Gazetarja Klodiana Lala: Tahiri mund të flasë, do fundosë shumë vetë, politika i trembet

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tha se Tahiri edhe mund të flasë, duke fundosur kështu sipas saj emra të tjerë politikanësh të rëndësishëm. Sipas gazetares, Tahiri nuk duhet të jetë i vetëm në qeli, pasi të tjerë emra mund të jenë të përfshirë.

“Dosja Tahiri nuk është çështje SPAK, por dosje e vjetër. Tahiri ka një hetim për shpërdorim detyre. Tahiri nuk duhet të ketë i vetëm në qeli. pasi ku është drejtori i policisë?

Ku janë ministrat e tjerë të linjës? A ka pasur dijeni kryeministri i vendit për kanabizimin?

Nëse Tahiri ka lejuar përhapjen e kanabizimit, ne kemi qenë dëshmitar që ka pasur masivizim të kësaj situate, por a ishte përgjegjës Tahiri? Drejtësia është e vonuar në këtë drejtim.

A kemi ministra të tjerë që kanë shpërdoruar? Patjetër! Beqja, apo dhe ish-ministri Koka. Unë mendoj se Saimir Tahiri duhet të flasë dhe të tregojë për përgjegjësit, që të shkojnë pas hekurave.

E tha dhe zoti Haxhiaj se disa politikanë duhet të vishen trashë në dimër. Ndaj edhe Tahiri mund të flasë. Zoti Haxhiaj e la të nënkuptohej se Tahiri edhe mund të flasë.

Nëse Tahiri flet, unë mendoj se lajmi i djeshëm i arrestimit të tij ka lënë pa gjumë shumë politikanë dhe shumë personazhe të tjerë.

Saimir Tahiri nuk flet për një çantë të zezë hipotetike, por fundos shumë veta. Mbetet për t’u parë nëse ai do të tregojë apo jo për kohën kur ai ishte ministër kampion.”, tha Lala.

Ndër të tjera Lala tha se rekursi në Gjykatën e Lartë do të kërkojë kohë që të shqyrtojë çështjen.

“Unë mendoj se Gjykata e Lartë do dojë kohë të shqyrtojë rekursin dhe mund të ndodhë të përfundojnë dënimin edhe para se kjo Gjykatë ta nxjerrë vendimin.

Besoj se pas 7 apo 8 muajsh mund të jemi bashkë për të folur. Theksi im është ky a është i vetëm Tahir, padiskutim që jo!

Nëse nuk është i vetmi person përgjegjës, do të duhet që Tahiri duhet të shkonte deri te vepra penale e trafikut të drogës, nëse është provuar lidhja me Habilajt.”, përfundoi Lala.

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar prapaskenat në lidhje me seancën maratonë nga gjyqi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tregoi orët e ankthit dhe pritjen e gjatë të ish-ministrit në ambientet e gjykatës dhe se si e priti ai lajmin.

“Ka qenë një ditë e gjatë dhe e tensionuar, pasi Apeli i GJKKO kishte përcaktuar orën 13:00 për të shpallur vendimin për Tahirin. Zoti Tahiri mbërriti në gjykatën e Apelit në 12:30 minuta, i shoqëruar nga avokati. Jashtë e prisnin njerëz të tij të afërt. Pasi kreu procedurat e kontrollit, hymë bashkë me të në orën 12:45 minuta. S’ka pasur asnjë shkëmbim bisede të Tahirit me avokatin. Ai ishte i tensionuar. E shprehte. Kuptohej që kishte ankth. Dikur rreth orës 14:10 minuta, një nga përfaqësuesit e Gjykatës na është lutur që të linim ambientet e Apelit të GJKKO. Zoti Tahiri pinte cigare, lëvizte në hollin e gjykatës. Mbante distancë nga mediat. Disa herë i sollën ujë, paketa me cigare. Kur shkuan rreth 4 orë pritje, filloi të shprehte shqetësim. Fliste me zotin Haxhiaj, e pyeste. Disa gazetarë i pyeti; si e shpjegoni ju këtë?! Më pas u lejuam që të hynim brenda dhe seanca të ishte publike. të ishin dhe kamerat. Por kryesuesi i e bëri pyetjen për zotin Tahiri dhe zotin Çela, dhe ish-ministri tha se nuk kishte problem. Kur u dha vendimi pati tronditje. Kur u kthye nga kamerat, se ne ishim live, shtrëngonte duart, ishte i prerë në fytyrë. Më pas e mblodhi veten dhe u kthye nga mediat. Ishte zoti Tahiri ai që i jepte kurajo zotit Haxhiaj. Zoti Haxhiaj e shpjegoi dhe jashtë. Se priste një vendim të tillë. Por tashmë ka një fakt që zoti Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.”, pohoi Lala.

Duke u ndalur te trupa gjykuese, Lala tha se: “Engert Pëllumbi ka kaluar vettingun, nuk i është gjetur asnjë gjë e dyshimtë në karrierën e tij. Në 2020-ën u caktua në Apelin e Vlorës. Më pas u caktua në Apelin e Posaçëm vetëm për rastin Tahiri. Ishte kandidat potencial për të kaluar në këtë çështje, pasi kishte kaluar vettingun.”.

Mes të tjerash Lala tregoi se pasi Tahirit iu vendosën prangat, ai u dërgua në ambientet e Policisë së Tiranës dhe më pas në burgun 313, ku u la i vetëm në qeli. Ajo tha se nata e parë në qeli për Tahirin ka qenë e qetë ndërsa shtoi se ai nuk kishte kërkuar asgjë, përveçse i kishin çuar cigare dhe disa veshje.

 

“Ka qenë se një nga opsionet ishte dhe ky vendim. Prangat u vunë në katin e nëndheshëm të gjykatës. I dhanë të drejtën e një telefonate. Më pas ai bëri dhe një reagim në rrjetet sociale. Më pas ai u transferua nga ambientet e gjykatës në ambientet e drejtorisë së policisë dhe ka dorëzuar sendet personale se ashtu është procedura. Më pas u dërgua në godinën nr 2 të burgut 313. Ligji parashikon që kur vendim i është i formës së prerë, ekzekutohet menjëherë. Është tërësisht ligjore se si ka vepruar policia. Por ai nuk kishte asnjë rrezik për t’u larguar. Ai ishte i përgatitur për të gjitha opsionet.

 

Ai u vendos në godinën nr.2 në burgun 313. Nga bisedat që kam bërë me zyrtarët e burgut, ai s’ka shfaqur shqetësim gjatë natës. S’ka bërë asnjë kërkesë. I kanë dërguar cigare dhe disa rroba që i duheshin gjatë natës. Është i çuar nga të dënuarit e tjerë. Ka specifika rasti kur bëhet fjalë për një ministër. Do të duhet të merren masat për të mos rrezikuar jetën e tij në burg. Ai do të shkojë në një burg të zakonshëm, por nuk është vendosur ende. Ky vendim është marrë pasi dënimi është i masës së lehtë. Ai është niveli më i lartë i zyrtarit që është arrestuar tani. Për shkak të qasjes së tij në publik, me mbështetjen e tij direkte të kryeministrit, bëhet fjalë për një rast të veçantë.”, tha ajo.

(BalkanWeb)