Genocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Genocidi përkufizohet si një “shkatërim i paramenduar dhe sistematik në tërësi ose pjesërisht të një grupi etnik, racor, fetar ose grupi nacional”

 

Nga Sali Bollati

Në Artikullin 2 të Konventës së OKB më 1948 përcaktohet: “Genocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht grupe kombëtare, etnike, raciale ose fetare duke vrarë pjesëtarë të atij grupi me qëllim eliminimin fizik pjesërisht ose totalisht”. Rezoluta Nr. 1674 e Këshillit të Sigurimit të OKB më 28 Prill 2006 e ngarkon KS të veprojë për mbrojtjen e qytetarëve në konfliktet e armatosura dhe të mbrojë popullatat nga genocidi, krimet e luftës, pastrimet etnike dhe krimet ndaj njerëzimit.
Përkufizimi i mësipërm përmendet sa më sipër për të shpjeguar se si autoritetet greke gjatë gjithë historisë së shtetit grek, që nga fillimi i kryengritjes më 1821 e deri në ditët e sotme, në mënyrë sistematike dhe me program të miratuar kanë ushtruar dhe vazhdojnë veprime në kundërshtim me Konventat Ndërkombetare. Ato janë pjesërisht të nënshkruara edhe prej vetë shtetit grek sespe disa prej tyre si përshembull, njohja e kufijve tokësorë midis Shqipërisę dhe Greqisë (Marëveshtja e Firences 1913), çfuqëzimi i ligjit të luftës po midis Shqipërisë e Greqisë i vitit 1940 dhe njohja e pakicave kombëtare ende qëndrojnë të pa njohura për Greqinë ndonëse është antare e BE dhe NATO-s.
Më 1821, kur filloi kryengritja për pavarësi, popullsia shqiptare përbënte shumicën ndërsa të ashtuquajturit grekë ishin pakicë në Greqi. Thuhet “të ashtuquajturit grekë” sepse historiani greko-amerikan L. Stavrianos pohon se në kohën kur Greqia e sotme ishte nën perandorinë romake, ato që banonin atje nuk njihnin histori të lashtë greke dhe parapëlqenin ta quanin vehten “romei”, d.m.th. pasardhës të Romës, dhe jo helnë apo grekër [1]. Edhe çamët e krishterë e quanin vehten romei dhe jo grekë. Aq më tepër, gjuha që flasin edhe sot ata të krishterë çamë në Çamëri ashtu si arbëreshët e Italisë është “Gluha e Perëndisë”, siç thonte Naim Frashëri, dhe është e njëjta e folur me të cilën është shkruar edhe libri i parë shqip nga Gjon Buzuku.
Në kryengritjen e viteve 1821-183, pothuaj të tërë udhëheqësit e saj ishin shqiptarë të krishterë (arvanitas dhe çamë). Heroi kryesor ose më saktë idhulli i kryengritjes për pavarësinë e Greqisë ishte çami suliot Marko Boçari. Ai ishtë në fakt edhe autori i parë i fjalorit shqip-greqisht. Stërnipi i tij Kolë Boçari shkruan nga Griffith University në Queensland të Australisë se: ”… prindërit e mij nuk më kanë folur asnjëherë greqisht, sepse ata ishin shumë krenarë të trashëgimisë shqiptare dhe të fisit Boçari” [2]. Në gazetën “The New York Times” të datës 8 Shkurt 1880 midis të tjerave shkruhej se: ”…trimëria e jashtëzakonshme e grave shqiptare është çfaqur vazhdimisht në historinë e vëndit; por shembulli më i ndëgjuar është rregjistruar nga shqiptaret e krahinës së Sulit kur ishin rrethuar nga turqit më 1792” [3]. Një pohim tjetër vjen prej Dhomës Nr. 70 (Perandoria Romake) në Muzeumin Britanik në Londër ku në një vitrinë të madhe gjetëm të shfaqura 19 statuja bronzi të Shekullit II p.e.s. të shoqëruara me poshtëshënimin: “Më 1791, disa fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë gjetën këto statuja të Venusit, perëndeshës romake të dashurisë, të cilat i përkisnin një shtëpie të pasur romake” [4].
