Gaza, 17 tetor 2023 – Gazetarja palestineze Reem Al Omari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se civilët palestinezë nuk kanë siguri në asnjë zonë të Rripit të Gazës, ndërsa po përballen me mungesa të nevojës bazike.
“Pavarësisht se u kërkoi civilëve të drejtoheshin në jug për të qenë të sigurtë, sulme me bomba gjatë natës nga ana e Izraelit në pjesën veriore Të Gazës kanë shkaktuar vdekjen e 71 personave dhe kanë plAgosur qindra. “Sot në Gaza nuk ka ujë, nuk ka ushqim. Njerëzit kërkojnë dëshpërimisht ujë dhe nevoja të tjera bazike. Rripi i Gazës është bllokuar totalisht. Sitauta në Gaza është shumë e keqë. Ka mbi 2 mijë persona të plagosur aktualisht në spital”, tha ajo.
Ish ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, udhëzoi popullsinë civile në Gaza që të largohet përpara ndërhyrjes izraelite me trupa tokësore. Ai e bëri përgjegjës Hamasin për vdekjen e civilëve në Gaza.
“Çdo viktimë civile në Gaza është përgjegjësi e Hamasit. Secila. Ishte një sulm i paprovokuar kundër Izraelit. Po kundërpërgjigjemi, po mundohemi të minimizojmë viktimat civile, por Hamasi po fshehet prapa tyre dhe po i përdor si mburoja të gjalla. Pjesëtarët e Hamasit janë frikacakë. Sulmojnë gra dhe fëmijë këtu në Izrael dhe pastaj shkojnë në Gaza dhe fshihen prapa grave dhe fëmijëve. Ne duhet t’i përndjekim ata dhe i bëjmë thirrje popullsisë në Gaza të shkojnë drejt jugut, të shkojnë në drejtim të Khan Yunis, në drejtim të kufirit me Egjiptin, dhe të mos qëndrojnë në pjesën veriore të Rripit të Gazës”, u shpreh ai.
Gazetarja Al Omari tha se pjesa më e madhe e popullsisë në veri të Gazës nuk ka pranuar të largohet. Sipas saj, edhe ata që kanë ikur kanë qenë në rrezik.
“Edhe ata që kanë ikur janë prekur nga sulmet me bomba ose me raketa nga ana e Izraelit. Nuk ka vend të sigurt as në veri dhe as në jug të Izraelit. Nuk ka vend të sigurt në Gaza për njerëzit. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e njerëzve në veri nuk u larguan drejt jugut. Megjithatë edhe ata që u larguan u prekën nga sulmet izraelit ndërsa përpiqeshin të ikin. Nuk ka siguri për ta”, u shpreh ajo.
Të martën, dhjetra persona u vranë nga sulmet me bomba të Izraelit në pjesën veriore të Gazës, në zonat nga të cilat u ka kërkuar palestinezëve të largohen përpara sulmit të pritshëm tokësor.
Zoti Danon tha se Izraeli po përgatitet për ta goditur në shumë fronte Hamasin, deri në eleminimin e grupit militant.
“E përjetuam një sulm të tmerrshëm. Këtu në qytetin Sderot, mbi 50 njerëz janë masakruar, mbi 1300 viktima, shumica prej të cilëve civilë, gra dhe fëmijë, janë dhunuar dhe janë rrëmbyer në Gaza. Po luftojmë për jetët tona, andaj do ta sulmojmë Hamasin dhe kur them se do ta sulmojmë do t’i sulmojmë nga deti, nga ajri dhe nga toka dhe do të sigurohemi që, kur ta kemi mbaruar këtë luftë, Hamasi nuk do të jetë në gjendje të sulmojë më. Është luftë për të zhdukur Hamasin”, tha ai.
Izraeli prej disa ditësh e ka bllokuar Gazën. Sipas organizatave të ndihmave, në qytet ekziston një gjendje shumë e rëndë humanitare. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po tentojnë të arrijnë një marrëveshje për të lejuar kalimin e ndihmave humanitare, por deri tani kjo nuk është arritur. Zoti Danon thotë se po synohet krijimi i korridoreve humanitare.
“Po punojmë me palë të tjera, të krijojmë korridore humanitare. Duam të mbështesim popullatën civile. E kuptojmë që janë të burgosur të Hamasit, andaj i nxisim të mos qëndrojnë pranë selisë së Hamasit, por të largohen tutje”, tha ai.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1 milionë palestinezë që përbëjnë rreth 60 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës, janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit.
(Klementina Cenkollari, Zëri i Amerikës)