Genc Ruli intervistohet në SPAK lidhur me privatizimin e Kompleksit Sportiv “Partizani”

Tiranë, 27 shtat 2022 – Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) e ka marrë në pyetje ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Rulin, lidhur me privatizimin e Kompleksit Sportiv “Partizani” në Tiranë.

Mediet në Tiranë raportojnë se intervistimi i Rulit ka zgjatur më shumë se një orë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Ruli ka dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin.

Sipas burimeve brenda SPAK-ut, Ruli u është përgjigjur të gjitha pyetjeve. Ai ka thënë se i ka zbatuar të gjitha procedurat e posaçme lidhur me privatizimin e Kompleksit “Partizani” që kishte qenë pronë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Vetë Ruli ka refuzuar të flasë për mediat lidhur me intervistën apo lidhur me çështjen në hetim.

Një ditë më pare, në SPAK është intervistuar edhe ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Vladimir Qiriazi. Ai është marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet e tij.

Më herët, për të njëjtën çështje, është intervistuar në SPAK edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Në ditët në vijim, në SPAK pritet të thirret për intervistim edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

SPAK është vënë në veprim lidhur me privatizimin e Kompleksit Sportiv “Partizani” në Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga Partia Socialiste. Kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla, i është drejtuar SPAK-ut me kërkesë për shqyrtimin e procesit të privatizimit të këtij kompleksi.Sipas tij, ky proces është shoqëruar me shkelje të rënda.

Balla dhe eksponentë tjerë të Partisë Socialiste e akuzojnë Sali Berishën për ushtrim të ndikimit në procesin e privatizimit,  nga i cili ka përfituar dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.

Berisha i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat për ushtrim ndikimi në këtë çështje. Ai ka thënë se familja Malltezi ka qenë pronare e një pjesë të hapësirës në të cilën ishte ngritur Kompleksi Sportiv “Partizani”.

(r.m.)