Profesori i Universitetit të Londrës, Spiro Sofo, kanalin TV Sky të Athinës është shprehur se: “…bavarezët e dërguar bashkë me mbretin Otto, të cilin fuqitë e asaj kohe e caktuan si mbret të shtetit të sapoformuar grek më 1831 vunë re se në rrugët e Athinës flitej vetëm shqip (arvanitika) dhe se grekët e sotëm nuk kanë ndonjë lidhje me grekët e lashtësisë….shqiptarët (arvanitët) dalin kështu si shtylla të vërteta të shtetit modern grek. Një shembull konkret është fustanella që mbahet sot si uniforma karakteristike e gardës presidenciale e cila faktikisht është një veshje që zakonisht mbahej nga shqiptarët në të gjithë Balkanin; pra një veshje puro shqiptare, në rast se duam të themi se kujt kombi i përket” [5]. Nga një anë tjetër, At Antonio Belushi, në krye të një delegacioni të BE për minoritetet gjen në Greqi mbi 3 milionë arvanitas-arbëresh-shqiptarë [6].
Më 26 Qershor 1821, një nga udhëheqësit e kryengritjes greke, Dhimitër Ipsilanti iu drejtohej dy figurave më të spikatura dhe më me peshë të Çamërisë: ”Shumë kurajozë, kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë Çamëve, iu Përshëndes! ….Unë dhe atdheu iu falenderojmë. Prijës burrërrorë dhe aleatë besnikë, tani të bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë!”. Nuk kaloi shumë kohë, dhe pabesia greke filloi të nxjerri kokën. Para se të fillonte kryengritja e vitit 1821, në Rusi ishte investuar e krijuar “Filiqi Eteria” (Shoqata e Miqësisë) me qëllim që të krijohej rreth Turqisë një zinxhir shtetesh ortodokse satelitore të saja. “Filiqi Eteria” nuk dëshironte çlirimin e popujve të shtypur të Ballkanit nga sundimi turk pavarësisht nga raca e feja, por kërkonte çlirimin e të krishterëve serbë, rumunë, bullgarë e mbi të gjitha grekë [6].
Arvanitasi Aristidh Kola shkruan se në këtë kohë në Greqi nuk bëhej vetëm luftë kundër pushtuesit shekullor osman, por qarqe të caktuara greke kishin kaluar edhe në një luftë fetare. Shkaku i vërtetë i brutalitetit të politikës greke që me shpërthimin e kryengritjes më 1821 ishte asgjësimi i etnive të padëshiruara si arvanitasit, vllehët, sllavomaqedonasit dhe hebrejtë, per të krijuar artificialisht një shtet “homogjen” grek [7]. Bandat greke gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë të etnisë jo greke për nga feja dhe kombësia klithnin parullën “Përpara me kryqin në njerën dorë e në tjetrën thikën” [8].
Kur Greqia filloi të organizohet si shtet mbas vitit 1832, kishte dy mundësi: ngritjen e institucioneve shtetërore dhe në të njëjtën kohë të bashkangjiste edhe ato të trashëguara nga kisha lindore. Kisha ishte besimi “mbizotërues” i njerëzve “të rinj”, kështu që duhej të mbrohej. Pra nuk është rastësi që Konventa për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të Francës ka reaguar shumë herë me mënyrën se si shteti grek trajton qytetarët e tijë duke u mohuar lirinë e besimit. Ish kryeministri i Greqisë J. Papandreu ka pohuar me gojën e vet se ”në vendin tonë vepron një racizëm… por racizmi nuk është gjithëmonë manifestim i superioritetit dhe në disa raste shfaqet me ndjenjën e inferioritetit ose të frikës”[9]. Në një debat të zhvilluar ne Departamentin e Shtetit në Uashington në Tetor 2012, u theksua dhe u dënua ekstremizmi grek ndaj minoriteteve maqedonase, shqiptare, turke dhe hebraike që vazhdon e sot. Fjala “ksenofobi” shpjegohet me fjalën greke “kseno-i huaj” dhe “fobi-frikë”; pra frikë nga të huajt. Studjuesi Niko Stylo nga fshatrat e Prevezës shkruan se në rrethinat e Prevezës kanë banuar 70 familje katolike çame shqiptare, por që autoritetet greke i dëbuan edhe ato për në Itali [10].
