshme, por në orët dhe minutat e ardhshme dhe nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndaluar.
(Zëri i Amerikës)