Gërvalla: Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë ligjërisht të obligueshme

Bruksel, 22 maj 2023 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe ministrave të jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka shprehur qartë qëndrimin e Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Gërvalla ka thënë se Kosova i konsideron marrëveshje ligjërisht të detyrueshme marrëveshjet me të cilat palët janë pajtuar në Bruksel dhe në Ohër.

“Natyrisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ishte një prej temave që e sfidon rajonin tonë. Paraqita qëndrimin e Kosovës që ne marrëveshjen e lidhur në Bruksel, bashkë me aneksin për implementim të Ohrit, e shohim si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe presim që Serbia t’i zbatojë, edhepse sinjalet nga ajo janë jo të mira, pasi keni qenë dëshmitarë të deklarimeve të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit që vazhdimisht e refuzojnë zbatimin, e shpesh e mohojnë edhe ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, ka thënë Gërvalla në një adresim për gazetarët.

Ajo është pyetur edhe për aplikimin e Kosovës për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

“Ne kërkesën e kemi deponuar në dhjetor, shpresojmë që Presidenca e Suedisë të finalizojë bisedimet që po zhvillon me gjitha shtetet anëtare të BE-së e të vijmë në një rezultat konkret. Tani nuk jam në gjendje të jap parashikime, asi kjo nuk do të ishte serioze, por mendoj se Suedia, me qasjen që ka  pasur gjatë Presidencës së BE-së, është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjitha vendet anëtare, me ato që janë përkrahës edhe me ato që janë pak më hezituese”, ka thënë Gërvalla.

(r.m.)