Krahina shqiptare e Çamërisë nuk iu bashkua Greqisë së krijuar mbas vitit 1832. Megjithëatë “megalidea’” kërkonte që Greqia të ishte si pasardhëse e perandorise fetare bizantine. Dhe për ta vënë në jetë filloi më 1854 dërgimi në rajonet shqiptare i bandave të rekrutuara në Greqi nën drejtimin e gjeneralit Grivas. Ata nuk ndaleshin përpara asnjë krimi për ti detyruar banorët e krishterë të bashkoheshin me ta. Ato tentativa u përsëritën edhe më 1866, po pa sukses. Kuptimplotë është se në ngjarjen e Lëkurësit të Sarandës më 1878 të krishterët e Epirit ishin të parët që prapsen agresorët grekë me armë në dorë. Kështu lufta me vendosmëri e Çamëve dhe e Lebërve i largoi grekërit.
Atëhere grekërit ndryshuan taktikë duke filluar të hapin shkolla greke fetare (të lejuar nga Porta e Lartë) në gjithë fshatrat e Çamërisë dhe të pjesës tjetër jugore të Shqipërisë, pavarësisht se banorët e këtyre fshatrave dhe qyteteve nuk dinin greqisht dhe ishin shqiptarë. Më 1877, dhespoti i Çamërisë, G. Drakopulli, u detyrua të përkthente Dhjatën e Re në shqip sepse besimtarët e krishterë nuk e kuptonin meshën në greqisht [11].
Mbas luftës Ruso-Turke, me Paktin e Shën Stefanit dhe më vonë me atë të Kongresit të Berlinit më 1878, fuqitë e mëdha europiane vendosën që Greqisë t’i bashkohej edhe Janina me krahinën e Çamërisë. Por dega Jugore e Lidhjes së Prizrenit e drejtuar nga Abdyl Frashëri dhe Abedin Pashë Dino nga Çamëria bëri të gjitha përpjekjet për të bindur Fuqitë e Mëdha se Çamëria është krahinë thjesht shqiptare dhe nuk ka sesi të ndahet nga trojet e tjera shqiptare. Përveç anës diplomatike u organizuan shumë forca të armatosura shqiptare për të mbrojtur Çamërinë.
Në një nga peticionet e shumta dërguar nga Preveza më 20 Qershor 1880 dërguar Ministrit të Punëve të Jashtëme të Gjermanisë, midis të tjerave theksohej se ”Mbledhja Shqiptare e Jugut, e frymëzuar nga ndjenat patriotike dhe të kombësisë, proteston përpara Europës kundër pretendimeve të padrejta dhe shkatërrimtare të Greqisë, kundër copëtimit të vendit tonë dhe kundër aneksimit të krahinave tona, aneksim që ne do ta zbrapsim duke luftuar deri në pikën e fundit të gjakut tonë. Ne jemi të gjithë të vendosur për të qëndruar deri në fund, për të shpëtuar tokën tonë, ekzistencën tonë dhe kombësinë tonë të kërcënuar nga armiqtë tanë fqinjë” [12]. Në sajë të këtyre përpjekjeve dhe vendosmerisë shqiptare, Kongresi i Berlinit u tërhoq nga vendimi i mëparshëm dhe Çamëria mbeti e pandarë nga trojet e tjera shqiptare.
Edhe mbas kësaj shovinistat grekë nuk i pushuan veprimet e tyre për të vënë në jetë qëllimin bizantin. Metropoliti i Çamërisë më 1910 lëshon urdhërin që vashat çame duhet të shkojnë në shkollat greke, me qëllim që nesër kur të bëhen nëna të mos u flasin fëmijëve gjuhën shqipe, por vetëm greqisht [13]. Çamët ishin firmëtarë të pavarësisë shqiptare dhe Çamëria u pushtua nga grekërit në Mars të vitit 1913, domethënë tre muaj pas shpalljes së pavarësisë shqiptare. Muaj më vonë, me gjithë luftën e atdhetarëve çamë (midis tyre edhe i riu Ibrahim Bollati, babim im) e shqiptarëve të tjerë, fuqitë e mëdha europiane padrejtësisht e shkeputën krahinën shqiptare të Çamërisë bashkë me të gjithë Vilajetin e Janinës dhe ia ngjitën Greqisë.
