Nga Ruben Avxhiu
Shumë analistë amerikanë jetojnë me shpresën se Donald Trump nuk do të zgjidhet president në nëntor 2016. Po nëse vazhdon me sukses aventura e tij dhe zgjidhet, politika e tij e jashtme do të jetë një mister.
Ashtu si për politikën e brendshme, ai asnjëherë nuk jep detaje se çfarë do të bëjë. Disa thonë se nuk ka detaje. Vetëm do të vërë njerëz që të bëjnë punën, ndërsa vetë do të lëshojë tym propagandues. Sido që të jetë, kjo pasiguri i bezdis vëzhguesit.
Për të gjetur shenja, shumëkush është lëshuar të gjejë citate nga e kaluara për të parashikuar të ardhmen.
Disa faqe në internet pa shumë besueshmëri pretendojnë se Donald Trump i ka kërkuar ndjesë Serbisë për bombardimet në 1999 dhe ka qenë kundër Luftës në Kosovë. Sipas këtyre burimeve, Trump i ka bërë këto komente gjatë një interviste me Larry King në CNN, në vitin 1999.
Transkripti i kësaj interviste është ende në internet dhe mund të lexohet nga kushdo. Pretendimi nuk është i vërtetë.
Trump, që në atë kohë ishte thjesht biznesmen, por që mendonte që të kandidonte për president, ka folur kundër bombardimeve sepse ka preferuar ndërhyrjen tokësore me trupa. Kjo e fundit preferohej edhe nga senatorë të njohur pro-shqiptarë të kohës si republikani John McCain dhe demokrati Joe Lieberman.
Sipas Trumpit, ndërhyrja me trupa vërtet që mund të sillte humbje në njerëz nga radhët e NATO-s, por do të zvogëlonte vdekjet e civilëve në Serbi dhe Kosovë dhe do të shmangte ikjen masive të njerëzve.
Thirrjet për ndërhyrje tokësore, në fakt, u shtuan me kalimin e javëve pa ndonjë rezultat konkret nga bombardimet. Mirëpo, në qershor, Millosheviqi u thye dhe pranoi një marrëveshje që praktikisht e çlironte Kosovën nga pushtimi serb.
Ndoshta do të kishte qenë më mirë që NATO të kishte ndërhyrë me trupa, madje të kishte marshuar deri në Beograd. Po kjo nuk garantonte asgjë, lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Kështu që sot, këto spekullime janë më shumë në teori.
Trump ashtu si sot edhe atëherë pëlqente variantet e zgjidhjeve që shokojnë dëgjuesit. Ndërhyrja me trupa ishte diçka që politikanët preferonin ta shmangnin.
Shumë serbë janë gënjyer nga ky lajm i rremë se Trump paska qenë kundër Kosovës dhe tani po bëjnë tifozllëk për të. Disa e bëjnë për shkak të shpresës se ai do të jetë mik me Putinin. Shesheli e ka mbështetur gjithashtu publikisht. A thua se është një mbështetje që të ndihmon.
Disa shqiptarë tani po zbulojnë të njëjtin burim dhe po thonë se Trump ka qenë kundër Kosovës.
Donald Trump nuk është një kandidat i mirë për Amerikën dhe nuk besoj se do të jetë i mirë për shqiptarët dhe Kosovën, po kjo nuk ka të bëjë me deklaratat e tij të mëparshme. Problemi themelor me Trump është se ai nuk ka moral. D.m.th. jo se është i pamoralshëm por se nuk ka interes për moralin.
Politika që premton ai nëse e ndjek me kujdes pikëpamjet që shpalos nuk është ajo e vlerësimit të ngjarjeve në botë nga pikëpamja morale, por nga pikëpamja e interesit të drejtpërdrejtë të SHBA-së. Domethënë, nëse në Kosovë do të vriteshin sot civilë, ai nuk do të ndërhynte si president se fakti që kjo do të ishte e padrejtë nuk ka të bëjë me politikat e tij. Ai nuk mendon se është puna e Amerikës të vendosë drejtësi në botë. Ky nuk është një mendim aksidental, por një mendësi që po përhapet mes amerikanëve, nga lodhja e luftërave të shumta, ndërhyrjeve për të cilat nuk ua di njeri për nder, por që fitojnë më shumë antipasi, si dhe rritjes së problemeve të brendshme për shkak të ekonomisë.
Nëse Kosova dhe shqiptarët do të kenë nevojë për mbështetje nga një president Trump, ata duhet t’i flasin atij se çfarë do të ketë fitim nëse bën diçka për shqiptarët dhe jo se cila është e drejta apo se cila është e vërteta.
Nëse Trump bëhet president, Amerika nuk do të jetë më ajo që ka qenë në 70 vitet e fundit. Ajo do t’i ngjajë më shumë karikaturës me të cilën e përshkruajnë kundërshtarët e saj në botë, sesa fytyrës morale që ka pasur për dekada, duke ëndërruar të shpëtojë popuj të shtypur, të rrëzojë diktatura, të zgjerojë tregjet e lira, lirinë dhe demokracinë në botë.
Nëse fiton vërtet Trump, thuaji “Mirësevjen” Amerikës me laps në dorë që mbledh buzët nga fatkeqësia e të tjerëve dhe të tregon se ka mjaft halle vetë për të zgjidhur. Nuk e di se si duket nga jashtë Amerikës kjo punë, por këtu në SHBA ky qëndrim pasqyron sentimentet e shumëkujt. Jo më kot Trump udhëheq në garën presidenciale dhe mbledh turma që e brohorasin.
Shumica e shqiptarëve në SHBA mbështesin në masë kandidaten Hillary Clintonit. Shumë më pak dikë si Marco Rubio dhe ka plot që shohin me dashuri senatorin Bernie Sanders. Edhe Trump ka plot mbështetës shqiptarë. Për ata që nuk e duan, ka plot për të përmendur nga çfarë ka thënë në ditët dhe javët e fundit. Sulmet e pathemelta vetëm e forcojnë politikanin.
Të gërmosh një intervistë 17 vjet më parë, është një punë e kotë, sidomos për një njeri që ka ndërruar pikëpamjet nga java në java. Është ende koha për t’u mbështetur dhe për të parë sesi vërtitet cirku edhe për pak kohë. Gjithçka mund të ndodhë deri në nëntor.