Prishtinë, 6 shtator 2024 – Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka cilësuar kërcënimet e serbëve për mbylljen e pikave kufitare mes Kosovës e Serbisë si dëshmi të akteve destabilizuese të rajonit nga Serbia.
“Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe e veprimeve provokuese dhe destabilizuese të Serbisë që shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, ka deklaruar Gërvalla të premeten, në Prishtinë, në konferencën e përbashkët për medie me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Hakan Fidan.
Ministrja Gërvalla ka thënë se me homologun e saj turk ka biseduar për situatën aktuale në Kosovë dhe për kërcënimet e Serbisë për paqen e sigurinë në raJON. Ajo ka theksuar se Turqia ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes e stabilitertit në rajon.
“Diskutuam sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në kohën kur rajoni po përballet me sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës. Roli i Turqisë dhe i NATO-s është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetin në të gjithë rajonin tonë. Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin me NATO-n si garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, e shohim Serbinë si rrezik real për stabilitetin rajonal”, është shprehur ajo.
E ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, ka njoftuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të sigurisë midis Kosovës e Turqisë, por nuk ka dhënë më sdhumë detaje të saj.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Kosovës dhe Turqisë do të jetë hapi i parë i këtij bashkëpunimi. Me këtë marrëveshje do ta ndihmojmë Kosovën në të gjitha fushat e sigurisë. Për ne, s’ka gjë më normale se sa ta mbështesim Kosovën. Kjo është e gjitha çka mund të them”, ka thënë Fidan.
Ministri i Jashtëm turk ka thënë se Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësi edhe në dialogun mes Kosoës e Serbisë, në se do të ketë kërkesë nga palët në dialog..
Zonja Gërvalla ka folur edhe për marrëdhëniet me Turqinë dhe për rëndësinë e investimeve ekonomike turke për Kosovën.
“Turqia është partnere e rëndësishme e vendit tonë. Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe në bashkëpunim të ngushtë. Në aspektin ekonomik, bashkëpunimi mes të dyja vendeve është i një rëndësie të veçantë. Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Marrëdhëniet tona ekonomike janë të forta dhe të ndërsjella dhe do të vazhdojmë të punojmë për thellimin e tyre”, ka thënë ajo.
Gërvalla e ka vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Turqi për forcimin e lidhjeve midis dy vendeve.
“Dua të theksoj rëndësinë e komunitetit shqiptar në Turqi dhe komunitetit turk në Kosovë, të cilët ndërtojnë çdo ditë ura të rëndësishme mes dy vendeve tona. Komuniteti shqiptar në numër të madh luan rol kyç në lidhjen mes dy vendeve dhe kanë krijuar histori të gjatë dhe të suksesshme integrimi si komponent i rëndësishëm i shoqërisë turke”, ka shtuar ajo.
(r.m.)