Menjëherë mbas pushtimit, filloi menjëherë vënia në veprim e “megalidesë” duke eliminuar shqiptarët. Grekërit mblodhën 73 krerët e Çamërisë dhe pa asnjë lloj gjykimi i pushkatuan në Prroin e Selanit pranë Paramithisë. Mbas ketyre vrasjeve dhe mohimit të gjitha të drejtave civile, shqiptarëve të Çamërisë iu morën pasuritë e tokat dhe ua ndanë të tjerëve duke vendosur në to emigrantë ortodoks të ardhur nga Azia e Vogë. Popullsia shqiptare e Çamërisë u përdor si popullësi shkëmbyese midis turqeve islamikë dhe ortodoksëve grekë të Azisë së vogël.
Me dekret ligje e qarkore si ajo e Ministrisë së Bujqësisë e 1 Tetorit 1922, urdhërohej administrata e Përgjithshme e Epirit që ”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e muslimanëve shqiptarë”. Në qytetet kryesore të Çamërisë në Paramithi, Filat, Gumenicë e Margelliç u hapën zyra të posaçme për shtetëzimin e pronave të muslimanëve shqiptare me një farë shpërblimi qesharak që faktikisht nuk iu dha asnjëherë pronarëve të ligjëshëm. Edhe ato pakë prona që mbetën të pashtetzuara, pronarëve të vërtet iu ndalua me ligj shitja e tyre dhe nuk u kompensuan asnjëherë. Në një studim të botuar në “Balcanica Etnographia” më 2003, profesorja e Universitetit të Berlinit, Georgia Kretsi, iu dha çamëve titullin kuptimplotë: ”Pronarë të ligjëshëm pa prona”.
Megjithëse më 1926, kryeministri i Greqisë i asaj kohe, arvanitasi Teodoros Pangallos, bëri një deklaratë zyrtare në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, nëpërmjet të cilës Greqia njihte minoritetin shqiptar që jetonte ne territoret e veta dhe nuk i quante moslemanët shqiptarë si turq për t’u shkëmbyer me grekët e dëbuar nga Turqia. Pangallosi deklaronte: “…Teza që është mbajtur deri më sot se ortodoksit shqiptarë janë grekë është e gabuar, prandaj mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepirote që përfaqësonin skajet më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.
Gjatë një takimi që patëm si kryesi e shoqatës “Çamëria” në Shtator 1997 me ish-ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë Paskal Milua, e pyeta në se e kishte diskutuar me ministrin e jashtëm grek Pangallos (nip i arvanitit Teodoros Pangallos) problemin tonë të Çamrëisë. Paskal Milua u përgjegj se “ministri grek kundërshtoi me vendosmëri duke thënë se në qoftë se ngrihet ky problem nga pala shqiptare, do të ndërpriten bisedimet menjiherë”.
Greqia, në kundërshtim me sa bënte qeveria shqiptare për të ashtuquajtur minoritet grek në Shqipëri, nuk lejonte të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe, nuk kishte asnjë të zgjedhur ose të komanduar çamë në administratën greke. Me 1936 me ligj filloi ndrimi i emërtimeve shqip të fshatrave shqiptare me emra grekë, bile edhe krahinës ja hoqën emrin Çamëri duke e zëvëndësuar me Thesproti.
Ende pa filluar lufta italo-greke të gjithë meshkujt çamë nga mosha 13 e deri në 70 vjeç u internuan në ishujt e Egjeut dhe në Korint, duke na lënë neve të vegjëlit vetëm me nënat dhe pleqtë pa asnjë mbështetje. Djemve të futur në ushtri në vënd të pushkëve iu dhanë kazma e lopata. Kur Italia pushtoi përkohësisht Çamërinë dhe më vonë kur Gjermania pushtoi të gjithë Greqine, në ndryshim me krahinat shqiptare të Malit të Zi, Kosovës e Maqedonisë që iu bashkuan qeverisë së Tiranës, krahina shqiptare e Çamërisë mbeti nën administratën e qeverisë kuislinge greke të Ralisit në Athinë.
