Bruksel, 13 prill 2025 – Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar të dielën në Luksemburg, se Kosovës i duhet mbështetje e qartë në aspiratat për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.
Në takimin joformal të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe me ministrat e Jashtëm të bllokut, Gërvalla ka kërkuat heqjen e masave ndëshkuese të BE-së, përfundimin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe mbështetje për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministrja në detyrë ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut me Serbinë, dhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023. Ajo ka theksuar se ky proces duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e barazisë dhe vlerave evropiane. Ajo ka kërkuar nga BE-ja edhe veprime ndaj Serbisë, e cila në vazhdimësi e mohon Marrëveshjen e Brukselit dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj.
Ministrja Gërvalla ka kërkuar mbështetje të vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Kosovës për këtë aleancë, duke theksuar se kjo do të ishte me interes për sigurinë e mbarë rajonit, i cili kërcënohet vazhdimisht nga Serbia dhe nga ndikimet e Rusisë. Njëkohësisht, ka kërkuar që Serbisë t’i kërkohet të japë llogari për sulmin e armatosur në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, të cilin e ka cilësuar si provë për kërcënimet serbe ndaj paqes e sigurisë nѱ rajon.
“Koha për veprim është tani. Mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën”, ka theksuar ministrja Gërvalla.
Nikoqirja e takimit, Kaja Kallas, para takimit, ka thënë se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Bashkimit Evropian në planin gjestrategjik, prandaj siguria dhe stabiliteti në vendet e këtij rajoni është interes i përbashkët.
“Ne ndajmë më shumë se gjeografinë me Ballkanin Perëndimor, ne ndajmë përgjegjësi. Siguria dhe stabiliteti ynë na lidh me njëri-tjetrit. Sonte do të takohem me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.
(r.m.)