Gërvalla e kritikon Borrellin: “Duhet të dënojë edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës”

Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj reagimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, lidhur me sulmet ndaj patrullave të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it në veri të Kosovës.

Ministria Gërvalla tha se z.Borrell, në reagimin e tij në Twitter, dënoi vetëm sulmet ndaj patrullës së EULEX-it, por nuk i përmendi fare sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Gërvalla, në një reagim në Twitter, theksoi se z. Borrell duhet të dënojë edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Çdo jetë ka rëndësi. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell gjithashtu duhet të dënojë të shtënat ndaj Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke përmbushur detyrën e tyre dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkruan Gërvalla në reagimin e saj.

Josep Borrell, në reagimin e tij në Twitter, ka thënë se BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe dhunën në veri dhe ka bërë thirrje për heqjen e barrikadave të vendosura në veri.

“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it, ose përdorim të akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës”, ka shkruar Borrell.

(r.m.)