Në shkurt 1943 u krijua çeta Çamëria që më vonë u transformua në Batalionin Çamëria. Dhe ishin trima e këtij batalioni që luftuan gjatë 56 ditëve kundër gjermanëve. Forcat partizane Çame ju bashkuan edhe lëvizjes greke kundër pushtuesave gjermanë, u futën në divizionin e 15 të ushtrisë bashkë me sllavomaqedonasit që banonin në Greqinë verilindore. Autori M. Mazower midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke me pushtuesit nazistë se “….në Athinë antarët e EDES-it të komanduara nga Zerva, hyne në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend duke mbajtur lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit” [13].
Forcat e Napoleon Zervës, në marrëveshje me gjermanët që po tërhiqeshin, hynë në Paramithi më 27 Qershor dhe me pabesinë karakteristike greke tentuan të gënjenin qytetarët paramithiotë se nuk do të vepronin ndaj popullësisë civile. Unë isha 7 vjeç kur u zgjuam në mëngjes nga krisma e armëve. Nëna na ngriti dhe mbasi mblodhi disa plaçka u nisëm për në shtëpinë e daj Muhametit që ishte ngjitur me sahatin, në qendër të qytetit. Shtëpia e jonë ngjitur me kullën mesjetare të Bollatatëve ndodhet në krye të Paramithisë dhe sot është transformuar në Muze. Vëllai i madh 13 vjeçar Ferhati u largua me vrap për në shtëpine e halla Shazos për të qenë si gjithëmonë me kushuririn dhe bashkëmoshatarin e tijë, Avniun, por rrugës i vranë të fshehur në një kaçube.
Kur mbritëm në shtëpinë e Dajës, djali i xhaxhait të nënës, Qazim Bako, i thotë babait tim që të ikim se grekërit do na vrasin (ai në fakt u largua dhe vdiq në Tiranë më 1982). Babai im i mjerë e kundërshtoi largimin, duke i thënë se nuk mund t’i lejë vetëm fëmijtë dhe gruan, nuk kam bërë asnjëherë ndonjë veprim kundër grekërve, përkundrazi i kam përkrahur e ndihmuar në çdo rast nevoje, kështu që nuk mund të largohem vetëm. Por fatëkeqësisht, mbas gjysëm ore hynë zervistat në dhomë dhe e rrëmbyen me forcë babain e shkretë duke mos e lenë as këpucët t’i mbathte. Fjalët e babait shumë të dashur që na rriste dhe edukonte dhe rrëmbimin e tijë kur neve qanim e bërtisnim nuk mund t’i heq nga mendja as edhe sot. Babain bashkë me dhjetra të tjerë të pafajshëm i pushkatuan në oborrin e shkollës.
Mbasi rrëmbyen babain, nëna na ngriti dhe u nisëm përsëri për në shtëpi. Kur hymë në oborrin e madh të shtëpisë u tmeruam; aty gjetëm kufomën e gjakosur të gjyshit 82 vjeçar, të cilin mbasi e kishin tërhequr zvarrë nëpër shkallët e gurta e kishin pushkatuar. Mbas kësaj skene të tmerrshme, nëna e dashur, na morri dhe na çoi në ish ndërtesën e Medresësë. Aty gjetëm të strehuar edhe shumë familje të tjera. Mbas pak kohe na nxorrën përjashta në oborr për të na pushaktuar. Tek dera e madhe e oborrit pranë mitrolozit të ngrehur, qëndronte një ushtar zervist. Nëna e shkretë na mblodhi rreth vehtes si pula zogjet e vetë duke ju falur Zotit për mëshirë. Faktikisht, mbas pakë kohe arriti nje zervist tjetër dhe e urdhëroi atë që ta ngrinte mitrolozin për në një vënd tjetër. Për një çast kujtuam se shpëtuam. Por Jo. Një oficer zervist erdhi dhe morri nënën time shumë të dashur. Ajo nxorri nga gjoksi të vetmen fotografi të babait tashmë të pushkatuar dhe më porositi që ta ruaj si gjë të shenjtë. Mbas pak morrëm lajmin e keq se edhe nënën 36 vjeçare e kishin pushkatuan brenda në xhaminë e Bollatatëve.
Kjo është një pjesë jete e jetuar me tmerr në kalvarin e Paramithisë ku masakruan në mënyrën gjakatare nje kushurirë e imja Sanije Bollati të cilën e dogjën me benzinë, ndërsa 56 vjeçarit Omer Muratit i rropën një pjesë të lëkurës dhe mbasi ja lyen me kripë ja ngjitën përsëri. Jani Sharra shkruan se “…Familja e Muharrem Bollatit që u masakrua në mënyrë shtazarake, nuk ka pasur as fajin më të vogël” [15].
