Gërvalla: E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën

Luksemburg, 14 prill 2025 – Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë Kosovën si partnere e barabartë dhe të respektuar në të gjitha proceset integruese.

Ajo ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, të dielën në mbrëmje, në Luksemburg.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar”, ka theksuar Gërvalla në një postim në Facebook, pas takimit me zonjën Kallas.

“Roli i Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin, por për të ofruar vizion dhe drejtësi për të gjithë”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ka zhvilluar një takim joformal me ministrat e jashtëm të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në takim është diskutuar për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për procesin e integrimit të vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Para takimit, Kallas ka thënë se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, prandaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evrtopian.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtet na duhen histori suksesi”, ka thënë ajo.

Postimi i plotë e ministres Gërvalla.

Në një periudhë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, roli i Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin, por për të ofruar vizion dhe drejtësi për të gjithë.

Me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, pata një shkëmbim të hapur mbi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese.

Theksova se mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet në nivel deklarativ, ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë: përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe largimin e masave që cenojnë parimet e partneritetit.

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin.

Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizion të përbashkët.

(r.m.)

Comment

*