Brenda dy ditësh mbi 600 shqiptarë të pafajshëm u torturuan dhe u vranë nga fashistët grekë. Mbetëm neve të katër, Qerimeja 10 vjeçare, unë, Faruku 5 vjeç dhe Makbulja 2 vjeçare. Kështu ne bashkë me afro 200 të tjerë të mbetur, na grumbulluan në shtëpinë e madhe të Muhedinëve që e transformuan në kamp përqëndrimi. Aty vuajtëm deri në nëndor së bashku me Teto Zybiden të cilës i kishin pushkatuar të shoqin, kishte mbetur me djalin, Tasinin 4 muajsh. Po aty në burg nga uria, papastërtia dhe sëmundjet vdes motra e vogel Makbulja dhe gjyshja 72 vjeçe. Faktikisht në ato 6 muaj vdiqën aty mbi 200 njerëz, kryesisht fëmijë e plaka.
Nga fundi i Nëndorit 1944, ushtarët britanikë të pranishëm në vend na pyetën se ku të na transferonin në Turqi, Egjypt, Angli ose gjetkë. Por ato pakë gra që kishin mbetur gjallë këmbëngulën që duam të na shpini vetëm në Shqipëri, se Shqipëria është nëna e jonë. Dhe ata na çuan një natë në Gumenicë dhe të nesërmen na hypën në 4 motovedeta dhe na nxorrën në Sarandë e Himarë. Nga Himara, në mes të dimrit të ashpër kam hecur në këmbë. Nata na zuri të vendosur ne këmbët e një ure. Aty në të ftohtë, Faruku duke qarë i kërkonte Tetos. Nuk më ndahen nga kujtesa fjalët dhe të qarët e tijë dhe tonat bashkë që nuk kishim as edhë një copë bukë për ti shuar urinë . Nga të ftohtit i hypën ethe dhe dridhje të forta dhe të nesërmen kur mbritëm në Dukat ishte krejtësisht i këputur e mezi qëndronte në këmbë. Për fat të mirë partizanët na hypën në një makinë. Mbasi mbëritëm në Vlorë , tetoja e shpuri drejtë e në spital, por fatëkeqësisht të nesërmen vdiq. Kështu nga nëntë veta mbeta unë me Qerimenë 10 vjeçare. Poeti atdhetar Gjergj Komnino më 1945 ka shkrojtur si më poshtë për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullësinë e pa fajshme të Paramithisë më 27-29 Qershor 1944 [16]:

PARAMITHI, PARAMITHI!

O pellg me gjak, O vënd fatzi,
Aty ku hyn fashisti grek,
Ku hapen varre me hendek,
Ku çdo hendek është një varr,
Për çdo Çam për çdo Shqiptar,
Ku një zervist, nazist-gjerman,
Një katil, një shpirt katran, po bën batërdi,
Jo s’është grek, as palikar për trimëri,
Po një kusar, një mercenar, një faqezi.
Është turp i tokës ku u le,
Një i pabesë, një i pafe,

O dorë mizore me çfarë mënxyre
Lakmitë gjaksore t’u ngosën?
Ku janë kufomat të bëra vandak
Të shtrira përdhe pa faj pa gjak,
Ku vallë u groposën?

Paramithi, qivur i mjerë
Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?

Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasim?
Me fyt të këputur kërkon të bërtasim?
Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizim?
Oh! Ç’farë të padisim?
Dy zgavrat-kokalla ti njomim me lotë?
Kurrë!!
Se ç’vepër të ndotë, se ç’farë torture
Askush s’mund ta thotë.
Shiko kufomat,si qiellin munxosin,
Shiko zervistat, si po na çfarosin
Në befasi!!
Ah! Hesht hipokrit, ç’bën sikur s’sheh
Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re
O mershë e fëlliqur në botën e re,
Këlysh i Zervës sulet mbi ne,
Si qen i tërbuar dhe s’ka kush e ndal,
Dhe s’ka kush e vret,
U ngjall prapë fantazëm e skelet!
O Çam Martir, o grek i lirë,
Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!
Lufto për jetë, lufto për Atdhe,
Ballkan i Ri të jetë për ne,
Një çerdhe e dashur për Paqe edhe Liri!

Paramithi, Paramithi edhe tani
Po shoh kukudhin si po ha
Eshtra dhe gjak nga im vëlla!!

Në vizitën e parë, mbas 66 vjetësh, më 2010 në vendlindjen time Paramithi, nuk gjeta asnjë varrezë tonën, meqënese ishin shembur të 9 xhamijat bashkë me varrezat qindravjeçare të tyre, ndërsa varrezat masive të martirëve të Qershorit 1944 ishte betonuar dhe mbi të zhvilloheshin lodra basketbolli. Në gjithë Çamërinë mbas masakrave të tmershme u vranë dhe pushkatuan mbi 2900 njerëz të pafajshëm, kryesisht fëmijë e pleqë, ndërsa rrugës së dimrit për në Shqipëri vdiqën edhe mbi 2000 të tjerë, këta varrosur në Plloçë. Pra nga rreth 30000 njerëz, mbi 5000 humbën jetën ose mbi 16% e popullësisë çame. Kohët e fundit në atë vënd që partizanët na mirëpritën dhe na hypën në makinë është ngritur një përmendore si falenderim për mikëpritjen e çamëve nga bashkeatdhetaret tanë, vlonjatët e Dukatit.
Në Dokumentat e Departamentit të Shtetit të SHBA me Nr. 84/3 të Misionit Amerikan në Tiranë 1945-1946, shkruhet: “Simbas informacioneve që kam mundur të mbledh në lidhje me Çështjen Çame, më 1944 dhe deri në muajt e parë të vitit 1945, autoritetet në Greqinë veriperëndimore kryen masakra të tmerrshme dhe dëbuan me dhunë 25000 çamë, banorë të Çamërisë nga shtëpijat e tyre, ku ata kishin jetuar në shekuj dhe i hodhën ata matanë kufirit, mbasi u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë e tyre. Shumica e 2900 vrarëve ishin fëmijë sepse ata dhe pleqtë përbënin shumicën e refugjatevë”.
Në një letër që udhëheqësi i masakrave, gjenerali grek Napoleon Zerva, i shkruante më 1956 një miku dhe ish-bashkepuntori të tijë në masakrat: “I dashur Koço Dani, bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin e atdheut nga çamët moslemanë, të cilët i qëndruan 500 vjetë mbi qafë të helenizmoit, duke ia bërë të mundur malësorëve të zbresin në fusha. Për këtë ta ndjejmë vehten krenarë” [18].
Çamëria është Shqipëri, atje edhe sot jeton popullatë çame e besimit të krishterë që flet shqip, por fatëkeqësisht nuk e ndjen akoma dorën e Nënës Shqipëri.

LITERATURA
1. L. Stavrianos, The Balkans since 1453, NY 1953.
2. Kolë Boçari, Griffith University, Queensland, Australia
3. The New York Times, February 8, 1880.
4. The British Museum, London, Room 70.
5. Spiro Sofos, SKAY Tv, Athens, 2010
6. Blerina Sadiku, Lindja e Çështjes Çame, Tirane 2011
7. Aristidh Kola, Arvanitasit, Athine 1985.
8. J. Kordhatos, Istoria tis Enoteris Elladha, Athine, 1985.
9. J. Papandreu, Takim dyditor -Racizmi ne Greqi, qershor 1995
10. Niko Stylos, Tirane, 2009
11. Spiro Muselimi, Istpriko Peripato ana tis Theprotias, Janine 1984
12. Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare 1878-1912, Tirane 1978.
13. M. Mazower, Inside Hitler’s Greece 1941-1944,, London 1993.
14. S. Bollati, Gjurme Çame, Tirane 2004.
15. J. Saras, Istoria tis Periohis Igumenitsa,Athine 1985.
16. Gjergj Komnino Paramithi, Paramithi, gazeta “Zëri i Çamërisë” Tiranë, 1945.
17. State Department, American Mission in Tirana nr. 84/3, 1946
18. Spiro Muselimi Istoriko Peripato ana tis Thesprotias
19. Leter e LAOS-it, 31 Gusht 2011